FRANC KAFKA

Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi pavarësisht nga faji (Kafka)
E gjithë historia ime është histori e mbylljes së syve (Kafka)

Franc Kafka (Franz Kafka) lindi në 3 korrik 1883 në Pragë, në monarkinë austro-
hungareze të atëhershme. Vjen nga një familje çifute e klasës së mesme. Babanë e tij,
Herman Kafkën (Hermann Kafka, 1852-1931) biografi amerikan i Kafkës, profesori i
gjermanishtes dhe i letërsisë krahasuese Stanley Alan Cornogold (1934) e përshkruan si një
biznesmen shtatmadh, egoist dhe kryelartë. Ishte pronar i një tregtize luksoze për gardërobë
meshkujsh dhe femrash. Ishte tip i njeriut tiran. Nëna e Kafkës quhej Julia (Julie Kafka, 1856-
1934). Për dallim nga babai, nëna e Kafkës ishte një grua e urtë dhe e turpshme.
Studiuesit çekë parapëlqejnë të thonë se gjuhë amtare e Kafkës (Frantishek-ut) ka
qenë çekishtja. Në shtëpinë e Kafkës flitej mbase varianti i gjermanishtes, nën ndikimin e
jidishit (jüdisch) që në mënyrë pezhorative quhet Mauscheldeutsch. Duke qenë se gjuha
gjermane konsiderohej mjet kryesor i ngritjes shoqërore, prindërit mbase i nxitën fëmijët që
të flisnin në gjermanishten letrare. Pra, gjuhë amtare e Kafkës ishte gjermanishtja. E fliste
edhe çekishten. E mësoi edhe frëngjishten.
Për studiuesit çekë, Kafka është shkrimtar çek. Për studiues të tjerë ai është
shkrimtar gjerman ngase veprat i shkroi në gjermanisht. Ka të tillë që e marrin për shkrimtar
austriak ngase lindi dhe jetoi në Çekinë që ishte pjesë e monarkisë austro-hungareze.
Në të vërtetë Kafka është hebre me rrënjë ashkenazi, i lindur në Pragë, e që shkroi
kryesisht në gjuhën gjermane.
Prindërit kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Kafka ishte më i madhi prej
tyre. Dy vëllezërit vdiqën sa qenë të vegjël, për të mos thënë foshnja: Georgu 15 muajsh,
ndërsa Hajnrih (Heinrich) 6 muajsh. Motrat quheshin Gabriele, e mbiquajtur Eli (1889-1941),
Valerie, e mbiquajtur Vali (1890-1942) dhe Otilie, e mbiquajtur Otla (1892-1943).
Meqë prindërit ishin të dhënë pas punëve të veta, fëmijët u edukuan prej
guvernantëve (mësues shtëpi) dhe shërbëtorëve. Për shkak të mungesës së prindërve, Kafka
shpeshherë ndjehej i vetmuar.
Që në fëmijëri, Kafka s’e çonte mirë me babanë. Raporti problematik i tij me të atin
dëshmohet nga letra dedikuar atij “Brief an den Vater” që ka mbi 100 faqe. Aty shkruan sesi
qëndrimi autoritar i babait dhe personaliteti dominues i tij është manifestuar, si në jetën e
Kafkës ashtu edhe në shkrimet e tij.
Holokausti dhe tragjedia familjare – Motrat e Kafkës, Valeria dhe Gabriela, bashkë
me familjet e tyre vdiqën ose u vranë nga nazistët në geton Lodz. Motra më e vogël, Otilia
vdiq më 7 tetor 1943 në dhomën e gazit në Aushvic (Auschwitz). Përpos tri motrave të
Kafkës, në kampin nazist Ravensbrück të Gjermanisë, më 17 maj 1944 humbi pa gjurmë
edhe e dashura e tij Milena Jesenska. Në Aushvic të Polonisë, më 26 gusht 1944 u zhduk
edhe Julie Voricek me të cilën, sipas disa biografëve, Kafka ka qenë i fejuar. Në vitin 1944 u
zhduk në Aushvic edhe Margaret (Grete) Bloh me të cilën Kafka paskësh pasur një djalë.
Arsimimi – Në vitet 1889-1893 Kafka ndoqi shkollën fillore gjermane për djelmosha
në Pragë (Deutsche Knabenschule). Ndjekjen e kësaj shkolle ia imponoi babai.
Arsimimi hebraik i tij përfundoi me bar micvin e tij në moshën 13-vjeçare. Kafka nuk
kishte dëshirë të shkonte në sinagogë. Aty shkonte me të atin vetëm gjatë festave, d.m.th.
katër herë në vit.

Në vitin 1893 u regjistrua në gjimnazin klasik gjerman Altstädter Deutsches
Gymnasium. Shkollimi në këtë gjimnaz rigoroz zgjaste tetë vjet. Në vitin 1901 Kafka kreu
maturën. Njëherazi e mësoi mirë edhe gjuhën çeke.
Shkollimin e vazhdoi duke u regjistruar në degën e kimisë në Universitetin “Karl-
Ferdinads” të Pragës. Pas dy javësh, studimet për kimi i ndërpreu dhe iu rrek drejtësisë.
Kafka s’e parapëlqente gjithaq as drejtësinë, por i ati ishte i kënaqur me këtë përcaktim të ri.
Në të njëjtën kohë Kafka ndiqte me përkushtim edhe ligjëratat nga historia e artit dhe nga
letërsia gjermane. U bë anëtar i Klubit për lexim dhe mësim të studentëve gjermanë (Lese
und Redehalle der Deutschen Studenten). Në klub organizoheshin ngjarje letrare të
ndryshme. Aty u njoh me shumë intelektualë të kohës: me gazetarinë i cili studionte
filozofinë, Feliks Velç (Felix Weltsch), me artistin Jixak Lou (Yitzchak Lowy), i cili vinte nga një
familje hasidiste e Varshavës, me shkrimtarët Oskar Baum dhe me romancierin e poetin e
mëvonshëm austriak-Bohemi, Franc Verfel (Franz Werfel, 1890-1945).
Kafka e mbante në vete urrejtjen ndaj institucioneve autoritative dhe programeve
mësimore që dehumanizonin individin. Kur ishte adoleshent deklaroi se është socialist dhe
ateist. Ishte lexues i pasionuar. Duke qenë nxënës dhe student i dalluar, mësuesit dhe
profesorët e donin. Lexoi në origjinal, në greqishten e vjetër, dialogun “Protagora” të
filozofit antik grek Platonit (427-347 para K.), ndërsa veprat e romancierit francez Gystav
Flober (Gustav Flaubert, 1821-1880) i lexoi në frëngjisht. Adhuronte romancierin dhe
novelistin rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (Fedor Mihajloviç Dostoevskij, 1821-1881),
dramaturgun dhe tregimtarin austriak Franc Grilparcer (Franz Grillparzer, 1791-1872) dhe
dramaturgun e tregimtarin gjerman Hajnrih fon Klajst (Henrich von Kleist, 1777-1811) të
cilin e kishte model letrar. Tregonte interesim edhe për veprat e Johan Volfrang Gëtes
(Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832). I lexonte edhe shkrimtarët çekë. Lexonte mjaft edhe
për prejardhjen e vet hebraike por edhe për çështjen çifute.
Më 8 korrik 1906 Kafka mori titullin e doktorit të shkencave juridike.
Shënim: Protagora (rreth 481-411 para K.) është filozof antik grek, sofist (mësues i
virtyteve).

