Werder Bremeni i Milot Rashicës ka arritur t’i japë fund ecurisë prej shtatë ndeshjeve pa fitore në Bundesligë, pasi e mposhti me rezultat 1:0 Freiburgun në stadiumin Schwarzwald, në kuadër të xhiros së 27-të të Bundesligës.

Ylli kosovar Milot Rashica dhe bashkëlojtarë s’kishin arritur të sigurojë fitore në Bundesligë që nga fitorja me epërsi minimale kundër Dusseldorfit më 18 janar. Megjithatë, sot, Bremeni i dha fund kësaj ecurie të dobët.

Bremeni mori fitore me epërsi minimale falë golit të shënuar nga Leonardo Bittenbourt në minutën e 19-të të ndeshjes, përderisa asistin e bëri Davy Klaassen.

Rashica nuk arriti të lërë gjurmë po aq sa do të kishte shpresuar në këtë ndeshje, ndërsa u zëvendësua në minutën e 82-të të ndeshjes, kur trajneri Florian Kohfeldt e futi në ndeshje Davie Selken.

Pas zëvendësimit të Rashicës filloi pjesa më dramatike e ndeshjes, pasi që vetëm pak minuta më vonë bashkëlojtari i kosovarit, Philipp Bargfrede, u ndëshkua me karton të kuq.

Pasi mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, Bremeni u zhgënjye edhe më tutje kur Freiburgu arriti ta barazojë rezultatin. Por, drama s’mori fund këtu pasi që pas ndërhyrjes së VAR-it, goli i Freiburgut u anulua për pozitë jashtë loje.

Pas kësaj fitoreje dramatike, Bremeni i merr tre pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë në Bundesligë. Skuadra e Rashicës radhitet në pozitën e 17-të në tabelën e Bundesligës, me 21 pikë të fituara nga 26 ndeshjet e zhvilluara.

Loading...