Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit B.I., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘’Ngacmimi’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’

Sipas prokurorisë, i dyshuari i ka kërkuar të dëmtuarës 1600 euro duke e kërcënuar me vrasje nëse nuk ia dërgon këto para.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari B.I., që nga muaji qershor 2019, deri më 15 maj 2020, me qëllim të frikësimit, lëndimit dhe dëmtimit të pasurisë, ka kanosur të dëmtuarën L.N., në atë mënyrë që përmes rrjeteve sociale ‘’Facebook’’ dhe ‘’Instagram’’, e ka shantazhuar të njëjtën që të dilte pa dëshirën e saj, me ç’rast nga ajo kërkon 1.600 euro, duke e kërcënuar se nëse nuk ia dërgon këto para do ta vriste, me çka tek e njëjta ka shkaktuar shqetësim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime i njëjti, dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Ngacmimi’’, nga neni 182 të KPRK-së.

Gjithashtu, në datë të panjohur, deri më 15 maj 2020, në fshatin Beguncë, komuna e Vitisë, i dyshuari B.I., dyshohet se pa autorizim ka mbajtur në pronësi dy armë zjarri, të cilat iu janë gjetur në shtëpinë e tij dhe të njëjtat iu janë sekuestruar.

Në këtë mënyrë, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 366 të KPRK-së.

Loading...