* * *

Para mbarimit të vitit të parë, Kafka u njoh me çifutin çek Maks Brod (Max Brod,
1884-1968) i cili përkiste enklavës kulturore hebraike-gjermane të Pragës që ishte themeluar
në vitin 1900. Si i ri, Brodi ishte nën ndikimin e nihilizmit të filozofit dhe eseistit gjerman
Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860). Në moshë të pjekur përqafoi
sionizmin dhe mori pjesë vepruese në krijimin e shtetit hebraik. Ai e kishte hetuar se Kafka
është njeri tejet i zgjuar. Pas këtij të riu të përmbajtur fshihej njeriu mendjemprehtë.
Miqësia midis Kafkës dhe Brodit u bë e përjetshme. Poezitë, tregimet, dramat dhe esetë e
veta Brodi i shkroi në gjuhën gjermane. Vdiq në Tel Aviv.
* * *

Punësimi – Në vitin 1907 Kafka punoi pa pagesë si praktikant në gjykatën civile dhe
penale. Më 1 nëntor 1907 u punësua në kompaninë italiane të sigurimeve “Assicurazioni
Generali”. Punonte prej orës 8.00 derë në orën 18.00. Pas një viti e la punën ngase orari i
punës nuk i përgjigjej. Nga letrat e tij shihet se ka qenë i pakënaqur me punën për shkak të
gjatësisë së orarit të punës. Për shkak të orarit të gjatë nuk i mbetej kohë që t’u

përkushtohej shkrimeve. Në këtë periudhë mund të shkruante vetëm natën, gjë që e lodhte
për së tepërmi. Më 15 korrik 1908 dha dorëheqje. Pas dy javësh u punësua në Institutin për
Sigurimin e Punëtorëve nga Lëndimet të Mbretërisë së Çekisë. Këtu punonte në kërkimin dhe
vlerësimin e kompensimeve të punëtorëve të lënduar të industrisë. Profesori austriak i
menaxhmentit Peter Ferdinand Drucker (1909-2005) e kreditoi Kafkën si krijues të helmetës
së parë civile për mbrojtje. (Kjo e dhënë nuk është dokumentuar). Kafka shumë shpejt
përparoi në punë. Tani punonte në procedimin dhe në hulumtimin e kërkesave për
kompensim, hartonte raporte dhe merrej me zgjidhjen e apeleve të biznesmenëve të
ndryshëm të cilët ankoheshin se kompanitë e tyre janë vënë në kategorinë e rrezikut të
madh për shkak të rritjes së premive të sigurimit. Gjatë punës disavjeçare në kompani
hartonte edhe raportin vjetor të sigurimit. Orari i punës i përfundonte në orën 14.00. I
mbetej kohë edhe për të shkruar, punë së cilës i ishte përkushtuar. Më vonë, sëmundja e
pengonte për të shkuar në punë, por edhe për të shkruar.
Pas shumë vitesh, Maks Brodi, për ta bashkuar grupin e shkrimtarëve ku bënin pjesë
Kafka, Feliks Velç (Felix Weltsch, Pragë, 1884 – Jerusalem, 1964) dhe vetë ai, krijoi termin
Der enge Prager Kreis (Qerthulli i ngushtë i Pragës). Që të tre të këtij grupi ishin çifutë. Feliks
Velç më vonë u bë filozof, autor, publicist, gazetar.
* * *

Nga fundi i vitit 1911, Kafka dhe Karl Herman, burri i së motrës Eli, bëhen partnerë
në të parën fabrikë të asbestit në Pragë, të njohur si Prager Asbestwerke Hermann & Co, të
çelur me paratë që ia kishte dhënë së bijës Herman Kafka. Në fillim Kafka ishte entuziast, por
më vonë nuk e pa me sy të mirë uzinën ngase nuk i mbetej kohë për të shkruar.

* * *

Judaizmi dhe sionizmi – Përkundër maturisë së Brodit, në këtë periudhë Kafka tregoi
interesim për teatrin hebraik. Në tetor të vitit 1911 mori pjesë në shfaqjen e teatrit. Në
gjashtë muajt e ardhshëm u mor në mënyrë intensive me jidishin dhe me letërsinë hebraike.
Lidhja e tij me hebraizmin sa vente rritej. Në këtë periudhë u bë edhe vegjetarian.
Shënim: Jidish (jüdisch) është përzierje e gjuhës gjermane të epërme me elementet
gjuhësore të gjuhës semite, romane dhe sllave. Kjo gjuhë shkruhet hebraisht dhe flitet në
disa shtete. Ekziston edhe letërsi në këtë gjuhë.
Kafka ishte çifut i cili fliste gjermanisht në qytetin e Pragës ku mbizotëronte gjuha
çeke. Ishte i fascinuar me çifutët e Evropës Lindore. Thoshte se ata bëjnë një jetë
shpirtërore dinamike që u mungon çifutëve në Perëndim. Ditari i tij është përplot referenca
për shkrimtarët çifutë. Megjithëkëtë, shpesh ka qenë i shkëputur, si nga çifutët ashtu edhe
nga judaizmi. Kafka kishte një konflikt intern me hebraizmin e vet. Në ditarët e tij shkruan:
“Ç’kam unë të përbashkët me hebrenjtë? Mezi kam diçka të përbashkët vetveten. S’më
duhet tjetër, pos të ri në një skutë, i lumtur që mund të marr frymë”. Si vogël, në sinagogë
shkonte me babanë katër herë në vit.
Xhejms Heus (James Hawes) thotë: “Kafka, edhe sikur të ketë qenë shumë i
vetëdijshëm për çifutizmin e vet, këto elemente nuk i ka inkorporuar në veprat e veta. Nuk
kemi personazhe, skena dhe tema çifutësh”. Kritiku letrar amerikan Herold Blum (Harold
Bloom, 1930-2019) thotë: “Kafka, edhe pse çifutizmin e vet e kishte të huaj, në thelb ishte
shkrimtar çifut”. Lotar Kan (Lothar Kahn, 1922) është po aq i qartë: “Prania e çifutizmit në
veprën e Kafkës tani është e padyshimtë”. Linguisti çeko-gjerman, përkthyes i parë i veprave
të Kafkës, Pavel Ajsner (Pavel Eisner, 1889-1958) “Procesin” e interpreton si personifikim “të

dimensionit të trefishtë të jetës së çifutëve në Pragë. Protagonisti i tij Jozef K. burgoset
(simbolikisht) nga gjermani (Rabensteiner), nga çeku (Kullich) dhe nga çifuti (Kaminer). Ai
është fajtori që s’ka bërë kurrfarë faji, e kjo e përshkon çifutin e botën bashkëkohore,
ndonëse nuk ka prova se edhe vetë ai është çifut”.
Shkrimtari dhe kritiku letrar izraelit Dan Miron (1934) në esenë e vet “Pikëllim në
Palestinë?!” hulumton qëndrimin e Kafkës ndaj sionizmit: “Si ata që thonë se midis Kafkës
dhe sionizmit ekziston një lidhje dhe se sionizmi ka luajtur rol qendror në jetën dhe veprën e
tij, ashtu edhe këta që e mohojnë tërësisht një lidhje të tillë, e kanë gabim. E vërteta ndodhet
diku në mes të këtyre dy poleve”. Kafka kishte ndërmend, së pari me Felise Bauerin, e pastaj
me Dora Diamantin, të shpërngulet në Palestinë. Kur ishte në Berlin, mësoi hebraishten,
duke e angazhuar mikun e Brodit nga Palestina, Pua Bat-Tovim. Në Fakultetin e Studimeve
Hebraike në Berlin ndiqte ligjëratat e rabinit Julius Gutman (Julius Guttmann, 1880-1950).
Studiuesja çifute-çeke Livia Rotkirhen (Livia Rothkirchen, 1922-2013) e quan Kafkën
“figurë simbolike të kohës së vet”. Bashkëkohës të tij ishin shumë shkrimtarë çifutë
(gjermanë, çekë dhe çifutë etnikë) të cilët ishin të ndjeshëm ndaj kulturës gjermane,
austriake, çeke dhe çifute. Sipas Rotkirhenit, “kjo situatë u ka dhënë veprave të tyre një
pamje kozmopolite të gjerë si dhe cilësinë e ekzaltimit që kufizohet me kontemplacionin
metafizik transcendental. Shembull më i mirë është Franc Kafka”.

