Jetojmë në kohëra të rrezikshme. Asnjëherë më herët nuk ka ndodh që qeniet njerëzore të kenë aq shumë qasje në aq shumë informata, siç është sot, dhe sërrisht të jenë rezistent për të mësuar diçka. Jo vetëm që një numër i madh njerëzish të rëndomtë kanë mungesë të njohurive bazike, por ata edhe refuzojnë rregullat thelbësore të evidencës, dhe refuzojnë të mësojnë si të bëjnë një argument logjik. Si rezultat i kësaj, ata rrezikojnë të hudhin në lum njohuri të akumuluara me shekuj, dhe të zhvlersojnë praktikat dhe zakonet që na mundësojnë të zhvillojmë njohuri të reja.

Në realitet, zhvillimi i një injorance kokëforte të kësaj natyre, mbrenda epokës së informacionit, nuk mund të shpjegohet vetëm si rezultat i injorancës. Shumica e njerëzve që bëjnë kampanjë kundër njohurive të etabluara, zakonisht janë mjaft të suksesshëm në jëtën e tyre të përditshme. Në disa raste, është më keq se injoranca, është një arrogancë e pabazuar, tërbim në rritje i një kulture narcizoide, që nuk mund të duroj as edhe aluzionin më të vogël të pabarazisë të çfarëdo lloji. Ajo çka është edhe më tragjike është fakti se ne jemi shndërruar në një shoqëri ku edhe adhurojmë injorancën tonë, dhe mburremi me ate që kemi arritur apo ate që flasim. Sot kemi arritur një moment ku injoranca, posaçërisht që ka të bëjë me politikat publike, trajtohet si një virtyt i vërtetë, dhe se ndjehemi krenarë se të gjitha sendet i kemi të njohura, dhe se çdo opinion rreth çfarëdo qoftë teme është aq i mirë sa opinioni i secilit person në botë. Jo vetëm kaq, por edhe shkojmë një hap më tutje kur njerëzit e rëndomtë denigrojnë arritjet intelektuale dhe refuzojnë këshillat e ekspertëve, pavarsisht se për ç’far niveli ekspertësh bëhet fjalë.

Çdo pohim ekspertize nga një ekspert i vërtetë, zakonisht prodhon një eksplodim të zemërimit nga disa qarqe të publikut në përgjithësi, që menjëherë ankohen se pohimet e tilla nuk janë asgjë tjetër përpos një apelim ndaj autoritetit në mënyrë manipulative, shenja të qarta të një elitizmi të frikshëm, dhe një orvatje e qartë për të përdor kredencialet për të mbytur dialogun që kërkohet nga demokracia e vërtetë. Qytetarët sot besojnë se të kemi të drejta të barabarta në një sistem politik gjithashtu do të thotë se opinioni i secilit person rreth çfarëdo qoftë teme, duhet patjetër të pranohet si i barabartë me cilin do qoftë person tjetër apo ekspert, pavarsisht a vjen ky opinion nga Wikipedia, Googli, Facebooku, Fake Newsi, apo edhe Universiteti. Ky është besimi e një numri të madh të njerëzve, edhe pse është shumë qartë se është jasht çdo logjike. Është një pohim i barabarsisë aktuale që gjithmonë është jologjike, disa herë qesharake, dhe shumë shpesh edhe e rrezikshme.

Sulmet ndaj njohurive të etabluara dhe nxitimi pasues i njohurive dhe informatave të dobëta, tek publiku në përgjithësi, disa herë mund të pranohet edhe si zbavitës. Komedian të ndryshëm shpesh na dëshmojnë sesa të painformuar janë njerëzit e rëndomtë në përgjithësi, por pse jo edhe njerëzit që deklarojnë se kanë të kryer shkollim të mesëm, por pse jo edhe shkollim të lartë. Shumë shpesh njerëzit theksojnë se qëndrojnë larg glutenit, ndërsa kur pyeten nuk e kanë idenë se çka është gluteni, se SHBA duhet të intervenoj në Ukrainë sepse Australia nuk duhet lërë në duart e Rusisë, se e dijnë dallimin në peshë nëmes 1 ton arri dhe 1 ton hekuri, apo se Mesharin e Gjon Buzukut nuk e ka shkruar Buzuku. Mirëpo në rastet tjera, nuk mund të themi se është zbavitëse kur flasim për jetë apo vdekje, kur shohim një numër të madh njerëzish që debatojnë dhe refuzojnë kategorikisht të vaksinohen nga sëmundje të ndryshme potenciale, nuk pranojnë ekzistimin e virusit COVID 19, një pjesë e madhe edhe nuk do të vaksinohen nga ky virus edhe kur të paraqitet vaksina, dhe të mos flasim për rekomandimet e ndryshme shëndetësore që na propozohen në vazhdimësi. Fatkeqësisht, situatave të tilla u bashkangjiten edhe shumë njerëz me autoritet publik, që refuzojnë në mënyrë kategorike të dëgjojnë ekspert të ndryshëm që flasin rreth studimeve të ndryshme shkencore.

