Sipas të dhënave dhe hulumtimeve të Observatorit sizmologjik pranë Fakultetit natyror-matematikor të UCM në Shkup, periudha e përsëritje së tërmetit të fuqishëm në rajonin epiqendror të Shkupit, është 500 vite, që tregon se gjatë ndërtimit në këtë qytet duhet të kihen parasysh karakteristikat teknike të truallit, si dhe domosdoshmëria për projekte me dizajn asizmike për intensitet prej IX ballë sipas Shkallës makrosizmike evropiane EMS-1998, përkujton udhëheqësja e këtij Observatori, Dragana Çernih me rastin e përvjetorit të tërmetit katastrofal.

Çernih, në tekstin “57 vite nga tërmeti në Shkup – askush nuk dëshiron katastrofë të këtillë”, përkujton se natyra shpesh është e paparashikueshme dhe mund të shkaktojë katastrofa të përmasave të mëdha, ndërsa tërmeti është dukuri natyrore që nuk mund të parashikohet.

Tërmeti në Shkup është një nga ato katastrofa natyrore, i cili ndodhi në ditë të sotme në vitin 1963, në orën 5:17, me Manjitudë të Rihterit 6.1 dhe intensitet prej IX ballë sipas Shkallës makrosizmike evropiane, ku jetën e humbën 1070 persona, ndërkaq u lënduan 3.300 të tjerë dhe u ndje në tërë Gadishullin ballkanik.

“Territori i shtetit tonë ndodhet në rajon sizmik aktiv, ku në shekullin e fundit tashmë ndodhën disa tërmete katastrofale, siç ishin tërmetet edhe në Pehçevë në vitin 1904 dhe në Vallandovë në vitin 1931”, qëndron në tekstin nga Observatori sizmologjik, i cili është edhe instituti i parë sizmik në vend, i themeluar në vitin 1957 dhe i cili është stacioni i vetëm sizmologjik që ka punuar në kohën e tërmetit katastrofal të Shkupit.

Sot, Observatori sizmologjik pranë Fakultetit natyror-matematikor në Shkup, është institucioni i vetëm në vend i cili ka për detyrë ta mirëmbajë rrjetin sizmologjik të Republikës, të kryejë vëzhgim të vazhdueshëm dhe analizë shkencore të aktivitetit të përgjithshëm sizmik në territorin e Republikës dhe rajonet kufitare.