* * *

Në vitin 1915 Kafka mori thirrje për shërbim ushtarak për të marrë pjesë në Luftën e
Parë Botërore. Ndërhynë punëdhënësit e tij me arsyetimin se puna e tij kishte rëndësi
thelbësore për shtetin. Më vonë vetë Kafka tentoi të shkonte ushtar por kjo nuk u realizua për
shkak të problemeve shëndetësore që ndërlidheshin me tuberkulozin.

* * *

Në kohën e lirë Kafka filloi të shkruajë tregime të shkurtra. Ankohej se nuk kishte
kohë të mjaftueshme për t’iu përkushtuar asaj që e konsideronte vokacion të tij të vërtetë.
Një pjesë të madhe të kohës detyrohej ta kalonte në Brotberuf-in e vet (në punën nga e cila
e siguronte bukën). Meqë s’kishte kohë të lirë, parapëlqente komunikimin nëpërmjet
letrave. La pas vetes qindra letra midis të cilave edhe ato që ia shkroi babait, të fejuarës
Felise Bauer dhe motrës së vogël Otla.
Jeta personale – Kafka ishte i disiplinuar. Në intervalin kohor 8.30 – 14.30 punonte në
vendin e punës. Në orën 15.30 drekonte. Deri në orën 19.30 bënte gjumë. Pas kësaj bënte
ushtrime trupore dhe darkonte me prindërit, derisa ishin bashkë. rreth orës 23.00 fillonte të
shkruajë. Shkruante deri në orën një, dy ose tre. Ndonjëherë edhe deri në orën gjashtë të
mëngjesit.
Kafka kishte frikë se mos njerëzit, në aspektin fizik dhe psikik, do ta konsiderojnë
jotërheqës. Por, ata që e kanë njohur kanë parë se ai është njeri i matur, me inteligjencë të
theksuar e që ka kuptim për humor. E konsideronin të pashëm, por me pamje të ashpër.
Brodi e krahasonte me Hajnrih fon Klajstin, duke shtuar se që të dy shkrimtarët kanë
aftësinë e përshkrimit të qartë dhe realist të situatës, deri në hollësi. Brodi dëshmon se
Kafka kënaqej duke bërë mahi dhe duke u argëtuar me miqtë, duke u dhënë në rastet
problematike edhe këshilla të mira. Kafka ishte recitues i pasionuar. Veti më të rëndësishme
të Kafkës ishin të qenët absolutisht i drejtë dhe të qenët i ndërgjegjshëm me përpikëri.
Ndonëse kurrë nuk u martua, institucionin e martesës e çmonte. Kur ishte fëmijë nuk merrej
me ushtrime fizike. Më vonë tregon interesim për lojëra dhe për aktivitet fizik, duke u bërë
çiklist i mirë, notues dhe zhytës. Në ditët e fundjavës u propozonte shokëve të dalin të

shëtisin. Interesohej për mjekësinë alternative, për sistemin arsimor të ri siç ishte metoda
Montesori. Fliste për risitë teknike siç ishin aeroplanët dhe filmi. Zhurma i pengonte ndaj
kur shkruante, donte qetësi.
Shënim: Maria Montesor (Maria Montessor, 1870-1952) i paraqiti arsimit italian një
metodë të re arsimimi, të njohur si metoda e Montesorit, në një kohë kur sistemi shkollor në
Itali ishte tjetërsuar nga jeta shoqërore bashkëkohore.
* * *

Lidhjet intime – Sipas Maks Brodit, Kafkën vazhdimisht e mundonte epshi seksual,
shpesh i vizitonte bordelet, tregonte interesim edhe për pornografi. Gjatë jetës ka pasur
marrëdhënie intime me shumë femra. Berlini ka luajtur rol të madh në jetën private të
Kafkës. Nga Berlini janë edhe Felise Bauer edhe Margaret Bloh. Një kohë të shkurtër jetoi në
Berlin edhe kur ishte në lidhje me Dora Diamant. Më 13 tetor 1912, në banesën e Maks
Brodit në Berlin Kafka njoftohet me Felise Bauer (Felice Bauer, Prudnik, Poloni 1887 – Nju-
Jork, 1960) e cila punonte në Berlin si përfaqësuese e një kompanie diskografike. Ishte fise e
Brodit. Nga ditari i Kafkës shihet se ai kishte mendim të lartë për të. Lidhja intime e tyre që
zgjati deri në vitin 1917 kishte të bënte kryesisht me këmbim letrash. Herë pas here
shiheshin dhe dy herë u fejuan. Që të dyja herët, fejesat i prishi Kafka. Fejesën e dytë e prishi
në vitin 1917 kur u sëmurë nga tuberkulozi. Letrat e Kafkës dërguar asaj u botuan në formë
përmbledhjeje me titullin “Letra Felises” (Briefe an Felice, 1967; përkthimi në anglisht:
Letters to Felice). Letrat që ajo ia dërgoi Kafkës humbën pa gjurmë.
Biografi gjerman i Kafkës Rajner Stah (Reiner Stach, 1951) dhe biografi britanik i tij,
prozatori Xhejms Heus (James Hawes, 1960) thonë se rreth vitit 1920 Kafka është fejuar për
së treti. Tani me Julie Voricek (Julie Wohryzek, 1891-1944), një vajzë e varfër dhe e
paarsimuar e cila punonte në mirëmbajtjen e dhomave të hotelit. Julie Voricek u zhduk në
Aushvic më 26 gusht 1944.
Stahu dhe Brodi po ashtu thonë se Kafka, derisa ishte në lidhje me Felisen, kishte një
aferë me shoqen e saj Margaret (Grete) Bloh (Margarethe Bloch, 1892-1944), çifute nga
Berlini e cila u zhduk në Aushvic. Brodi pohon se nga lidhja e tyre ka lindur një djalë. Sipas
Brodit, për lindjen e fëmijës Kafka s’ka ditur gjë. Fëmija paska lindur në vitin 1914 ose 1915
dhe paska vdekur në Munih në vitin 1921. Biografi i Kafkës, studiues i gjuhës dhe i letërsisë
gjermane, Prof. Peter-Andre Alt (1960) pohon se Grete vërtet ka pasur një djalë por jo me
Kafkën, sepse këta dy kurrë s’kanë qenë në lidhje intime. Biografi Stah thotë se Kafka nuk ka
pasur fëmijë.
Në tetor të vitit 1917 Kafkës u diagnostifikua nga tuberkulozi. Pas kësaj qëndroi disa
muaj në fshatin Zurau ku e motra Otla punonte në fermë me burrin e motrës, Hermanin.
Qëndrimin në fshat Kafka e përshkroi si periudhën më të mirë të jetës së vet. Këtu s’kishte
kurrfarë detyrimesh. Shkruante ditarë dhe oktava. Prej këtyre shënimeve Kafka nxori 109
copa të numërtuara teksti në Zettel, copë letre pa ndonjë farë renditjeje. Ato u botuan si
përmbledhje me titullin “Përsiatje për mëkatin, shpresën, vuajtjen dhe rrugën e drejtë” (Die
Zürauer Aphorismen oder Betrachtungen über Sünde, Hoffnung, leid und wahren Weg).
Në vitin 1920 e nisi një lidhje dashurie me gazetaren dhe shkrimtaren çeke Milena
Jesenska (1896-1944). Ajo vinte nga një familje aristokrate çeke. Ka biografë që thonë se
Milena ka qenë e vetmja femër të cilën e ka dashur Kafka. Midis tyre ka pasur letërkëmbim.
Letrat e Kafkës dërguar Milenës u botuan pos mortem me titullin “Letra Milenës” (Briefe an
Milena, 1952). Është një dokument tronditës për përjetimet shpirtërore të Kafkës gjatë

lidhjes me Milenën në vitet 1920-1923. Të gjithë ditarët e vet Kafka ia la me testament
Milenës.
Shënim: Në vitin 1936 Milena Jesenska u bë anëtare e Partisë Komuniste të
Çekosllovakisë. Në vitin 1939 u arrestua nga forcat naziste gjermane. Vdiq më 17 maj 1944
në kampin e përqendrimit në Ravensbrück të Gjermanisë. Biografja e saj, gazetarja dhe
shkrimtarja Alena Vagner (Alena Wagner Jezhkova, 1966) thotë: “Milena Jesenska ka qenë
një personalitet i shquar i jetës kulturore, politike, shoqërore dhe ideologjike të Çekisë. Duke
qenë se ka pasur një jetë dinamike, ajo meriton të lirohet nga hija e Kafkës. Kafka s’ka qenë
veçse një episod në jetën e saj, s’ka qenë veçse fusnotë e jetës së saj”.

