Ushtruesi i detyrës kryetar i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti deklaroi se disa politikanë të caktuar në Serbi dhe Kosovë dëshirojnë konflikt në Veri të Kosovës, me qëllim që ta realizojnë planin për shkëmbim territoresh midis dy vendeve.

Në video-fjalimin e sotëm për qytetarët, Kurti i mohoi pohimet e disa liderëve të caktuar politikë, në mesin e të cilëve edhe të presidentit të shtetit Hashim Thaçi se në pjesën veriore të vendit e banuar me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës nuk ka kurrfarë kontrollesh dhe zbatohen ligjet dhe vendimet e Beogradit.

Kryeministri thotë se nuk është vërtetë se është vendosur karantinë në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçan me urdhrin e autoriteteve serbe, por se ky është vendim i Ministrisë kosovare të Shëndetësisë, e cila nuk bën prej kësaj “famë të madhe”, pasi nuk dëshiron ta thellojë edhe më shumë krizën shëndetësore.
“Ka politikanë të lartë në Beograd të cilët dëshirojnë konflikt në Kosovë, veçanërisht në Veri nga Ibri. Megjithatë ka edhe politikanë të lartë dhe persona zyrtarë edhe në Prishtinë të cilët dëshirojnë konflikt në Kosovë, veçanërisht në veri të Ibrit. Projekti i tyre për shkëmbim territoresh sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte dhe gjakderdhje të reja. Tani dëshirojnë konflikte dhe gjakderdhje në terren që të kthehen në këmbimin e territoreve, gjegjësisht në ndarjen e Kosovës”, porositi Kurti.

Sipas tij, në këtë drejtim ishte edhe kërkesa e presidentit Hashim Thaçi dhe qarqeve të tjera politike për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

“Meqë nuk arritën ta shpallin për ta shkaktuar (gjendjen e jashtëzakonshme), tani dëshirojnë ta shkaktojnë që ta shpallin”, thotë Kurti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos u besojnë atyre të cilët kontribuuan për ndarjen e qytetit të Mitrovicës.

Loading...