Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në rolin e Koordinatorit për Ndihmë të Huaj në vend, sot në Sekretariatin për Çështje Evropiane pranoi donacionin e testeve SARS-COVID19 për diagnostikimin e virusit KOVID-19.

Siç bëri të ditur SÇE, donacionin e siguruan sipërmarrësit Lazim Destani nga kompania “Ekolog”, Nazmi Viqa nga kompania “ABBRUCH AWR” dhe Remzi Ejupi nga kompania “Eurokoha”. Testet janë paraparë për Institutin për Shëndet Publik dhe menjëherë do të vendosen në funksion.

Zëvendëskryeministri Osmani gjatë pranim- dorëzimit shprehu mirënjohje deri tek biznesmenët për këtë donacion.

“Mirënjohje të sinqertë deri tek gjithë bashkësia e biznesit për mbështetjen e vazhdueshme në ballafaqimin me COVID19, natyrisht mirënjohje të veçantë për zotëri Destani, zotëri Viqa dhe zotëri Ejupi për donacionin e sotëm, i cili paraqet mbështetje të rëndësishme në ballafaqimin me pandeminë”, theksoi Osmani gjatë dorëzimit të donacionit.

Përfaqësuesi i donatorëve gjatë takimit theksoi se ky është vetëm një kontribut i vogël në luftën e vendit me pandeminë botërore, me shpresë të nxitjes së sipërmarrësve tjerë për tu kyçur në këto aktivitete humanitare.