* * *

Në korrik të vitit 1923 Kafka shkoi për të pushuar në pushimoren Graal-Müritz të
detit Baltik. Atje u njoh me Dora Diamant (1898-1952). Emri i saj figuron edhe si Dworja
Diament, Diamont, në hebraisht Dora Dymant. Ishte një edukatore 25-vjeçare që vinte nga
një familjeje çifute ortodokse, e lindur në Pabianice të Polonisë. Në Berlin e ndërroi
mbiemrin në Diamant.
Për t’iu kushtuar shkrimeve, në vitin 1923 Kafka u shpërngul për pak kohë në Berlin
ku jetoi me Dorën. Ajo i zgjoi Kafkës interesimin për Talmudin. Në këtë periudhë Kafka
punonte në katër tregime të cilat duhej të botoheshin me titullin “Artisti në uri” (Ein
Hungerkünstler, 1924). Për vitet e fundit të Kafkës dhe për lidhjen midis shkrimtarit 40-
vjeçar dhe Dorës 25-vjeçe që zgjati rreth një vit flet shkrimtari gjerman Mihael Kumpfmyler
(Michael Kumpfmüller, 1961) në librin e tij “The Glory of Life” (2011). Në vitin 1930 Dora u
bë anëtare Partisë Komuniste Gjermane. Vdiq në Londër në moshën 54-vjeçare, 28 pas
Kafkës.
Shënim: Talmud, në hebraisht – mësim. Është një nga librat e shenjtë hebraikë.
Përbëhet nga Mishna (shkencë gojore për jetën e përditshme) dhe nga Gemara (komente të
mësuara). Përfundimisht është redaktuar në shekullin VI. Është libri më pak i përkthyer nga
të gjithë librat e shenjtë hebraikë. Ka qenë halë në sy sidomos të autoriteteve kishtare
krishtere. Paraqet bazë e mënyrës së jetesës të bashkësisë hebraike. Në Talmud ndodhen
rregullat e mbjelljes, ligjet për festat, për martesën, e drejta private dhe penale, rregullat për
higjienën personale etj. Talmudi ka një rëndësi tejet të madhe për studimin e historisë dhe të
kulturës së hebrenjve. Stili i Talmudit nuk është unik, por ndryshon prej atij të aforizmave
deri në shprehjen e formulave.

* * *

Qëndrimet politike – Studiuesit janë marrë edhe me qëndrimet politike të Kafkës.
Kolegu i tij shkollës, çifut çek, më vonë filozof në Izrael, Hugo Bergman (Hugo Bergmann,
1883-1975) thotë: “Kafka, për ta manifestuar simpatinë e vet ndaj socializmit, ka mbajtur në
shkollë karafil të kuq”. Para se të fillonte Lufta e Parë Botërore Kafka ka marrë pjesë në disa
mbledhje të Klubit Mladych, të organizatës anarkiste, antimilitariste dhe antiklerikale çeke.
Hugo Bergmani që ndiqte të njëjtën shkollë fillore dhe të mesme sikurse Kafka, u nda prej
tij në vitin e fundit akademik 1900/1901. Bergman thotë: “Socializmi i Kafkës dhe sionizmi
im ishin tepër stridentë. Kafka u bë socialist, ndërsa unë, më 1898 u bëra sionist. Atëherë
ende nuk ekzistonte një sintezë e sionizmit dhe e socializmit”. Në një shënim të ditarit Kafka
përmend filozofin rus, anarkistin Peter Kropotkin (Pyotr A. Kropotkin, 1842-1921) dhe
thotë: “Mos e harro Kropotkinin”. Më vonë, për anarkistët çekë thotë: “Të gjithë ata, pa
kurrfarë mirënjohje, kanë dashur ta kuptojnë fatin njerëzor. I kuptoj fort mirë, por nuk mund
të bëjë për ta diç më shumë se kaq.”

Gjatë periudhës së komunizmit krijimtaria letrare e Kafkës, për vendet socialiste të
bllokut lindor ka qenë temë e nxehtë. Disa studiues thoshin se Kafka e ka satirizuar
burokracinë e Austro-Hungarisë që ishte në shpërbërje e sipër, ndërkaq studiues të tjerë
thoshin se Kafka e ka personifikuar ngritjen e socializmit.
Kafka shkruan: “Njeriu nuk mund të jetojë pa besuar gjithmonë se në vete mban
diçka që nuk zhduket kurrë, por edhe ajo që nuk zhduket kurrë dhe besimi në të, mund të
jenë gjithmonë të fshehur.”

* * *

Sëmundjet – Profesori i psikologjisë në Universitetin Oviedo të Spanjës Marino
Perez-Alvarez thotë: “Është e mundur që Kafka të ketë lënguar nga çrregullimi skizoid i
personalitetit. Stili i tij, jo vetëm te “Metamorfoza” por edhe te veprat e tjera, përmban disa
karakteristika skizoide të cilat japin sqarime për një pjesë të madhe të befasive në veprat e tij.
Vuajtja e tij vërehet në ato që ka shkruar në ditar më 21 qershor 1913”. 
Përpos nga një formë e anoreksisë atipike, studiuesit thonë se gjatë tërë jetës Kafka
ka vuajtur edhe nga sëmundje mendore të ndryshme, nga depresioni klinik dhe frika nga
shoqëria. Lëngonte edhe nga migrena. Shpesh vuante nga insomnia dhe nga sëmundje të
tjera të lidhura ngushtësisht me stresin dhe nervat e ndjeshme.
Edhe pse Kafka ka pasur lidhje me disa femra, autorë të caktuar kanë spekuluar
lidhur me seksualitetin e tij. Të tjerë kanë thënë se ka pasur çrregullime në të ushqyerit.
Psikiatri gjerman, Prof. Dr. Manfred M. Fihter (Manfred Maximilian Fichter, 1944) i Klinikës
psikiatrike të Universitetit të Munihut, në punimin e tij “The anorexia nervosa of Franz
Kafka” (Franz Kafka’s anorexia nervosa) të botuar në maj të viti 1988 paraqet prova për
hipotezën se Kafka ka lënguar nga një formë e “anoreksia nervosa”.
Duke analizuar letrat e Kafkës është konstatuar pasiguria e tij dominuese e përcjellë
nga komplekset psikanalitike. Në librin “Notesi i kaltër” vërehet se kemi të bëjmë me njeriun
të pushtuar nga një segment spiritual. Historiani amerikan i kulturës dhe i letërsisë, Sander
L. Gilman (1944) në librin “Franz Kafka, the Jewish Patient” (1995) hulumton përse një çifut
të konsiderohet hipohondër ose homoseksual. Në ç’mënyrë Kafka format e tilla të
karakterizimit të mashkullit çifut i inkorporon në figurën dhe në veprën e vet. Nga fundi i
vitit 1912 Kafka ka menduar për suisid (vetëvrasje), të paktën një herë. Në vitet e
mëvonshme Kafka u deklarua ateist.
Kafka shkruan: “Është një botë e tërë që e mbaj në kokë. Si ta çliroj veten dhe ata, pa
i shqyer. Një mijë herë më me dëshirë qaj në vete. Prandaj ndodhem këtu, e kam më se të
qartë.”

