Shqipëria nga 1 qershori do t’i hap kufijtë tokësorë me fqinjët, si dhe plazhet e hoteleve, ndërsa në plazhet e tërë bregdetit, turistët do të mund të qëndrojnë prej 10 qershorit.

Lajmin e kumtoi kryeministri shqiptar, Edi Rama, në kuadër të lehtësimit të masave kundër përhapjes së pandemisë së Kovid-19.

“Jemi të gatshëm t’i hapim kufijtë tokësorë, por duhet të marrim leje nga vendet, me të cilat kemi lidhje të drejtpërdrejta për komunikacion ajror. Nëse nuk pajtoheni, ato nuk do të hapen. Shengeni është i mbyllur deri më 15 qershor dhe fluturimet mes shteteve në këtë moment janë ndërprerë. Virusi nuk u largua, ai është mes nesh. Edhe rreziku nga vala e re është i realtë. Duke filluar prej të hënës, 1 qershor, do t’i hapim kufijtë tokësor me fqinjët, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por qytetarëve u bëjmë thirrje të jenë të kujdesshëm”, tha Rama.

Sipas tij, nga data e njejtë hapen edhe plazhet e hoteleve, ndërsa nga 10 qershori turistët do të mund të qëndrojnë në cilindo plazh të bregdetit shqiptar. Kuptohet, shtoi ai, sipas rregullave të posaçme dhe me kontroll të rritur.

Shqipërinë mesatarisht në vit e vizitojnë rreth pesë milionë turistë, duke i përfshirë edhe migrantët shqiptarë, të cilët pushimin e verës e kalojnë në atdhe. Nga turistët e huaj më së shumti ka nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Po ashtu, kryeministri Rama theksoi se fundjava e kaluar do të jetë e fundit me kufizime të lëvizjes së qytetarëve në tërë territorin e vendit, por “fundjava pa automobilë do të mbetet në fuqi edhe për dy fundjavat e ardhshme”.

Ai paralajmëroi se pas përfundimit të sezonit turistik të verës, do të vendoset e diel pa automobilë, që nënkupton se të dielave deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, do të ketë ndalesë për lëvizje me automobilë.