Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha sot se dëshiron ta vazhdojë punën me SHBA-në, pavarësisht njoftimit të bërë javën e kaluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për ndërprerjen e lidhjeve mes vendit të tij dhe agjencisë shëndetësore të OKB-së.

“Kontributi dhe bujaria e qeverisë dhe popullit amerikan në shëndetin global për shumë dekada kanë qenë masive dhe kanë sjellë përfitime të mëdha për shëndetin publik në mbarë botën”, theksoi Ghebreyesus.

“OBSH dëshiron që ky bashkëpunim të vazhdojë”, shtoi ai.

Në mes të pandemisë së COVID-19, Donald Trump, i cili e kishte pezulluar tashmë kontributin financiar të vendit të tij për OBSH-në, e vuri në fuqi të premten kërcënimin e tij për të ndërprerë lidhjet me agjencinë e OKB-së.

Agjensia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, OBSH është një institucion shumëpalësh i krijuar në vitin 1948.

Me 7 000 punonjës të pranishëm në të gjithë botën, funksionimi dhe misionet e saj varen nga kreditë e dhëna nga shtetet anëtare të saj, si edhe dhurimet e përfituesve privatë.