* * *

Ditët e fundit të jetës – Në mars të viti 1924, duke qenë se tuberkulozi në laring (fyt)
iu përkeqësua, Kafka u detyrua që nga Berlini të kthehet në Pragë. Për të u kujdesën
anëtarët e familjes, sidomos motra Otla. Më 10 prill 1924 e dërguan në “Dr. Hoffmann’s
Sanatorium” në Kierling të Klosterneuburg afër Vjenës. Pranë tij ndodhej edhe profesori me
prejardhje hungareze, Dr. Robert Klopstock (1899 – Nju-Jork 1972). Vdiq më 3 qershor 1924.
Shkak i vdekjes mund të ketë qenë uria, për arsye se nga dhimbja në fyt nuk ka mundur të
hajë. Mihael Kumpfmylerit thotë Kafka vdes në prehrin e Dora Diamantit. U varros pas tetë
ditëve, në pasditen e 11 qershorit të viti 1924 në Varrezat e reja çifute në lagjen Zhizhkov të
Pragës. Në varrim morën pjesë rreth 100 vetë. Midis tyre nëna, babai, motrat me familjet e
tyre, Dora Diamant, Maks Brodi, Dr. Robert Klopstocku.

Në pllakën e varrit që ia ngriti i ati, shkruan: “Dr. Franz Kafka, 1883-1924”. Në pllakë
janë gdhendur edhe emrat e motrave – Valerie, Gabriele dhe Otilie të cilat, bashkë me
familjet e tyre u zhdukën në kampet naziste. Në të njëjtën pllakë mermeri është skalitur
edhe emri i Maks Brodit. Pas shtatë vjetësh vdes babai i Kafkës, ndërsa pas dhjetë vjetësh
edhe e ëma.

* * *

VEPRA – Të gjitha veprat e Kafkës, me përjashtim të disa letrave për Milena
Jesenskën, janë shkruar në gjuhën gjermane. Ato pak shkrime që iu botuan në të gjallë të
autorit nuk ngjallën ndonjë interesim të madh. Pothuajse 90 për qind të shkrimeve të veta i
dogji, sidomos kur jetonte në Berlin. Kafka ishte mjaft i frytshëm në të shkruarit e novelave
dhe të tregimeve të shkurtra. Në vitin 1912 shkroi tregimin “Metamorfoza” (Die
Verwandlung) që u botua në vitin 1915 në Lajpcig. Bëhet fjalë për një rrëfim të
pazakonshëm, pothuajse surreal i cili pa dyshim është një nga shembujt më të mirë dhe më
reprezentues të realizmit magjik të Kafkës. Rrëfimi fillon in medias res, me fjalinë e parë
kult “Kur një mëngjes Gregor Samsa u zgjua nga ëndrrat shqetësuese e gjeti veten në krevat
të shndërruar në një kandër të madhe” (gjermanisht: ungeheuren Ungeziefer) që tekstualisht
mund të përkthehet si përbindësh monstruoz. Fjala Ungeziefer nënkupton kryesisht kafshët
e ndotura e të padëshiruara. Bumballa në të cilën u shndërrua Gregor Samsa ishte pikërisht
kjo. Në vijim tregimi e përcjell jetën apo gjallimin dhe shkatërrimin e bumballës Gregor
Samsa dhe alienimin (tjetërsimin) gradual të tij, së pari nga bota përreth, e pastaj edhe nga
familja dhe vetvetja. Këtë vepër me shumë me simbolikë dhe metafora, kritikët e
konsiderojnë si njërën nga veprat bazike të shekullit XX.
Tregimi “Në koloninë ndëshkuese” (In der Strafkolonie, 1919) që bën fjalë për pajisjen
e krijuar për torturim dhe likuidim u shkrua në tetor të vitit 1914. U revidua më 1918 për t’u
botuar në Lajpcig më 1919. Në tregimin “Artisti në uri” (Ein Hungerkünstler, 1924) të botuar
në revistën “Die neue Rundschau në vitin 1924, flitet për personazhin kryesor, viktimë i cili
vëren mosinteresimin e të tjerëve për vetinë e tij të çuditshme për të qëndruar pa ngrënë
brenda një periudhe të caktuar. Tregimi i tij fundit “Këngëtarja Jozefinë, ose vegjëlia e
minjve” po ashtu merret me raportin midis artistit dhe publikut të tij.
Kafka është autor i tre romaneve: “Procesi” (Der Prozeß, 1914-1915, botuar më
1925), “Kështjella” (Das Schloß, 1922, botuar më 1926) dhe “Amerika” (titulli burimor: Der
Verschollene – Njeriu të cilit i humbi çdo gjurmë, 1912-1914, botuar më 1927). Kafka s’e
përfundoi asnjërin prej romaneve të tij. E dogji pothuajse 90 për qind të opusit të vet.
Romanin e parë nisi ta shkruajë në vitin 1912. Kapitulli i parë i tij sot njihet si një tregim i
shkurtër me titullin “Ndezësi”. Këtë vepër që mbeti e papërfunduar Kafka e quajti “Der
Verschollene”, por kur Brodi e botoi post hum, e zgjodhi titullin “Amerika”. Ndonëse me më
shumë humor dhe më realiste se veprat e tjera të Kafkës, ky roman që flet për bredhjet e
emigrantit evropian Karl Rosmanit (Karl Roßmann) nëpër Amerikë, i përmban të njëjtat
motive të sistemit opresiv dhe të paprekshëm që e vë protagonistin në situata të ndryshme
bizare. Romani inkorporon shumë detaje nga përvojat e të afërmve të Kafkës të emigruar në
Amerikë dhe mbetet e vetmja vepër për të cilën Kafka nuk ka zgjedhur përfundim optimist.
Në vitin 1914 Kafka e filloi punën në romanin “Procesi”, që pa dyshim është vepra
më me ndikim i tij. Konsiderohet kryevepër e letërsisë botërore. Bën fjalë për nëpunësin

bankar Jozef K. i cili një mëngjes arrestohet dhe akuzohet nga një pushtet i largët dhe i
panjohur, për krimin për të cilin nuk dinë gjë as ai, e as lexuesit. Jozef K. ballafaqohet me një
sërë situatash bizare dhe të paqarta, lufton kundër një burokracie kryekëput të
dehumanizuar dhe merr ndihmë nga një sërë personazhesh groteske që në thelb janë
tërësisht të padobishëm (me përjashtim të kapelanit misterioz të burgut), deri në fund, kur e
realizon forcën e këtij mekanizmi burokratik, të cilit më në fund i dorëzohet. Megjithëkëtë,
për dallim nga “Amerika”, drita e dritares në fund të veprës lë një shpresë, që është një prej
motiveve kryesore të veprave të Kafkës. Por, përkundër faktit se Kafka e ka shkruar
kapitullin e fundit, romani ka mbetur i papërfunduar. Botimet më të reja të romanit i
përmbajnë edhe kapitujt e papërfunduar apo të papërputhur, edhe pse janë të ndarë nga
pjesa kryesore e veprës. Sipas ditarit të vet, deri në 11 qershor 1914 Kafka e kishte
planifikuar romanin “Kështjella” por filloi ta shkruante më 27 janar 1922.

