Në 24 orët e fundit në Dibër është shënuar rekord i ri negativ i të infektuarve të rinj me Kovid-19. Sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar 18 raste të reja, që është numri i tretë dyshifror deri më tani, pas 10 korrikut kur kishte 17 dhe më 20 qershor kur ishin regjistruar edhe 18 raste të reja.

Me konfirmimin e sotëm, numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë u rrit në 172. Betejën me virusin e rrezikshëm e fituan 57, e humbën pesë, ndërsa 110 persona janë aktivë nga sëmundja, ndërsa dhjetë prej tyre janë shtruar në spitalet në institucionet shëndetësore në Shkup.

Numri i të infektuarve në fazën e dytë është dy herë më i lartë krahasuar me numrin në fazën e parë.

Në fazën e dytë të pandemisë, kur koronavirusi saktësisht pesëdhjetë ditë më vonë u kthye në këtë zonë më 5 qershor, numri i të infektuarve është më i lartë për 121 persona. Dhjetë u shëruan, një vdiq dhe 110 janë aktivë në sëmundjen.

Në fazën e parë, janë regjistruar 51 pacientë, 47 janë shëruar, ndërsa kanë vdekur katër.

Siç paralajmëroi këto ditë epidemiologu Mentor Mela, drejtues i njësisë punuese të Qendrës për Shëndetin Publik, numri i të infektuarve të rinj do të rritet, gjë që është pasojë e mosrespektimit të masave dhe protokolleve.