Kapiteni i Watfordit, klubit nga liga elitare angleze Premierliga, Troy Deeney ka thënë se nuk do të kthehet në stërvitje sepse druhet për shëndetin e familjes së vet për shkak të pandemisë koronavirus.

Klubet e Premierligës i kanë filluar stërvitjet nga dita e marte, pra sot.

Deeney nuk dëshiron ta vërë në rrezik edhe më të madh foshnjën e vet pesëmuajshe, e cila, tregon ai, ka pasur probleme me frymëmarrjen.

“Duhet të kthehemi këtë javë. Por unë kam thënë se nuk do të kthehem”, tha Deeney, 31-vjeçar.

Watfordi nuk i ka nisur stërvitjet sot dhe mediat britanike raportojnë se klubi nuk ka problem me qëndrimin e kapitenit Deeney.

Duke folur në emisionin “Talk the Talk” në YouTube, Deeney tha: “Mjafton që një person brenda grupit të infektohet dhe unë nuk dua ta çoj në shtëpi këtë sëmundje”.

“Djali im është vetëm pesëmuajsh, ai ka pasur probleme me frymëmarrjen, prandaj nuk dua ta rrezikoj atë edhe më shumë”, shtoi ai.

Loading...