Morali përcakton idetë, ashtu që nuk do të ishte e mundur që një person me moral të dobët të ketë ide të forta, si dhe anasjelltas, një individ me moral të fortë nuk bie pre e manipulimeve dhe nuk shfrytëzon tjetrin për qëllimet e veta

Naser SAHITI
Nëse ka diçka që i karakterizon të gjitha qeniet njerëzore njëjtë, ajo patjetër është vullneti për pushtet dhe vullneti për sundim, duke qenë njëkohësisht tregues i mjaftueshëm për të ditur se qenia njerëzore ende nuk është larguar plotësisht nga egërsia. E njëjta ndoshta edhe nuk do të largohet kurrë, përderisa njeriu do të arrijë ta mund egërsirën në vete me një moral të fortë. Mirëpo megjithatë, individi është ai i cili përcakton sistemin e vlerave morale, nga të cilat edhe udhëhiqet gjatë jetës së tij. Qeniet njerëzore përgjatë historisë gjithnjë kanë arritur të krijojnë sisteme të moralit me dy anë të kundërta, të së mirës dhe të së keqes, respektivisht moral të të fortëve dhe moral të të dobëtëve, sipas së cilave edhe mund t’i karakterizojmë njerëzit.
Morali i të fortit nënkupton fisnikërinë e një shpirti të rangut të lartë, ku poseduesi i këtij morali e konsideron veten si krijues dhe përcaktues të vlerave të tija, nga të cilat edhe udhëhiqet gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij. Ai është i aftë të gjykojë veten e tij për veprat që kryen dhe njëkohësisht ta ndal veten para kryerjes së veprimeve të këqija apo të pamoralshme, si dhe të njëjtat t’i zëvendësojë me sjellje të moralshme. Gjithashtu, ky lloj i personit nuk ndikohet nga të tjerët, ka ide të forta dhe vizion të qartë për veprat e tij, duke poseduar ndërgjegje të lartë. Ndërsa në anën tjetër, morali i të dobëtit u krijua për të fituar personat që nuk arrijnë të posedojnë moral të fortë, si dhe paraqet simbol të cilësive që shërbejnë për të lehtësuar ekzistencë, për t’u ngritur në jetë me mashtrime, intriga dhe me mundin e tjetrit. Morali përcakton idetë, ashtu që nuk do të ishte e mundur që një person me moral të dobët të ketë ide të forta, si dhe anasjelltas, një individ me moral të fortë nuk bie pre e manipulimeve dhe nuk shfrytëzon tjetrin për qëllimet e veta.
Filozofi i njohur gjerman, Niçe na shtynë ta imagjinojmë moralin e dobët e të pavlerë si masë e të gjitha gjërave, duke e konsideruar si të neveritshëm dhe të degjeneruar. Fatkeqësisht, njerëz me moral të tillë ne hasim edhe sot në shoqërinë tonë moderne, madje në çdo vend e në çdo institucion, dhe shpesh jemi të pambrojtur nga manipulimet e tyre. Nëpër institucionet e kompanitë e ndryshme ku i hasim këta persona, faji nuk qëndron te këta njerëz të ulët e moralisht të degjeneruar, por te drejtorët e udhëheqësit që krijojnë vend dhe ua hapin dyert personave që nuk e meritojnë të jenë aty.
Niçe ishte i mendimit se të dobëtit dhe turma mund ta mbanin këtë moral, por me një kusht, që ata të mos ua impononin të njëjtën njerëzve të rangut të lartë dhe me moral të fortë. Si do që të jetë realiteti aktual, historia çdoherë ecën drejt njerëzve të jashtëzakonshëm. Njeriu duhet ta tejkalojë vetveten, duhet të jetë i lirë dhe të mos ndalohet nga asgjë dhe të mos i ndalohet asgjë. E vetmja gjë që do të duhej të jetë e ndaluar për një individ është vullneti për pushtet dhe vullneti për shfrytëzim. Vullneti njerëzor duhet të jetë mishërim i jetës dhe i të mirës.
Siç e thekson edhe Niçe, njeriu nuk duhet të jetë tiran, duhet t’i kontrollon pasionet e tij për pushtet dhe për shfrytëzim, natyra e tij shtazore duhet të harmonizohet me intelektin e tij, dhe dija e racionaliteti duhet të përdoren në shërbim të jetës. Personi që arrin t’i përmbush këto kushte paraqet vetë mbinjeriun e Niçe. Me lindjen e këtij mbinjeriu të gjithë personat me moral të dobët do të treteshin, e një pjesë do të izolohej në llojin e tyre. Me një situatë të tillë, në botë do të mbizotëronte paqja, harmonia, racionaliteti dhe do të realizohej ideja e Niçes se “Gjërat e mëdha janë për njerëzit e mëdhenj dhe gjërat e rralla janë për njerëzit e rrallë”.