Amerika Latine u bë epiqendra e re e koronavirusit, ndërsa më së shumti është goditur Brazili, derisa po rritet edhe numri i rasteve të vdekjes në disa vende afrikane, të cilat deri tani nuk kanë pasur numër të madh të vdekjeve, publikoi Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH).

“Me pandeminë e Kovid-19 janë infektuar më shumë se 100.000 njerëz në Afrikë. Virusi tani po përhapet në çdo vend të këtij kontinenti, ndërsa rasti i parë është paraqitur para 14 javëve”, thuhet në kumtesën e OBSH-së.

Deri tani në kontinentin afrikan janë regjistruar 3.100 raste të vdekjes, të lidhura me koronavirusin e ri.

Nëntë vende afrikane janë ballafaquar me rritje 50 për qind të numrit të personave të infektuar, ndërsa vendet tjera kanë numër stabil ose rënie të rasteve.

Ekspertët e OBSH-së thonë se Amerika Latine tani është vatër e re e virusit në botë.

Brazili e kaloi Rusinë sipas numrit të të infektuarve dhe gjendet në vendin e dytë në botë, pas SHBA-së, pasi në këtë vend latinoamerikan janë konfirmuar gjithsej 330.890 raste. Rritet numri i të infektuarve edhe në Argjentinë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 718 raste të reja ose gjithsej 10.649. Në Meksikë dje janë regjistruar numër rekord i rasteve të vdekjes për një ditë, me ç’rast gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 479 persona. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes në këtë vend është 6.989 persona, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve është 62.527.

Në vend të parë sipas të sëmurëve nga Kovid-19 në botë ende është SHBA-ja, ku vetëm dje janë evidentuar 20.522 raste të reja dhe 1.089 të vdekur. Sipas Qendrës amerikane për kontroll të sëmundjeve, në vend ka 1.571.617 të sëmurë, ndërsa kanë vdekur 94.150 pacientë.

Ajo që gëzon është që në Kinë dje nuk u konfirmua asnjë rast i ri i koronavirusit, për herë të parë nga shpërthimi i krizës në Vuhan, vitin e kaluar. Po ashtu në Kinë dje nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes nga Kovid-19.

Loading...