Kërkesa për automjete të reja në Evropë ka shënuar rënie të ndjeshme në gjysmën e parë të vitit, për shkak të pandemisë së Kovid-19, ndërsa me rëniet më të mëdha, pothuajse të dyfishuara në Kroaci, Spanjë dhe Itali, kumtoi Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA).

Kërkesa për automjete të reja ka rënë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nga muaji mars, kur u vendosën masa të rrepta për të shkatërruar koronavirusin e ri. Qytetarët kanë pasur lëvizje të kufizuar, ndërsa shumë kompani, përfshirë këtu edhe sallonet e shitjes së automjeteve kanë qenë të mbyllura.

Rënia më e madhe prej 76,3 për qind u regjistrua në prill, ndërsa në maj kërkesa e zvogëluar për automjete të reja ishte 52,3 për qind.

Sipas të dhënave të ACEA-s, gjithsej 949.722 automjete të reja u regjistruan në qershor në 26 vende anëtare të BE-së (përjashtuar Maltën për të cilën nuk ka informacione në dispozicion), që është 22,3 për qind më pak se i njëjti muaj vitin e kaluar.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, në vendet anëtare të BE-së janë regjistruar 4,28 milion automjete të reja, që është 38,1 për qind më pak në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2019.