E vërteta dhe mashtrimi janë aq ngushtë të lidhura sa nuk bëjnë njëra pa tjetrën; po të mos ishte e vërteta mashtrimi nuk do të mund të dallohej dhe anasjelltas. E vërteta është fakt që mund të preket, shihet, ndihet, nuhatet e ndjehet, ndërsa mashtrimi është injorimi, mohimi i gjithë kësaj. Aftësi është me kohë dhe saktë të bësh dallimin ndërmjet tyre.

Ndërkaq, civilizimi që urtësinë dhe dijen ja nënshtron arrogancës e arrogantit, nuk mund ta mban hapin me botën tjetër të qytetëruar ku arroganca e arroganti dënohen, përkatësisht ju nënshtrohen institucioneve përmirësuese shëndetësore e sociale, e jo më të jenë në kontakt të përhershëm me klasën politike si sinonim i mirëqenies së qytetarëve e perspektivës shoqërore.

Jemi popull paranoik kur bëhet fjalë për të vërtetën. Kur gënjejmë duam ta bindim botën, se ne e themi të vërtetën, ne jemi e vërteta. Gënjeshtra jonë nuk është si e të tjerëve. Gënjeshtra jonë është historike, historia vetë. Neve askush nuk na donë, neve të gjithë na urrejnë. Neve na urrejnë edhe institucionet që vetë i ndërtojmë. Ne sjellim ligje, po ai për krejt duhet të vlejë, veç për mua jo. Ligji është e vërteta për të tjerët, jo për mua.

Përparimin njerëzor duhet ta bëjnë të tjerët, ne do ta bëjmë kur ta bëjnë të tjerët. Nuk jemi kryefjala e historisë, edhe historisë sonë, ne jemi shkronja e fundit e saj, dhe si të këtillë të mjerë. Si të pashpresë, shpesh botën e marrim në sy dhe te të tjerët e tjetërkund gjejmë ngushëllim! Për këtë nuk na vjen keq por mburremi, e këndojmë këngë heroizmi. Ne kemi “zbuluar sharkinë”, më mirë se ne kush rrenës nuk mund ti këndon. Një shtrëngim të telave, atë histori disa mijë vjeçare ne e devalvojmë me disa vargje “të dhembshme heroike”. Mashtrojmë këdo, dhe krejt për këtë fajtorë janë të tjerët se nuk na zënë besë, nuk na besojnë. Për këtë ne vuajmë, jo për të vërtetën e cila është larg nesh me shpejtësi drite.

Kështu i kemi punët edhe në jetën private, familje. Ne, zëmë mik e atij ja imponojmë teket tona. Mikun e bëjmë të ndryshoi sipas qejfeve tona. Bija jonë, shkon në shtëpi të huaj, për tu bërë ose sundimtare ose të prish familjen, thjesht të shkaktoj skamje e mjerim e jo lumturi. Pastaj mbrohet prej prindërve si domosdoshmëri, ndërsa prej prindërve të djalit si nevojë, për tu mbrojtur prej komprometimit moral por edhe material. Njësoi është edhe për të birin! Edhe gëzimin e nxjerrim në hidhërim, e hidhërimin në faj, pastaj fajin ja hedhim tjetrit, ndërsa ne shesim pordhë se e themi të vërtetën!

E shpallim veten shkencëtar pa qenë hiç, themi: “të gjithë shkencëtarët e botës, edhe un”!, në vend që të themi, mundësisht edhe ne të kontribuojmë në të vërtetën që e njehë dhe e thonë të tjerët.

Ne nuk e duam njeriun, por individin. Sapo individi humbet prej perimetrit të interesit tonë, ai më nuk është njeri. Akuzat e thurin njeriun e tillë dhe e shpallin “tjetrin!”, ai është tjetri, rreziku për ne, armiku! Armiku më i rrezikshëm është ai të cilin ne e prodhojmë, prej pamundësisë që ta duam njeriun.

Ne kur inkuadrohemi në kulturën ose institucionet e huaja, atëherë ndihemi mirë, vijmë në shprehje me “unin tonë”; me këtë besojmë se i kemi ikur gënjeshtrës sonë kolektive.

