Një amvisëri mesatare në vend, për përmbushjen e nevojave themelore siç janë ushqimi, veshmbathja dhe shpenzimet komunale shpenzon mbi 60 për qind të të ardhurave të përgjithshme.

Të dhënat që i kumtoi Enti shtetëror për statistika në publikimin “Maqedonia e Veriut përmes numrave” tregojnë se në vitin 2019 qytetarët më së shumti shpenzuan para për ushqim dhe pije joalkoolike (43.1) dhe për shpenzime komunale (10.8). Nuk mbeten prapa as shpenzimet për pagesë të kredive dhe investimi në patundshmëri (8.0).

Rreth 6 për qind e konsumit të përgjithshëm bëjnë pjesë tek shpenzimet për transport, 5 për qind shpenzohen për veshmbathje, 4,5 për qind për blerje të mobiljeve dhe mirëmbajtje të amvisërisë dhe 4 për qind për shkuarje në restorante dhe hotele. Më së paku para qytetarët shpenzojnë për arsim dhe aktivitete kulturore.

Vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2014 është shtuar edhe blerja e automjeteve, telefonave celularë dhe pajisjeve klimatike,ndërsa është ulur interesimi për blerje të sistemeve muzikore haj-faj dhe CD mbajtësve të zërit.

Është rritur indeksi i shpenzimeve për jetë në vitin 2019

Statistika tregon shpenzime të rritura për jetë në vitin 2019 në krahasim me vitin 2018. Sipas të dhënave të publikuara, indeksi i shpenzimeve për jetë, vjet ishte rritur për 0,8 për qind.

Shpenzime të rritura janë vërejtur tek pijet alkoolike, duhani, ushqimi dhe pijet joalkoolike, ndërsa ulje tej shpenzimet për veshmbathje, transport dhe banim.

Gjatë 10 viteve të shkuara, kërcim më i madh i shpenzimeve për jetë është vërejtur në vitin 2011.