Përjetësisht në Memorien Shqiptare Bllaca ‘99

Krimet e pa denura !
Nga Jahja LLUKA
Me ndryshimet kushtuese të imponuara nga Serbia, më 23 mars 1989 në Kuvendin Krahinës së Kosovës do të ndryshojë edhe Kushtetuta e vitit 1974, me çka u suprimua autonomia e Kosovës në Federatën e Jugosllavisë, duke e shndërruar Kosovën në pjesë përbërëse të Serbisë. Pas kësaj filloi një presion ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, e cila ishte e detyruar të tërhiqet nga të gjitha institucionet dhe të vetorganizohen në të gjitha fushat e jetës shoqërore politike. Kështu, më 2 korrik 1990 Kuvendi i Kosovës e shpalli Deklaratën Kushtetuese, që e definonte Kosovën si Republikë. Deklarata e Pavarësisë u pasua me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik. Më pas, me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova e organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë u instalua sistemi i organizimit paralel, që pasoi me zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik jugosllav ose, më saktë, serb. Dhjetë vitet e kësaj gjendjeje (1989-1999) lanë pasoja të rënda për jetën e njerëzve me persekutime, burgosje, maltretime, por lanë pasoja edhe mbi arsimin, shkencën, kulturën, sportin etj. Gjatë kësaj kohe shqiptarët e mërgatës ishin ata që, duke mbledhur fonde, u munduan ta mbajnë gjallë arsimin, por edhe institucionet paralele shtetërore. Si rezultat i kësaj gjendjeje, erdhi deri te organizimi ushtarak i shqiptarëve të Kosovës, që nënkuptonte edhe reagimin e shtetit të atëhershëm jugosllav. Kështu më 5 mars të vitit 1998 forcat serbe e sulmojnë fshatin Prekaz i Poshtëm, ku e vrasin Adem Jasharin bashkë me 20 anëtarë të familjes së tij (10 prej të cilëve fëmijë), ndërsa numri i përgjithshëm i të vrarëve shqiptarë në atë aksion ishte 55 njerëz. Kështu edhe filloi rezistenca e armatosur, që erdhi deri në masakrën e Reçakut më 15 janar 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, që u raportua nga Shefi i Misionit Mbikëqyrës të atëhershëm të OSBE-së në Kosovë. Pas kësaj vijuan sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që filluan më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Më 9 qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja ndërmjet NATO-s dhe RSFJ-së, që nënkuptonte largimin e ushtrisë jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e forcave të NATO-s, të quajtura KFOR. Sipas raportimeve të bëra, gjatë këtij konflikti luftarak janë vrarë 13.549 persona, prej tyre 76 % civilë, ndërsa 24% kanë qenë pjesëtarë të forcave të armatosura. 1.400 viktima kanë qenë të moshës nën 18 vjeç. Gjatë kësaj kohe, përveç veprimeve luftarake, ajo që pësoi më së shumti ishte popullata civile. Sipas raportit të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, që e ka ndjekur gjithë situatën në atë kohë, gjatë vitit 1998 – për shkak të veprimeve luftarake, në Maqedoni ishin vendosur 800 refugjatë. Kjo situatë ishte e menaxhueshme derisa ishte në këto shifra. Por, kur filluan sulmet e NATO-s në Serbi dhe në pika të tjera ushtrisë jugosllave në Kosovë, gjendja u bë shumë e vështirë për popullatën civile. Prandaj pranvera e vitit 1999 ishte vala më e madhe e refugjatëve në Maqedoni. Sipas Kryqit të Kuq, ky numër për një javë u rrit në 400.000 sosh, që ishte një krizë e papërballueshme për Maqedoninë. Kështu, derisa Maqedonia po merrej me organizimin e pritjes së valës së refugjatëve, nga 31 marsi deri më 6 prill 1999 në pikën kufitare të Bllacës, në territorin e Maqedonisë, qëndruan disa qindra mijë kosovarë, të ardhur me tren, me makina, por edhe në këmbë, që qëndruan aty disa ditë derisa u zgjidh çështja e kampeve të refugjatë brenda vendit dhe transportimi i tyre në vende të treta. Ato ishin ditë të rënda, sepse qindra mijëra njerëz u desh t’i kalojnë netët në qiell të hapur. Prandaj, për shkak të motit të ligë, mungesës së ushqimeve (edhe pse aktivistët humanitarë dhe bamirësit ndihmonin me sa fuqi kishin), u shënuan dhjetëra vdekje, veçanërisht të fëmijëve dhe mbetën trauma të pashlyeshme për ata njerëz. Kjo zgjati derisa Republika e Maqedonisë gjeti mundësitë dhe krijoi kapacitete që t’i pranojë këta refugjatë, për çka u angazhua gjithë bota e qytetëruar. Por, Bllaca mbeti sinonim i Holokaustit për shqiptarët, që gjatë asaj jave të valës së refugjatëve mbetën në qiell të hapur, duke u përpjekur ta shpëtojnë ekzistencën e tyre. Ngjashëm me rrëfimin biblik të Eksodit. Sipas asaj që shkruhet në të dhënat e Kryqit të Kuq, nga Kosova janë deportuar gjithsej 920.000 persona, ndërsa në Maqedoni gjatë gjithë krizës janë vendosur diku 440.000 refugjatë. Për këtë arsye, atëbotë në Maqedoni u ndërtuan disa lagje/kampe të përkohshme për refugjatë, si në: Stenkovec, Radushë, Çegran, