Shkencëtarët në Holandë kanë përpiluar një listë me më tepër se 1500 persona që janë rikuperuar nga koronavirus, të cilët do të dhurojnë gjak, si pjesë e projektit për të realizuar vaksinën kundër virusit nga plazma e tyre.

Përgjithësisht të mbijetuarit nga Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga virusi i ri korona, kanë në gjakun e tyre antikorpe ose proteina që prodhohen nga sistemi imunitar, të cilat luftojnë bakterin. Komponenti i gjakut që transporton antikorpet, mund të mblidhet dhe t’i injektohet pacientëve të infektuar rishtaz. Procedura është sqaruar nga zëdhënësi i kompanisë së dhurimit të gjakut, “Sanquin”.

“Qëllimi i aleancës është që të prodhojë një globulinë hiper-imune, të paregjistruar deri më sot, nga e cila do të krijohet një terapi me origjinë nga plazma, për pacientët të cilëve do t’u nevojitet më tepër, prej komplikacioneve të shkaktuara nga virusi. Kura nuk do të ketë një emër, pra do të jetë një përpjekje e realizuar me bashkëpunimin e të gjithëve. Kjo do të thotë se të gjithë anëtarët po vendosin në dispozicion burimet e tyre, për ta bërë realitet këtë nismë, e cila më pas do të vihet në dispozicion të botës. Nga kjo kurë e re, nuk do të përfitojë asnjë kompani. Ne si kompani, i kemi lënë mënjanë interesat tonë individuale, për të qenë në shërbim të interesit të shëndetit publik dhe të pacientëve në mbarë globin”, thotë Merlijn van Hasselt, zëdhënës i kompanisë “Sanquin”.

Mjekët në spitale anembanë botës po e përdorin plazmën e të mbijetuarve, për të trajtuar pacientët me koronavirus, megjithatë furnizimet kanë qenë të kufizuara, sepse personat e infektuar ishin në numër relativisht të vogël dhe pak prej tyre kanë dhuruar gjak.

“Ky produkt mund të realizohet vetëm prej donacioneve të gjakut nga njerëzit që janë shëruar. Aktualisht jemi në fazën klinike dhe shpresojmë që shumë shpejt të hyjmë në fazën e prodhimit. Është një produkt që nuk mund të prodhohet në laborator apo fabrikë. Dhurimet nga donatorët e plazmave janë thelbësore”, vijon van Hasselt.

Kompania holandeze është pjesë e një aleance jo-fitimprurëse, pjesë e së cilës është edhe Takeda, kompani farmaceutike nga Japonia. Puna e tyre konsiston në mbledhjen e plazmës së gjakut nga mijëra dhurues, për ta përpunuar dhe pastruar në një trajtim të shkallës së lartë, i cili më pas do të aprovohej nga institucionet mjekësore. Anëtarë të tjerë të aleancës janë “CSL Behring” nga Shtetet e Bashkuara, Biotest AG në Gjermani, britanikët e BPL Group, por edhe kompani franceze dhe zvicerane.

“Themeluesit e kësaj aleance janë bashkuar për të bërë të mundur që brenda një kohe sa më të shkurtër, të zhvillohet një lloj terapie me plazmë kundër koronavirusit. Në tërësinë e tij, qëllimi është që të sigurohen të gjitha burimet e nevojshme dhe të bashkohen mendjet më të ndritura, në mënyrë që kjo terapi të jetë e disponueshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Jemi në pjesën e procesit ku prodhimi klinik ka nisur dhe nëse testimet që do të bëjmë janë pozitive dhe terapia do të aprovohet nga institucionet e shëndetit, atëherë kjo do të ishte një prej alternativave më të shpejta të trajtimit të pacientëve. Ky do të ishte skenari më i mirë”, shton zëdhënësi i Sanquin.

Përpara kësaj nisme, mes studimeve të kryera nga kompania “Sanquin”, janë testuar për antitrupa, me mijëra mostra të gjakut të dhuruar, për të parë sa është përhapur virusi i ri korona në Vendet e Ulëta. Rezultatet paraprake, të publikuara në muajin prill, konfirmuan se ndaj Covid-19 është ekspozuar rreth 3% e popullsisë në Holandë.

“Në momentin kur pandemia nisi në Holandë, qeveria njoftoi se kishte nevojë për informacione, për mënyrën si ky virus po përhapej në të gjithë popullsinë. Sanquin vendosi të ofrojë ndihmë, sepse ne si kompani kemi një numër të madh donatorësh holandezë nga banka e gjakut. Ne ofruam mundësinë që gjaku i dhuruesve të testohej rreth pranisë së mundshme të antitrupave, për të kuptuar nëse ishin ekspozuar ndaj Covid-19 dhe nëse po, a kishin zhvilluar imunitet ndaj virusit. Në skenarin e dytë, nënkuptohet që antitrupat janë të përhapur në gjakun e tyre. Prandaj po testojmë në gjakun e dhuruar për ato antitrupa. Në fillim të muajit prill kemi realizuar grupin e parë të testeve, ndërsa aktualisht ky është grupi i dytë. Mund të shihni aparaturën pas meje, ai është roboti ynë. Aty po kombinohet gjaku i dhuruar me një reagent, i cili tregon se ky donator specifik është ekspozuar ndaj koronavirus. Me këto testime, po ofrojmë studimin e parë në shkallë të gjerë. Bëhet fjalë për mijëra donatorë, në mënyrë që të krijojmë një pasqyrë të qartë të zhvillimit të grupeve imune ndaj Covid-19 në Holandë”, përfundon van Hasselt.

Në të kaluarën, përdorimi i plazmës së gjakut i të mbijetuarve të një sëmundjeje të caktuar, ka rezultuar gjithmonë efektive për trajtimin e njerëzve të tjerë. Këtu përfshihen një sërë sëmundjesh, mes të cilave tërbimi, hepatiti-B dhe fruthi.