Misioni i OSBE-së në Shkup sot shpalli thirrje të jashtëzakonshme për projekt propozime të organizatave të shoqërisë civile, shoqatave dhe fondacioneve. Qëllimi i kësaj thirrje është t’i adresojë nevojat e komuniteteve më të ndjeshme dhe të lëna pas dore në vend, në fushat e mandatit të Misionit gjatë krizës me Kovid-19.

Kjo thirrje, siç theksohet në kumtesën e Misionit të OSBE-së në Shkup, gjithashtu ka për qëllim t’i mbështesë organizatat që përballen me vështirësi operative si rezultat i epidemisë, përfshirë organizatat që punojnë me fëmijë dhe të rinj, me kategori të rrezikuara të qytetarëve dhe më të moshuarve, persona me aftësi të kufizuara si dhe me probleme afatgjata të shëndetit fizik dhe mendor; organizata që punojnë me komunitete më të vogla, përfshirë romët dhe sintët: viktima të dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, trafikimit me njerëz, refugjatë dhe emigrantë.

Mbështetja gjithashtu i përfshin aktivitetet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe përfaqësimit. Më shumë informacione rreth kësaj thirrje mund të gjeni në linkun vijues: https://www.osce.org/response-fund-skopje.

“Pandemia aktuale Kovid-19 dhe kriza ekonomike e krijuar si rezultat i pandemisë paraqesin një kërcënim të paparë për sigurinë dhe stabilitetin shoqëror. Fondi ynë i ri, i krijuar për t’u ballafaquar me pasojat e Kovid-19, paraqet mundësi për organizatat civile, shoqatat dhe fondacionet të marrin ndihmë financiare deri në 15,000 euro, gjë që do t’i mundësojë atyre t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre të rëndësishme edhe gjatë pandemisë, deklaroi Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.

Këtë iniciativë OSBE e fillon me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Shpresojmë që një numër i projekteve inovative do të paraqiten si rezultat i kësaj iniciative, të cilat do të kontribuojnë në ruajtjen e të drejtave fundamentale, qasjen ndaj shërbimeve themelore dhe përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së nga ana e shteti gjatë tre muajve të ardhshëm”, shtoi Koja.

Duke e përshëndetur iniciativën e Misionit të OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, i dha mbështetje të fortë këtij fondi të Misionit të OSBE-së në Shkup, i cili u krijua si përgjigje e Kovid-19. Dimitrov shprehu besim se fondi do t’ju ndihmojë organizatave joqeveritare lokale të vazhdojnë t’i mbështesin më të prekurit, si dhe t’i forcojnë vlerat demokratike në shoqërinë tonë.

“Unë si një ish-aktivist civil dhe anëtar i tink tenk, e di se sa i madh ishte kontributi i sektorit joqeveritar në kthesën demokratike që e kemi bërë vitet e fundit. Në një kohë kur ka shumë nevojë për punën e organizatave joqeveritare, ndërsa po përballen me sfida serioze financiare duke e pasur parasysh krizën, mendoj se kjo është zgjidhja e duhur që duhet të mirëpritet”, tha Dimitrov, kumtoi Misioni i OSBE-së në Shkup.

Loading...