Presidenti Hashim Thaçi edhe sot do të vazhdojë të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Thaçi dje nuk është prononcuar për media kur ka kryer intervistimin.

Presidenti Thaçi që nga dita e hënë është duke qëndruar në Hagë të Holandës aty ku edhe ndodhet Gjykata Speciale.

Intervistat gjatë tri ditëve të kaluara Thaçit i kanë zgjatur rreth gjashtë orë, ndërsa para objektit të Dhomave të Specializuara kanë qëndruar mbështetës të Presidentit të cilët kishin shkuar nga vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian por edhe nga Kosova.

Pas intervistimit të hënën, në ditën e parë, Thaçi ka thënë se është diskutuar për “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë.

Thaçi ka thënë më herët se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.