Reagime të ndryshme pas deklaratës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se do të jep dorëheqje nëse vërtetohen akt-akuzat për krime lufte të ngritura nga Zyra e Prokurorit Special. Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci e quajti skandaloze deklaratën e Thaçit dhe përpjekje për ta shpëtuar veten.

“Një plan jo i mirë për vendin, në përpjekjen e tij për të shpëtuar veten. Dhe si gjithnjë tjerët do t’i ketë marioneta.”

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj tha se fokusi nuk duhet të jetë te fakti që Thaçi nuk do të jep dorëheqje deri në verifikimin e aktakuzës, por te menaxhimi i situatës që Kosova ta ruajë interesin kombëtar.

“Duhet shikuar se si të veprojë Kosova që ta ruajë interesin kombëtar në këtë rast. Kjo goditje që ka ndodhur përmes aktakuzave, të mos i shkaktojë Kosovës pasoja të pariparueshme.”

Thaçi tha se mund të ketë bërë gabime në paqe, por se gjatë luftës ka shkelur vetëm ligjin e Sllobodan Millosheviqit, duke siguruar se do të jep dorëheqje nëse aktakuzat ndaj tij për krime lufte vërtetohen.

“Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë.