Policia e Krujës ka arrestuar autorin e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm, ku mbeti i plagosur një person pasi agresori tentoi t’i grabiste banesën.

Shtetasi i arrestuar është personi me iniciale A. S., 47 vjeç.

“Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore të kryera në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor, kontrolleve të shumta të kryera nga shërbimet e Policisë, si dhe informacioneve të grumbulluara, gjatë orëve të paradites së sotme u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të kësaj ngjarjeje, shtetasi A. S., 47 vjeç, banues në Kameras, Krujë” – njofton policia.

Shtetasi A.S. nga Fushë Kruja, në orët e para të mëngjesit, gjatë tentativës për të vjedhur në pronën e shtetasit A. B., në momentin që u diktua nga pronari ka qëlluar me armë zjarri, me qëllim që të largohej dhe për pasojë plagosi pronarin e banesës, shtetasin A. B., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, po vijon puna për gjetjen e armës së krimit të përdorur nga autori.

Nga na tjetër, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një levë hekuri, një palë pinca dhe sende të tjera të vlefshme për hetimin.

Loading...