Në Gjykatën Administrative deri në orën 10 sot nuk kanë arritur padi nga partitë politike, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve unanimisht i hodhi poshtë të gjitha 2.142 ankesat e tyre për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, informoi për MIA-n kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini.

KSHZ duhet t’ua dorëzojë vendimet partive politike me ç’rast fillon të rrjedhë afati 24 orësh për parashtrimin e padive.

Siç informoi zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani deri në orën 10 vendimet e Komisionit për përjashtimin apo refuzimin e ankesave i kanë marrë vetëm nga përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Pas skadimit të pesë orëve pasi janë dërguar konsiderohet se pranuesit i kanë marrë vendimet. Gjykata Administrative i ka 60 orë pas pranimit të padive të vendosë për to.

“Jemi të gatshëm të pranojmë padi nga përfaqësuesit e autorizuar të listave të kandidatëve për deputetë gjatë ditës së sotme ose nesër, por deri më tani nuk janë parashtruar padi”, tha Sejdini.

Ai thekson se janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe masat që gjykata të funksionojë me të gjithë kapacitetin e saj.

“Është hedhur short në këshillat për vendosje pas zgjedhjeve, kështu që, jemi të bindur që Gjykata Administrative do të arrijë në kohë t’i kryejë detyrat e saj ligjore, e ajo është të sjellë vendime për paditë e parashtruara dhe të kemi rezultate përfundimtare zyrtare pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2020”, tha Sejdini.

E përsëriti se po bëhen përpjekje të organizohet dhe gjykata të veprojë në mënyrë sa më efikase.

Pas vendimit të Gjykatës Administrative dhe marrjes së vendimeve eventuale nga Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e së drejtës së votës, në KSHZ, në përputhje me ligjin, Komisioni do t’i shpallë rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. KSHZ më pas do të lëshojë vërtetime për deputetët e zgjedhur. Afati i fundit për mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit është 4 gushti.

Padi në Gjykatën Administrative paralajmëruan partitë politike VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, E Majta dhe Integra.