Statuti i ri i VMRO-DPMNE-së është kopjuar nga “Nisma për reforma” që para tre viteve, thotë Ilija Ilijovski, që ishte pjesë e krahut për reforma në parti. Për nismën e dorëzuar në Komitetin qendror në vitin 2017 Ilijovski thotë se përveç se u quajtën tradhtarë, asnjëherë nga organet partisë nuk morën përgjigje për nismën e tyre. Ai dyshon dhe thotë se pa qasje të sinqertë dhe rrënjësore nuk mund të ketë ndryshime në parti, edhe pse duhet të lihet hapësirë dhe të shohin.

“Qëllimi është shumë i rëndësishëm dhe nëse qëllimi është i sinqertë shpresoj se do ketë sukses, por nëse kjo është vetëm sa për sy e faqe, atëherë më kot i vendosim fasadë shtëpisë e cila për fat të keq është në rrënim e sipër”- Ilija Ilijoski, anëtarë i VMRO-DPMNE-së.

Nga VMRO-DPMNE, thonë se statuti i ri është punuar për një kohë të gjatë dhe përfshin të gjitha praktikat e partive moderne bashkëkohore të partive djathtiste simotra.

“Statuti i ri i VMRO-DPMNE-së është statuti më modern dhe më i hapur i një partie politike në rajon, një statut që do të demokratizojë më tej partinë dhe veprimin politik që do të pasqyrohet më tej në vend.- Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ndryshimi i Statutit të partisë vjen në një kohë kur kërkesat për dorëheqjen e kryesisë dhe Hristijan Mickoskit për shkak të zgjedhjeve të humbura janë më të zëshme. Këtë e kërkojnë deputetët në largim Daniela Rangelova dhe Nikola Popovski, më pas kryetari i Kavadarit, Mitko Jançev, ish zyrtari i lartë i partisë Sasho Mijalkov dhe ish-kryetari i Aerodromit, Ivica Konevski.