Abdulla Mehmeti

“Me djallin* në shpinë, as lutjet nuk bëhen kabull!”

– Mehmet Gega

Askush nuk ka mundësi të na sqarojë me argumente, se cili do të ishte fati i shqiptarëve, të besimit islam apo të krishterë, nëse nuk do të kishin identitet kombëtar dhe gjuhë të veçantë nga popujt tjerë fqinj, dhe nuk do ta kishin krijuar shtetin e tyre kombëtar, para një shekulli Shqipërinë dhe pas një shekulli edhe Kosovën.

Arvanitasit në Greqi dhe arnautët në Turqi janë shembulli më i mirë nga të cilët duhet të marrim mësim, çfarë domethënë kombi, gjuha, identiteti dhe shteti kombëtar.

A keni dëgjuar ndonjëherë të jetë dënuar ndonjë shqiptar, nga cilido regjim i huaj, pushtues, okupator e sundues, për bindje fetare? Pse u dhemb dhe i luftojnë kaq shumë armiqtë e kombit shqiptar, gjuhën, historinë, identitetin kombëtar të shqiptarëve, jo edhe përcaktimin dhe përkatësinë fetare e tyre?

Kombi dhe shteti i ruajnë e mbrojnë besimet fetare, jo fetë kombin dhe shtetin.

Shqiptarët nuk duhet t’i mohojnë ato mrekulli që i ka krijuar Zoti, sipas vlerës dhe rëndësisë që u ka dhënë vetë Krijuesi i plotfuqishëm, jo dora dhe mendja e njeriut!

Shqiptarët kanë disa fe, por kanë një gjuhë, një komb e një Atdhe!

Njësimi përmes fesë me kombe dhe shtete të tjera, kozmopolitizmi, internacionalizmi dhe globalizmi janë pjellë e Djallit të mallkuar, për shkatërrimin më të lehtë të njerëzimit dhe të botës.

Shqiptarët e besimit islam, me ndërgjegje kombëtare, gjatë muajit të Ramazanit, kur Allahu xh. sh. i pranon lutjet e atyre që agjërojnë, duhet të luten për kombin dhe shtetin e tyre, se për shtetet e huaja ka kush lutet, me miliona besimtarë për Turqinë, Iranin, shtetet arabe dhe të tjera!

Lutuni Zotit për mbarësi dhe përparim të kombit shqiptar dhe për atdheun tonë, ta mbrojë dhe bekojë Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar, në trojet etnike dhe kudo në botë.

Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe Shqipërinë!

Loading...