150 milionë lekë do të jetë shpërblimi që Bashkia e Tiranës do t’i japë klubit të Tiranës pasi u konfirmuan të dielen si kampionë të Shqipërisë.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari Erion Veliaj zbuloi shumën që bashkia e kryeqytetit do të akordojë si shpërblim për 25 herë kampionët e Shqipërisë. Veliaj shtoi se kjo vlera më e madhe financiare që është akorduar nga Bashkia e Tiranës për një trofe të fituar nga klubi bardheblu.

“Ky shpërblim do të shkojë për të gjithë skuadrën, jo vetëm për ata që zbresin në fushë. Pavarësisht se është një ekip kryesor që del në fushë, ky është vendimi i parë me një urim të përzemërt për Tiranën. E di që shumë veta thoshin dje se përse s’ka bërë urim Lali Eri si ca politikanë të tjerë, por politikanët e tjerë ndoshta fjalët i kanë të tepërta. Kur flasim ne të bashkisë, urimet nuk bëhen me duart bosh, por me duart plot, teksa bëmë edhe një analizë me klubin se çfarë do të ishte një shpërblim i arsyeshëm.

Jam jashtëzakonisht i lumtur që kupa e kampionatit, trofeu vazhdon dhe rri në Tiranë pas Partizanit vjet. Kjo është arsyeja pse i kam propozuar Këshillit Bashkiak që ne të japim një shpërblim 150 milionë lekë, që është ndoshta shpërblimi më i madh i dhënë ndonjëherë nga një Bashki për një trofe dhe për ekipin e futbollit ku Bashkia në fjalë është aksionere”, bëri me dije Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.