Grupi dypartiak i senatorëve amerikanë bëri të ditur se do të ndërmarrë aktivitete që ta pengojë presidentin e SHBA-së Donald Tramp që t’i tërheqë ushtarët nga Gjermania.

Gjashtë senatorë, përfshirë edhe republikanët me ndikim Lindzi Graham dhe Marko Rubio, deklaruan se planifikojnë që ta ndryshojnë ligjin për shpenzimet e mbrojtjes, me qëllim që të kufizohet përdorimi i mjeteve për uljen e ushtarëve në Gjermani.

“Në kohën kur SHBA-ja dhe aleatët tanë evropianë duhet të vazhdojnë të veprojnë bashkë që t’i pengojnë ndikimet dashakeqe, në interes tonin kombëtar, si dhe në interes të aleatëve dhe partnerëve tanë, është që ta vazhdojmë praninë tonë në Gjermani”, deklaroi senatori Rubio.

Në ndërkohë, ish kandidati republikan për president i SHBA-së, Mit Romni shkroi në Tuiter se tërheqja do të ishte dhuratë për Moskën.

“Tërheqja e ushtrisë amerikane nga Gjermania do të jetë dhuratë për Rusinë. Kjo është gjëja e fundit që duhet ta bëjmë. Në këtë mënyrë rrezikohet siguria kombëtare amerikane dhe minohet NATO-ja”, shkroi Romni.

Trampi paraprakisht këtë muaj bëri të ditur se SHBA-ja do ta ulë numrin e ushtarëve të shpërndarë në Gjermani deri në 25.000. Ai e akuzoi Berlinin se nuk i plotëson obligimet e tij financiare drejtë NATO-s. Presidenti amerikan theksoi se do të transferojë disa ushtarë nga Gjermania në Poloni.

Ky veprim ishte kritikuar nga ministrat gjermanë, në mesin e të cilëve edhe i ministres së Mbrojtjes, Anegret Kramp – Karenbauer dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Hajko Mas.

Loading...