Kur i ndërtojmë institucionet tona si arsimore, shkencore, kulturore dhe të shtetit e shtetin vetë, i krijojmë sipas modelit të huaj, ngase modeli jonë na mungon. Prandaj ne i shajmë institucionet tona, pastaj i nënçmojmë dhe në fund edhe mundohemi ti shkatërrojmë, ti bëjmë “me dhi sorrat”, siç thuhet. Ne shkatërrojmë edhe institucionin që i mbron institucionet, shkatërrojmë nga themeli vetëdijen për institucione.

Ndërsa kur “inkuadrohemi” në institucionet e huaja, kulturën e huaj “bëjmë dritë”. Bëhemi më të përpiktë se çdo kush tjetër, në respektimin e tyre. Respektojmë rendin e vëmë rend sa i habisim të tjerët!, mandej edhe kur jemi pjesë e integruar e kulturës të shteteve te kemi shkuar si mërgimtar, gastarbajter, lypsar, azilkërkues etj., ne prapë jemi të parët!, me gjasë numëruar prej fundit!

Aq shum respektojmë kulturën e huaj, sa me vet-vetën çuditemi: dy fjalë me i ditë në një gjuhë tjetër, përnjëherë harrojmë gjuhën tonë; me e ditë serbishten, italishten, greqishten e jo më pak turqishten, menjëherë flasim në atë gjuhë, pastaj edhe kur askush nuk është prej tyre prezent. Ndërsa, turqishten shpesh e bëjmë edhe zyrtare në metropol, kur të gjithë flasim shqip. E kur këndojmë e vallëzojmë në gjuhë të huaj, këtë e bëjmë më mirë se kushdo tjetër, bie fjala, kur këndojmë Kuran, e bëjmë aq mirë sa edhe pse arabët e këndojnë në gjuhën e nënës dhe shkëlqejnë në këndimin e tyre, por ne në këndimin tonë shkëlqejmë më shumë se ata, jua kalojmë në gjuhën e tyre, prandaj shpesh themi se ata nuk janë mysliman sa ne, si të këtillë s’janë as mysliman!; kur këndojmë në gjuhën angleze, ne e bëjmë aq mirë sa jua kalojmë anglezëve; jo që jua kalojmë por kërkojmë të na njihet merita, se jemi këngëtarët më të mirë të botës në gjuhën e tyre. Bota anglosaksone duhet të na jetë mirënjohëse për themelimin e kulturës së tyre! Sa për vallëzimin mos të flasim fare, thjesht ne të tjerët i imitojmë!

Shkenca, letërsia, religjioni, arti kudo në botë, pa ne shqiptarët asgjë nuk janë. Jemi të prirë të manipulojmë të vërtetën. Nuk mund të përballemi me të vërtetën, prandaj manipulojmë në artë, religjion, filozofi e shkencë. Bota ka dhënë artist të mëdhenj, ne jemi artist të mëdhenj pa vepra arti!; predikojmë fenë nëpër institucionet fetare, në ndërkohë atje bëjmë politikë ndërkombëtare, të tjerët bëjnë këtë e atë e sa shumë vuajnë myslimanët nëpër botë, po nuk themi, si ta përmirësojmë jetën tonë fetare (si mysliman), sa më shumë ti prijmë paqes ndaj vetës e ndaj tjerëve, të jemi solidar në gëzime e mortje në bollëk e skamje, për këtë na mbështesin materialisht besimtarët tonë, jo të tjerët!; në filozofi na sa nuk kemi shpall doktrinën e ruajtjes së ambientit jetësor mbarëbotëror(!), ndërsa bërllokun tonë parasysh nuk e shohim. Në secilën komunë ku drejtojmë ne, na mbytë bërlloku. Nuk mund të gjejmë udhë e ta zgjidhim këtë problem ne mes të udhës!,

Ne dëshirojmë vetë të jetojmë mirë, ne nuk mund të bëjmë që të tjerët të jetojnë mirë. Nuk e kemi këtë kategori mendimi, për fat të keq. Ata që jetojnë mirë harrohen shpejt, ndërsa ata që të tjerët i bëjnë të ndihen mirë, mbahen mend gjatë.

Popullin ton e duam, bile shumë e duam. Kurrë nuk kemi pushuar të mburremi dhe të ndihemi krenar që i takojmë popullit tonë, por një vështrim kritik mu duk më i arsyeshëm sesa lavdërimi në stilin e patriotizmit romantik.