Ministrat e Punëve të Jashtëm të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ivica Daçiq dhe Nikolla Dimitrov, sot kanë patur bisedë telefonike për lehtësimin e mëtutjeshëm të masave kufizuese mes dy vendeve, si rezultat i situatës së përmirësuar epidemiologjike, kanë bërë të ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.

Siç njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Beogradi, ministrat e diplomacive të dy vendeve shkëmbyen përvoja për masat e ndërmarra në luftën kundër Kovid-19, informacione për gjendjen aktuale epidemiologjike në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe planet për të zbutur më tej masat kufizuese të vendosura në muajt paraprak.

Bashkërisht është vlerësuar se epidemia është nën kontroll dhe se kjo ishte arsyeja e relaksimit gradual, në fakt heqja e numrit të madh të masave që kanë qenë në fuqi që nga muaji mars.

“Ministri Daçiq e njoftoi kolegun e tij se nuk kërkohet miratim i veçantë për hyrjen e shtetasve të huaj në Republikën e Serbisë dhe se kalimi i kufirit serb është kthyer në normalitet”, thuhet në kumtesë.

“Të dy ministrat konstatuan se marrëdhëniet dypalëshe janë të mira dhe se me vënien e kontrollit të epidemisë, janë krijuar kushte për vazhdimin e bashkëpunimit intensiv dhe thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve mike. Në këtë rast, ministri Daçiq e ka ftuar ministrin Dimitrov të vizitojë Serbinë në periudhën e ardhshme, të cilën ai me kënaqësi e pranoi”, kumtuan nga MPJ-ja serbe.

Loading...