* * *

Në romanet dhe në tregimet e Kafkës është paraqitur përditshmëria e hirtë në
formën e një realiteti alogjik të përshkuar nga një ankth i përhershëm. Personazhet e Kafkës
përndiqen nga ndjenja e fajit. Shpeshherë ndodhen në huti dhe janë të çorientuar. Realiteti i
tyre është shumë më afër ëndrrës se reales. Pasqyrimi i individit i cili ndjehet i pafuqishëm
përballë forcave të aparatit burokratik bëri që proza e Kafkës, që nga Lufta e Dytë Botërore
e deri më sot, të përhapet me të madhe dhe të ushtrojë ndikim të madh.
Sa qe gjallë, Kafka botoi pak dhe ato botime nuk ngjallën interesim të madh. Në të
gjallë pra ishte anonim. Njihej vetëm nga një rreth i ngushtë lexuesish ku bënin pjesë:
tregimtari dhe romancieri më i rëndësishëm i letërsisë më të re gjermane dhe eseisti Tomas
Man (Thomas Mann, 1875-1955), liriku dhe tregimtari zviceran (i shprehjes gjuhësore
gjermane) Herman Hese (Hermann Hesse, 1877-1962), tregimtari gjerman me prejardhje
hebraike Alfred Dëblin (Alfred Döblin, 1878-1957, pseudonim i Linke Poot), poeti gjerman
Rainer Maria Rilke (Rainer Maria Rilke, 1875-1926), tregimtari, eseisti dhe dramaturgu
austriak Robert Muzil (Robert Musil, 1880-1942), shkrimtari gjerman Kurt Tuholski (Kurt
Tucholsky, 1890-1935) etj.
Sapo përfundoi Lufta e Dytë Botërore u bë i famshëm saqë u shndërruar në mit.
Veprat e tij nga ShBA u përhapën në Gjermani ku u pranuan njësoj si ato të Tomas Manit
dhe të lirikut, tregimtarit, teoricienit të dramës dhe të teatrit socialist modern Bertolt Breht
(Bertolt Brecht, 1898-1956).

* * *

Veprën e vet, si atë të botuar ashtu edhe atë të pabotuar, ia la mikut më të mirë të
tij Maks Brodit, me instruksione të qarta që ky, pas vdekjes së shkrimtarit, t’i asgjësonte.
Kafka i shkruan: “Shumë i dashuri Maks, kërkesa ime e fundit: Çdo gjë që la pas vetes… në
formë të ditarëve, të dorëshkrimeve, të letrave (të miat dhe të të tjerëve), të skicave e kështu
me radhë, të mos lexohen dhe të digjen”. Brodi vendosi ta injorojë këtë kërkesë dhe në
periudhën e viteve 1925-1935 romanet dhe tregimet e Kafkës i botoi. Në vitin 1939 Brodi iku
nga nazistët për në Palestinë. Shumë letra të pabotuara, të futura në një sënduk, i mori me
vete. Dashuria e fundit e Kafkës, Dora Diamant (më vonë Dyamant-Lask), po ashtu i injoroi
dëshirat e Kafkës për t’ia djegur shkrimet që i posedonte ajo. I ruajti fshehurazi 20 notesë

dhe 35 letra. Në vitin 1933 ato ia konfiskoi Gestapoja, por biografët sot e kësaj dite i
kërkojnë.

* * *

Kafka është personaliteti letrar më misterioz i shekullit XX. Edhe pse opusi letrar i tij
është modest, literatura kritike dhe publicistike për të është tejet e madhe. Si rrjedhojë,
kemi një liri interpretimesh nga më të ndryshmet të veprës së tij. Karakteri disi legjendar i
veprës së tij ndërlidhet edhe me fatin e pazakonshëm të teksteve, me porosinë që ia la
Brodit për t’i asgjësuar ato. Derisa ishte gjallë, iu botuan vetëm disa përmbledhje tregimesh
dhe skicash, si: “Metamorfoza”, “Dënimi” (Das Urteil, 1916), “Në koloninë ndëshkimore” (In
der Strafkolonie, 1919), “Mjeku i fshatit” (Ein Landarzt, 1919) dhe “Artisti në uri” (Ein
Hungerkünstler, 1924). Tregimin “Dënimi” e shkroi brenda një nate.
Shumë tregime, ditarët e viteve 1910-1923 si dhe romanet “Procesi”, “Kështjella”
dhe “Amerika” iu botuan pas vdekjes. Në to vërehet qartas struktura e botës letrare të
Kafkës: pozita e individit në mjedisin që funksionon sipas një mekanizmi alogjik, të
panjohur e të padukshëm, ndërsa ngjarjet në atë mjedis zhvillohen si në një ëndërr të
ankthshme. P. sh.: Një agjent tregtar zgjohet një mëngjes, i vetëdijshëm se nuk është më
qenie njerëzore por kandër e madhe. (“Metamorfoza”). Qytetari që s’ka bërë ndonjë akt të
paligjshëm, Jozef K. fajësohet për veprën për të cilën s’di gjë. E ftojnë në një gjykatë e cila
nuk duket të jetë legale (Procesi). Një njeriu i mohet një e drejtë që i përkiste pikërisht atij
(Para ligjit). Gjeodezi K., i bindur se është pranuar në punë, mbërrin në fshat para një
kështjelle por nuk arrin të kuptojë se cili ishte qëllimi dhe kuptimi i ardhjes së tij (Kështjella).
Analiza e stilit tregon se përshtypja e alogjizmit buron nga mënyra nga e cila
kategoria e kohës dhe e hapësirës e humbin ligjshmërinë. Kafka nuk e përfill as ligjshmërinë
psikologjike, ndaj personazhet e tij e ngatërrojnë lexuesin mu ngase nuk mund t’i
interpretojë ata në bazë të përvojës së vet. Në këtë pikëpamje bota e Kafkës hyn në botën e
përrallës, por derisa në botën e përrallës mbizotëron fantazia mitike, te Kafka më së shumti
befason pikërisht rrethana se arenë e ndodhive irracionale kryesisht është mjedisi qytetar
bashkëkohor, përkatësisht përditshmëria e hirtë, në të cilën çdo gjë e ka veçorinë e vet
reale, ndërsa të deformuar janë vetëm raportet midis gjërave dhe dukurive.
Sipas disa interpretimeve, vepra e Kafkës duhet të kuptohet si një sërë alegorish, që
bazuar te stili do të ishte në përputhje me thjeshtësinë lapidare të gjuhës së shkrimtarit. Por,
pikëpamja e tillë nënkupton një sistem të paramenduar të nocioneve alegorike, mu si në
letërsinë mesjetare. Por në modelet e marrëdhënieve të çrregulluara, të tjetërsimit të njeriut
dhe të shqetësimit metafizik që i ndërton Kafka, një gjë të tillë nuk e kemi.
Veprat më të rëndësishme të tij, tregimi “Metamorfoza” dhe romanet “Procesi” dhe
“Kështjella” shtjellojnë tematika që paraqesin arketipa të alienimit, të brutalitetit psikofizik,
të konfliktit në relacionin prindër-fëmijë, të personazheve në udhëtime të frikshme dhe të
transformimeve mistike.
Duke studiuar traditën stilistike të groteskut, sidomos të periudhës së
ekspresionizmit në Evropën qendrore, kritika letrare për veprën e Kafkës zbulon pikëpamje
të reja.
Rëndësi letrare të madhe kanë edhe dëshmitë intime të Kafkës, “Ditarët”
(Tagebücher, 1937, 1951) dhe “Letrat” (Briefe, 1937, 1958) që flasin për dramën personale

