Përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë në Kosovë, sot protestuan para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që ky sektor, që është goditur nga pandemia e koronavirusit, të ndihmohet.

Përfaqësuesit e gastronomisë, në mënyrë simbolike, hodhën para qeverisë, “çelësat” e bizneseve të tyre. Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha se ky sektor, padrejtësisht është akuzuar nga autoritetet si “shpërndarës i koronavirusit”.

Në fillim të muajit korrik, Qeveria e Kosovës vendosi që të rikthejë disa masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit. Njëra ndër to ishte që bizneset e gastronomisë të mos punojnë nga ora 21:00 deri në orën 5. Qeveria e Kosovës ka thënë se me rishikimin e buxhetit, do të përfshihet edhe një Fond i rimëkëmbjes për të ndihmuar bizneset e goditura nga pandemia e koronavirusit.

“Ju bëj thirrje qeverisë dhe parlamentit, kalojeni buxhetin, ndihmojeni biznesin sepse është koha e fundit që mund ta tregoni vetën. Ju bëj thirrje qeverisë, pas dy javësh me orar të shkurtuar, me idenë që jemi shpërndarës të virusit, e që nuk doli ashtu, që ta kthejë orarin deri në ora 12:00”, deklaroi Petrit Kllokoqi, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.