Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski për problemin e ueb faqes ka thënë se me siguri bëhet fjalë për tentim të një sulmi nga jashtë dhe se kjo nuk ka shkaktuar asnjë dëm real.

“Nga ajo që jam i informuar është se bëhet fjalë për tentim të një sulmi nga jashtë. Unë nuk jam ekspert i TI-së, as mundem të vërtetoj ose të them diçka, por derisa nuk konfirmohet kjo nuk do të spekuloja me informacione tjera, do të shohim sonte ose ditën e nesërme për çka bëhet fjalë. Pa dallim të kësaj nuk është pamundësuar mbledhja e të dhënave dhe ajo elektronike dhe ne kemi informacione në kohë, do të thoja”, ka thënë sonte në konferencën për shtyp, Derkovski.

Ai ka shtuar se kanë pasur probleme me publikimin publik të të dhënave dhe se tani teknikisht e kanë zhvendosur atë problem, ashtuqë ka mundësi të ndiqni të dhënat këtu në KSHZ, poashtu edhe përmes kanalit Jutjub.

Ueb faqja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në të cilën duhet të publikohen rezultatet e para nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare më shumë se dy orë nuk po funksionon.