të autorit si dhe për dimensionet e thella shoqërore dhe metafizike të spiritualitetit të tij.
“Letra Milenës” (Briefe an Milena, 1952) është një dokument tronditës për përjetimet
shpirtërore të Kafkës gjatë miqësisë me Milena Jesenskën në vitet 1920-1923.
KRIJUESIT LETRARË, KRITIKËT DHE ESTETËT PËR VEPRËN E KAFKËS – Me Kafkën janë
marrë dhe vazhdojnë të merren kritikët dhe studiuesit më eminentë të botës së letrave,
përfshi edhe filozofët, estetët, psikanalistët, psikiatrit, psikologët.
Analiza e veprave të tij bën të mundur interpretime të ndryshme. Kritikë të
ndryshëm e kanë radhitur në drejtime letrare artistike të ndryshme. Shkrimtarë dhe poetë të
drejtimeve të ndryshme kanë tentuar ta përvetësojnë Kafkën duke thënë se ai është
paraardhës i drejtimit të tyre. Kafka i takon avangardës: realizmit magjik, ekzistencializmit,
ekspresionizmit, surrealizmit. Kritika e konsideron si njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj
dhe më me ndikim të shekullit XX. Me stilin e të shkruarit, i takonte avangardës, drejtim ky i
fazës së mesme të modernizmit, por me veprimin e vet ndikoi me të madhe në shumë stile
të modernizmit të vonshëm, përfshi edhe ekzistencializmin.
Përkitazi me interpretimin e veprave të Kafkës, estetët marksistë kanë pasur dallime
të mëdha ndër vete. Njëra palë e ka akuzuar për shkatërrim të realitetit, ndërsa pala tjetër
ka pohuar se e kritikon kapitalizmin. Çështja në është Kafka autor politik ose jo, edhe sot
është objekt debati.
Dëshpërimi dhe absurdi që janë të shpeshta në veprat e tij, konsiderohen shenja të
ekzistencializmit. Disa vepra të Kafkës kanë lindur nën ndikimin e ekspresionizmit, por
pjesën më të madhe të opusit të tij e karakterizon zhanri modernist. Por, ka studiues që
thonë se krijimtaria e Kafkës nuk mund të përfshihet në asnjë drejtim letrar.
Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) dhe Zhan-Pol Sartrë (Jean Paul Sartre, 1905-
1980) janë në krye të listës së gjatë të shkrimtarëve mbi të cilët ka ndikuar vepra e Kafkës.
Opusi i Kafkës solli në teorinë e letërsisë termin “atmosferë kafkiane”. Me këtë
shprehje shënohen situatat e pazakonshme që janë të ngjashme me ato të veprave të tij, e
sidomos të “Procesit” dhe të “Metamorfozës”. Shembuj të atmosferës së tillë janë situatat
në të cilat burokracia dominon mbi individin, shpesh në një mjedis surreal, të ankthshëm që
shkakton ndjenjën se ke mbetur pa pikë shprese, i lënë vetë e pa kurrfarë ndihme, se
ndodhesh në humbëtirë. Në një atmosferë të tillë personazhet rëndom nuk kanë ndonjë
vizion të qartë sesi të dalin prej saj. Elementet kafkiane shpesh paraqiten në veprat
ekzistencialiste. Por, ky term nuk përdoret vetëm në interpretimet letrare. Sot përdoret për
të shënuar ngjarjet dhe situatat e përditshme që janë pashpjegueshëm komplekse, bizare
dhe groteske.
Veprat e Kafkës janë lëvduar nga shumë kritikë letrarë. Kritiku austriak Oskar Valcel
(Oscar F. Walzel, 1864-1944) qysh në vitin 1916 stilin e Kafkës e ka krahasuar me atë të fon
Klajsitit. Kafka çmohej lartë nga poeti britanik-amerikan Uistan Hju Odën (Wystan Hugh
Auden, 1907-1973), nga prozatori ruso-amerikan Vladimir Nabakov (1899-1977), nga
prozatori kolumbian Garsia Markez (Gabriel Garcia Marquez, 1928-2014).
Uistan Hju Odën e ka quajtur Kafkën “Dante i shekullit XX”. Vladimir Nabakovi e
renditi në mesin e shkrimtarëve më të mirë të shekullit XX. Garsia Markezi thotë se pikërisht
“Metamorfoza” e Kafkës ia ka bërë me dije se “mund të shkruash edhe ndryshe”. Alber

Kamy në veprën e vet “Shpresa dhe absurdi në veprën e Franc Kafkës” thotë: “Arti i Kafkës i
shtyn lexuesit që veprat e tij t’i lexojnë përsëri”. Kafka e ka trajtuar edhe temën e konfliktit të
njeriut me burokracinë. Shkrimtari amerikan Uilliam S. Barou (William S. Burroghs, 1914-
1997) thotë se “ato vepra janë të përqendruara në konceptet e luftës, të dhimbjes, të
vetmisë dhe të nevojës për të pasur lidhje”. Të tjerë, midis tyre edhe Tomas Man, veprat e
Kafkës i quajnë alegori: “kërkim i Perëndisë në mënyrë metafizike”. Filozofi francez Zhil
Delez (Gilles Deleuze, 1925-1995) dhe psikoterapeuti e filozofi francez Pjerë-Feliks Gyatari
(Pierre-Felix Guattari, 1930-1992) thonë se “temat e alienimit dhe të përndjekjes, ndonëse të
pranishme në veprat e Kafkës, janë zmadhuar prej kritikëve”. Prozatori çek, francez i
natyralizuar Milan Kundera (1929) thotë: “Humori surreal i Kafkës do të mund të ishte
inversion i Dostojevskit, i cili paraqet personazhe të dënuar për krim. Në veprën e Kafkës
ndërkaq, personazhi dënohet pa bërë krim. Për situatat karakteristike Kafka është inspiruar
nga jeta në shtëpinë patriarkale dhe në shtetin totalitar”.
Filozofi, muzikologu dhe eseisti gjerman Teodor Adorno (Theodor Adorno, 1903-
1969) në veprën e vet “Aufzeichungen zu Kafka” (1953) në veprat e Kafkës vë në dukje
kontrastin midis reales dhe surreales. Duke u nisur nga fakti se proza e Kafkës përkufizohet
si parabolë, Adorno thotë: “Ajo paraqet një terren të përshtatshëm interpretimi. Çdo fjali
thotë: interpretomë, por autori, me stilin e vet e bën të pamundur një gjë të tillë”.
Teoricieni kroat i letërsisë Viktor Zhmegaç (1929) flet për dy karakteristika të opusit
të Kafkës. Ai thotë: “Kafkën e njohim për romanet dhe për prozën e shkurtër. Edhe po të mos
i kishte romanet, ai pa dyshim do të ishte renditur në radhët e mjeshtërve të prozës së
shkurtër, siç janë: tregimtari dhe poeti amerikan Edgar Alan Pou (Edgar Allan Poe, 1809-
1849), novelisti dhe dramaturgu rus Anton Pavloviç Çehov (1860-1904) dhe tregimtari, poeti
dhe eseisti argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986). Proza e shkurtër e
tij nuk është më shumë se pesëdhjetë faqe. Pikërisht kjo shkurtësi lakonike, e përqendruar e
shprehjes është një nga karakteristikat themelore të stilit të tij”. Sipas Zhmegaçit,
“karakteristikë tjetër e Kafkës është se ai nuk është i prirë për prozën kritike”. Zhmegaç thotë
se Tomas Mani, tregimtari, eseisti dhe dramaturgu austriak Robert Muzil (Robert Musil,
1880-1942), romancieri dhe eseisti austriak me prejardhje çifute Herman Broh (Hermann
Broch, 1886-1951), romancieri, eseisti, dramaturgu dhe poeti francez Andre Zhid (Andre
Gide, 1869-1951), prozatorja dhe eseistja angleze Virxhinia Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941),
dramaturgu irlandez Xhorxh Bernard Sho (Georg Bernard Shaw, 1856-1950), dhe
dramaturgu e tregimtari italian Luigji Pirandelo (Luigi Pirandello, 1867-1936) si dhe
ekspresionistët e futuristët janë shembuj të kundërt autorësh të cilët në të njëjtën periudhë
kur edhe Kafka, “krijuan vepra të bazuara në programe poetike apo me komente eseistike.
Një gjëje të tillë Kafka i është shmangur. Ai e shkel parimin e shkruar të letërsisë moderniste
të hershme”.
Ka pasur studiues që kanë thënë se në veprën e Kafkës ka ndikuar përvoja e tij si
studiues i drejtësisë. Në krijimet e tij sistemi juridik kryesisht është opresiv. Në veprat e tij
ligjet nuk janë veçse vendime të forcave anonime dhe të padukshme, të fshehura nga
individët, që e kontrollojnë jetën e njerëzve, e që janë viktima të pafajshme të sistemit që
është jashtë kontrollit të tyre.

