Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në bisedë telefonike me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, i ka shprehur urime dhe përkrahje për mënyrën me të cilën vendi po ballafaqohet me krizën shëndetësore-ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi.

Kryeministri Spasovski në bisedë me kryeministrin e Kosovës, ka shprehur kënaqësi nga bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës në këtë periudhë të krizës.

“Dy kryeministrat kanë biseduar për mundësitë për ballafaqim të koordinuar me pasojat e pandemisë së Kovid-19 dhe në dobi të shëndetit të qytetarëve, për rifillimin e ekonomisë dhe për përforcimin e lidhjeve afariste mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në kushte të reja, si dhe për harmonizimin e masave për normalizimin e komunikimit në të gjitha sferat mes dy vendeve gjatë periudhës së ardhshme”, thuhet në kumtesën e sotme të Sektorit qeveritar për marrëdhënie me opinionin.

Gjatë bisedës mes kryeministrave Spasovski dhe Kurti, u potencua qëndrimi i përbashkët se integrimi i shpejtë në BE i të gjitha shteteve nga Ballkani Perëndimor, si dhe bashkëpunimi intensiv rajonal, janë baza e zhvillimit, sigurisë dhe ardhmërisë së rajonit.

Loading...