Mbi 320.000 pensionistë do ta marrin pensionin e parakohshëm të majit. Pagesa fillon nesër, 27 maj dhe do të jetë në mënyrë etapore.

Siç kumtoi sot Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, marrja e pensioneve përmes filialeve të bankave për pensionistët të cilët nuk përdorin kartela do të realizohet në katër grupe, sipas vlerës së pensionit.

Të mërkurën, më 27.05.2020 do të bëhet pagesa e pensioneve deri më 11.000 denarë, të enjten, më 28.05.2020, pagesa e pensioneve prej 11.001 deri në 14.000 denarë, të premten më 29.05.2020, pagesa e pensioneve prej 14.001-18.000 denarë, ndërsa të hënën më 01.05.2020, do të realizohet pagesa e pensioneve më të larta se 18.000 denarë.

Sipas Ministrisë, pensionistët të cilët përdorin kartela pagesore lidhur me logarinë në të cilën lëshohet pensioni, me paratë mund të disponojnë prej nesër, e mërkurë, 27 maj. Ata mund ta marrin pensionin e majit në bankomate ose t’i shfrytëzojnë mjetet për pagesë në rrjetin tregtar.

“Me pagesën etapore të pensioneve mundësojmë mbrojtje më të madhe të pensionistëve në kushte të rrezikut nga koronavirusi Kovid-19. Apelojmë te pensionistët ta respektojnë orarin e pagesave, të mbajnë pajisje mbrojtëse e cila e mbulon gojën dhe hundën si dhe të mbajnë distancë prej së paku dy metra gjatë pritjes para dhe brenda në banka”, thonë nga Ministria.