Disa thonë se do vepra të Kafkës janë marrë si tepër serioze, pa e merituar të
trajtohen si të tilla. Në thelb, ato janë shumë më të hareshme se ç’duket në shikim të parë.
NDIKIMI LETRAR DHE KULTUROLOGJIK – Për dallim nga shkrimtarët e tjerë të
njohur, Kafka nuk është i cituar gjithaq prej autorëve të tjerë. Shkrimtari dhe kritiku izraelit,
Prof. Shimon Sandbank (1933) thotë: “Horhe Luis Borhes, Alber Kamy, Ezhen Jonesko
dhe Zhan-Pol Sartrë janë disa prej shkrimtarëve mbi të cilët ka ushtruar ndikim Kafka”.
Kritiku letrar i gazetës Financial Times thotë: “Kafka ka ushtruar ndikim edhe mbi nobelistin
portugez Hose Saramago (Jose Saramago, 1922-2010), ndërsa kryeredaktori Al Silverman
pohon se “veprat e Kafkës kishte dëshirë t’i lexonte edhe shkrimtari amerikan Jerome David
Salinger (Jerome David Salinger, 1919-2010)”. Në vitin 1999 grupi prej 99 shkrimtarëve,
dijetarëve dhe kritikëve e shpallën “Procesin” roman të dytë më të rëndësishëm të shekullit
XX në gjuhën gjermane, ndërsa “Kështjellën” – roman të nëntë. Profesor Shimon Sandbank
thotë: “Përkundër faktit se Kafka është i pranishëm kudo, stili enigmatik i tij duhet studiuar
edhe më”. Neil Page i cili merret posaçërisht me Kafkën thotë: “Ndikimi i Kafkës e tejkalon
letërsinë dhe shkencën mbi letërsinë. Ai ndikon në artin pamor, në muzikë dhe në pop-
kulturë”. Profesori i letërsisë gjermane dhe semite në UC Santa Barbara, i lindur në Krakov
të Polonisë Heri Shtajnhauer (Harry Steinhauer, 1905-2006) thotë: “Kafka ka ndikuar mbi
shoqërinë e shkolluar si asnjë shkrimtar tjetër i shekullit XX”. Maks Brodi thotë: “Shekulli
XX do të njihet si shekull i Kafkës”. Profesori i letërsisë krahasuese Mishel-Andre Bosi
(Michel-Andre Bossy) shkruan: “Kafka ka krijuar shoqëri burokratike jofleksibile rigide dhe
sterile. Ai shkruante në mënyrë të rezervuar duke përdorur terminologji juridike dhe
shkencore. Megjithëkëtë, për ta paraqitur irracionalen në rrënjën e botës, në dukje racionale,
universi i tij serioz kishte edhe humor”.
Personazhet e tij janë të robëruar, në huti, përplot faje, të frustruar dhe nuk mund ta
kuptojnë botën e vet surreale. Është krijuar një letërsi post-kafkiane tejet e madhe, sidomos
letërsi e fantastikës shkencore që i ndjek temat e veprave të Kafkës. Shembull eklatant është
nënzhanri cyberpunk, i cili elementet antiutopiste i kombinon me një botë, teknikisht
superiore, por të depersonalizuar. Disa nga këto elemente vërehen në veprat e prozatorit
anglez Xhorxh Oruel (George Orwell, emri i vërtetë Eric Arthur Blair, 1903-1950) dhe të
autorit amerikan Rej Bredbari (Ray D. Bradbury, 1920-2012).

* * *

Modernizmi solli alienimin (tjetërsimin), ndërsa nocioni i absurdit ishte obsesion i
dekadave të shekullit të kaluar. Në këtë hapësirë kohore lindin edhe veprat e Kafkës.
Rrjedhimisht, si nocion kyç për ta kuptuar literaturën e Kafkës, shumë kritikë insistojnë për
alienimin. Të kuptuarit e Kafkës është shumë më tepër se lament (vajtim) për njerëzit, të
cilët bashkëkohësia i kishte larguar nga thelbi i tyre, nga bukuria e të jetuarit. Në veprën e
Kafkës alienimi ka qenë një pikë thelbësore. Sipas pikëpamjeve konservatore, “alienimi i
paraqitur nga Kafka, tashmë nuk është relevant për një shoqëri e cila e ka eliminuar
alienimin”.
Për estetët e marksizmit dogmatik, Kafka është armiku numër një dhe më i
rrezikshëm i artit realist. Bazuar te “Metamorfoza”, ata thonë se Kafka bën dehumanizimin
e qenies njerëzore. Sipas tyre personazhet e Kafkës janë tipa të cilët nuk ndërmarrin asgjë
për ta ndryshuar realitetin e hidhur. Para atij realiteti ata dorëzohen dhe nënshtrohen. Duke
qenë tipa që s’i bëjnë dot ballë të keqes, ata e ushqejnë atë dhe rendin shfrytëzues.

Në sistemet totalitariste, vepra e Kafkës ka qenë e ndaluar. Ai është në krye të
shënjestrës të antisemitëve, të nazistëve, të stalinistëve, të tiranëve, të despotëve, të
diktatorëve, të autokratëve, të pushtetarëve autoritarë, të regjimeve totalitare, dogmatike
dhe antidemokratike.
Kafkën e përvetësojnë majtistët perëndimorë, liberalët, antinazistët, demokratët,
lëvizjet feministe, pacifiste, të gjelbrit. Ndër çifutë, ndër hebrenj dhe në Izrael figura e tij
ndodhet në qendër të panteonit.
Me ndikimin që ka ushtruar mbi tërë letërsinë bashkëkohore, Kafka është një nga
autorët universalë të letërsisë botërore dhe krijues i modeleve poetike më sugjestive të
shekullit XX. Për inteligjencien humane ai është artist i madh. Ndikon edhe sot, do të ndikojë
edhe në të ardhmen. Mbi Kafkën vërsulen interpretime të reja, sa brilante aq edhe të
pasakta. Vepra e Kafkës nuk është në shërbim të asnjë ideologjie. Ajo është universale,
ndaj s’ka njësi kohe dhe hapësire që artin e madh e hedh në harresë. Çdo brez i ri e zbulon
Kafkën dhe pasi ta njohë njëherë, kurrë nuk heq dorë prej tij. Kryeidhulli i modernizmit
mbetet ai që është.

* * *

Çekët nuk rreshtin së theksuari se Kafka lindi, u rrit, u shkollua, u punësua dhe jetoi
në Pragë. Ndonëse të gjithë biografët e Kafkës, pos atyre çekë, thonë se në shtëpinë e tij
flitej gjermanishtja, çekët flasin ndryshe. Sipas tyre, gjuhë amtare e tij ka qenë çekishtja. Ata
e marrin për shkrimtar çek edhe pse të gjitha veprat i shkroi në gjermanisht. Në konferencën
e mbajtur në vitin 1963 në Liblice të Çekosllovakisë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së
Kafkës u theksua vlera e përhershme e paraqitjes së shoqërisë burokratike nga Kafka.
Në Pragë është hapur Muzeu “Franc Kafka” kushtuar jetës dhe veprave të tij. Pjesë e
muzeut është edhe ekspozita “Qyteti K. Franc Kafka dhe Praga” e cila për herë të parë u
ekspozua në Barcelonë në vitin 1999. Pas kësaj, u ekspozua në Muzeun hebraik në Nju-Jork ,
ndërsa prej vitit 2005 është pjesë e përhershme e muzeut të Pragës.
Qyteti i Pragës dhe Shoqëria “Franc Kafka”, në vitin 2001 kanë themeluar çmimin
letrar vjetor që mban emrin e Kafkës. Ky çmim jepet për veprën letrare me përmbajtje
humane që i kontribuon tolerancës kulturore, kombëtare, gjuhësore dhe fetare, për veprën
me karakter ekzistencial, jashtëkohor, me vlerë njerëzore të përgjithshme, të aftë për të
qenë dëshmitar i kohëve tona.

Xhela Zejneli

Loading...