Në fakt, nuk ekziston bisedë reale nëmes njerëzve të rëndomtë dhe ekspertëve të fushave të ndryshme. Duket sikur qytetarët sot nuk dëshirojnë të bisedojnë dhe të dëgjojnë ekspertët dhe kjo është mjaft e rrezikshme. Për anën e tyre, qytetarët më së miri do të besonin se kanë fituar informacion të mjaftuar për të sjellë çfarëdo vendimi vetvetiu me 10 minuta lexim në Wikipedia, ajo që në psikologjinë sociale njihet si animi konfirmues, ku qytetarët ekskluzivisht grumbullojnë informacione që përputhen me qëndrimin dhe besimin e tyre, dhe aspak me informacione që mund të jenë në kundërshtim me këto besime. Në anën tjetër, shumë eskpertë, posaçërisht ata në fushën akademike, që moti janë larguar nga obligimi i tyre që të kyçen me publikun, edhe pse kanë studiuar për 20, 30 apo 40 vite. Si rezultat i kësaj, sot kemi një polarizim të paparë në shoqërinë tonë në përgjithësi, dhe rritje të një besimi joracional të popullatës në përgjithësi saqë secili është aq i mençur sa çdo person tjetër. Kjo është e kundërta e arsimimit dhe edukimit, që ka për qëllim që ti shndërrojë njerëzit, pavarsisht sa të mençur apo të kompletuar të jenë, në persona që mësojnë gjatë gjith jetës së tyre. Ne, sot jetojmë në një shoqëri ku përvetësimi edhe i mësimit më të vogël është qëllim që duhet të arrihet, sesa një fillim të arsimimit dhe edukimit. Kjo është mjaft e rrezikshme.

E gjith kjo që u tha deri më tani rezulton të sjellë ate që njihet si, “fundi i ekspertizës.” Fundi i ekspertizës nuk është vetëm një refuzim i diturisë tani më të etabluar, por kryesisht është një refuzim i shkencës dhe racionalitetit, që janë themelet e civilizimit bashkëkohorë. Është një shenjë e një politike të fiksuar me terapi të ndryshme, dhe e stërmbushur me pabesim të politikës formale, kronikisht skeptik ndaj autoritetit, si dhe pre e bestytnive të ndryshme. Ne kemi arritur një rreth të plotë që nga koha e epokës paramoderne, kur urtësia e popullatës mbushte shprazëtirat e pashmangshme në diturinë njerëzore, nëpërmes periudhës së një zhvillimi të shpejtë i bazuar fuqishëm në specializim dhe ekspertizë, dhe tani në një botë postindustriale të informacionit të madh, ku të gjith qytetarët i besojnë vetes së tyre se janë ekspert për gjithëçka.

Në të kaluarën, kur flisnim për kushte të këtilla, ekzistonte më pak stres nëmes ekspertëve dhe njerëzve të rëndomtë, por vetëm sepse qytetarët nuk kishin mundësi të sfidojnë ekspertët në ndonjë mënyrë më thelbësore. Participimi në jetën politike, intelektuale dhe shkencore, deri para do kohe ishte e paimagjinueshme për njerëzit e rëndomtë, përpos një rrethi të ngushtë të njerëzve që ishin të arsimuar dhe shkolluar. Ekzistonin shumë pak vende publike ku do të mund të sfidoheshin ekspertët në një periudhë para paraqitjes së komunikimit masiv.

Nuk ka dilemë se duhet të pranojmë njëher e përgjithmonë se sot, nuk jetojmë në një epokë kur dituria ishte në pronësi vetëm të disa personave të caktuar. Profesionistët e arsimuar, nuk e kanë pronë të vete diturinë. Sekretet e jetës nuk janë më të fshehura në ndonjë muze mermeri gjigand apo librari të mëdha të botës ku hollet e të cilëve janë të frikëshme edhe për disa pak persona që i vizitojnë ato. Mirëpo, kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të nënkuptoj se nuk duhet aspak të respektojmë diturinë. Nuk ka dilemë se ndryshimi shoqëror përfundimisht i theu barrierat e tilla dhe sot kemi kontakte të shpeshta nëmes qytetarëve të thjeshtë dhe ekspertëve, mirëpo kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerohet të sjellë përplasje të madhe nëmes këtyre dy grupe njerëzish. Ajo që kërkon vëmendje dhe seriozitet studimi dhe hulumtimi, është fakti se kjo përplasje iracionale ka shkaktuar një fërkim të madh shoqëror.

Për këtë arsye, të gjith njerëzit e dijes, shkencëtarët, ekspertët, intelektualët, ata që kanë dituri dhe njohuri, e kanë për obligim ta thuan të vërtetën dhe të mos heshtin. Ambienti është duke u kontaminuar dita ditës, dhe do të jetë shumë vonë kanalizimi i gjith kësaj “diturie” drejt një qëllimi të caktuar. Nëse nuk merren masat e duhura me kohë, që të thuhet njëherë e përgjithmonë meraku i mbetur i pathënë deri më tani nga ana e atyre që kanë dituri dhe njohuri, atëherë tërheqja e gravitacionit kundër diturisë dhe ekspertizës do të jetë aq e madhe, saqë do të kërkohet gravitacioni i vrimës së zesë për ta nxjerrë në binarë të duhur. Në të kundërtën, nuk ka dilemë se ndodhemi para fundit të ekspertizës që e njohim ne!

Vesel Memedi

Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare,

Loading...