Vendet anëtare të Komitetit Ekonomik-Social të Kombeve të Bashkuara (EKOSOK) të martën me aklamacion e zgjodhën Republikën e Maqedonisë së Veriut si anëtare e Komisionit për Zhvillim Social të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për periudhën 2020 – 2024.

Komisioni për zhvillim social është një nga dhjetë komisionet funksionale nga ana e EKOSOK. Si trup këshillëdhënës, është përgjegjës për zbatimin e qëllimeve të zhvillimit social në nivel global dhe është trup kyç i KB-së kompetent për ndjekjen dhe zbatimin e Deklaratës së Kopenhagës dhe programit për aksion. Përbëhet nga 46 anëtarë të zgjedhur në bazë të shpërndarjes së drejtë gjeografike të vendeve anëtare të KB-së.

Siç bëri të ditur MPJ, Maqedonia e Veriut është në mesin e pesë vendeve anëtare nga grupi lindor-evropian, ndërsa për momentin anëtarë të grupit të njëjtë janë edhe Federata Ruse, Ukraina, Rumania dhe Bullgaria.

“Zgjedhja është pranim për arritjet e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar të cilët janë në linjë të qëllimeve nga Kopenhaga, veçanërisht krijimin e kornizës ekonomike, politike, kulturore dhe juridike për arritjen e zhvillimit social të individit, uljen e varfërisë dhe kohezionit social, rritjen e punësimit, integrimin social të bazuar në të drejtat e njeriut, arritjen e barazisë gjinore, si dhe zhvillimin e arsimit dhe mbrojtjes shëndetësore”, qëndron në kumtesën e MPJ-së.

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në këtë Komision do të jetë mundësi për promovim më të gjerë ndërkombëtar të këtyre arritjeve, si dhe për kontribut në përforcimin e përpjekjeve ndërkombëtare për zbatimin e Agjendës 2030 dhe qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm”, shton Ministria e Punëve të Jashtme.