Qindra protestues u mblodhën në Londër dhe Berlin sot për të treguar solidaritetin me protestuesit në Shtetet e Bashkuara që dolën në rrugët e qyteteve amerikane për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë një arrestimi në Minneapolis në fillim të javës së kaluar.

Protestuesit u gjunjëzuan në sheshin ‘Trafalgar’ në Londrën qendrore duke bërtitur “Jo drejtësi, pa paqe” dhe më pas marshuan në protestë para ndërtesës së parlamentit dhe ambasadës amerikane, transmeton KosovaPress.

Policia tha se kishte arrestuar pesë protestues para ambasadës amerikane, tre për shkelje të masave epidemiologjike dhe dy për sulm ndaj oficerëve të policisë.
Qindra protestues u mblodhën gjithashtu para Ambasadës së SHBA-së në Berlin me pankarta “Drejtësia për George Floyd” dhe “Ndaloni të na vrisni”.

Protestat e dhunshme kanë vërshuar nëpër Shtetet e Bashkuara për disa ditë mbi vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në Minneapolis, të cilin një polic me rastin e arrestimit, e shkeli në qafë, pas së cilës ai vdiq.