Dr. Spec. Fatmir Hasani

Jo më pak se 52 raste të reja të infeksionit me koronavirus (Covid 19), u konfirmuan në Maqedoninë e Veriut të premten. Masat lehtësuese që tani më vlejnë për restorantet, dyqanet dhe objektet tjera, përfshi edhe ato fetare, ku kemi grumbullime publike, por edhe në parqe e shëtitore, nuk po respektohen.
Numri i të infektuarve ka mundur të jetë dukshëm më i vogël nëse masat e distancës fizike ose sociale do të zbatoheshin, me përdorimin e maskave në mënyrën e duhur. Me të drejtë, nëse vazhdon mosrespektimi i rekomandimeve, atëherë gjasat janë që një pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e infeksionit edhe të kthehen. Pra, të gjitha dyqanet, tregjet dhe veprimtaritë tjera që ka filluar të punojnë, duhet që aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në përputhje me masat e shëndetit publik dhe të rekomandimeve që janë të vlefshme në nivel shtetëror. Faktor tjetër që ka një rol të rëndësishëm është edhe moti i ndryshëm, i cili ndikon në shëndetin e shumë personave, të cilët njihen si “meteopatë”. Ky virus i takon grupit të virusëve që përhapen me shpejtësi, kështu që i gjithë ndryshimi i kushteve të motit, është në dëm të atyre individëve që ndikohen nga këto ndryshime.
Në rend të parë që të ndodhë kjo, policia dhe inspektoratet duhet të mos jenë aspak tolerantë kur është fjala ndaj atyre individëve që nuk i respektojnë masat e distancimit social dhe të përdorimit të maskave, në mënyrë që të zbusin mundësinë e përhapjes së epidemisë. Që të ndodhë kjo, policia duhet të shpërblehet për çdo gjobë të regjistruar të personave të papërgjegjshëm, të cilët me sjelljet e tyre jokorrekte, dëmtojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve të tjerë. Madje, policët duhet të gjobisin edhe atëherë kur vërejnë shtrëngime duarsh apo përqafime. Por, në të kundërt, edhe policia nëse nuk e respekton detyrën e saj, apo në rast të qasjes së saj selektive, duhet të ndëshkohet me sanksione të rrepta ligjore, deri në përjashtim nga puna. Për këtë qëllim, duhet të jetë më aktivë kontrolli i brendshëm policor që të vëzhgojë dhe hetojë punën e policëve në terren. Kjo, me qëllimin e vetëm që të mos ketë përjashtime. Në të kundërt, masat për të zvogëluar incidencën e sëmundjes në popullatë dhe forcimin e kontrollit mbi përhapjen e koronavirusit, do të jenë shumë të vogla. Gjithashtu, pos mangësive të tjera, duhet përmendur edhe sistemin e kujdesit shëndetësor. Të gjitha shkallët e këtij kujdesi duhet të funksionojnë në këtë normalitet të ri. Qëndrimi shpërfillës ndaj pacientit dhe moskujdesi ndaj tij është i papranueshëm. Të gjithë ne duhet të mësohemi të jetojmë me virusin korona. Kjo tregon se edhe ne si shoqëri duhet të jemi të vetëdijshëm se tani e tutje do të jetojmë në kushte të tjera. Një sërë aktivitetesh, në të ardhmen, do të funksionojnë në përputhje me rregullat e reja të kohës së pandemisë së virusit korona.
Ndërkaq, meqë janë ndërmarrë shumë aktivitete lehtësuese, atëherë edhe ndalimi i lëvizjes së personave nëpër vendkalimet kufitare që aktualisht po zbatohet, duhet të hiqet. Qytetarëve duhet t’u mundësohet kthimi në vendlindje, e me këtë përfundimisht edhe të hapen kufijtë, siç kanë vepruar shumica e vendeve të rajonit, me një respektim të masave kundër përhapjes së pandemisë, pa patur nevojë për testimin e obligueshëm për Covid 19 dhe karantinën 14 ditore zyrtare.