Agjencia e sigurisë kombëtare nuk bën përgjime të paligjshme. Prokuroria e Shkupit iu përgjigj ministrit të brendshëm Naqe Çulev i cili para dy muajve akuzoi se ASK ose ish DSK-ja ka qasje deri te bisedat që përgjohen. Çulev dërgoi informim me shkrim deri në Prokurori me dyshimin se në shërbimet e sigurisë ka keqpërdorime. Por, pas kontrollit, prokurorët nuk kanë gjetur keqpërdorime të pozitës zyrtare në ASK dhe ATO.

“Nga analiza e informimit me shkrim si dhe nga përgjigjet dhe të dhënat e marra, doli se reforma e sistemit të sigurisë, themelimi dhe funksionimi i Agjencisë operative teknike dhe Agjencisë për siguri kombëtare si dhe mënyra e kryerjes së obligimeve të tyre, janë çështje sistemore dhe nga aspekti juridiko-penal nuk ekziston bazë për veprim”

Ministri i brendshëm teknik, Naqe Çulev, më 28 maj në një konferencë për shtyp akuzoi se Agjencia e re e Sigurisë ende ka qasje në bisedat e përgjuara të regjistruara nga Agjencia Teknike Operative. Çulev pohoi se ASK ose ish DSK-ja e ka luajtur rolin e saj ndërmjetësues dhe monitorimi i komunikimeve në vend që të shkonte direkt në Ministrinë e Brendshme ka kaluar përmes ASK-së. Ministri i brendshëm në fund të majit tha se edhe katër vjet pas raportit të ekspertit Priebe, situata në DSK ose tanimë ASK nuk ka ndryshuar dhe se qasja në bisedat telefonike që janë duke u përpunuar nuk është ndërprerë kurrë.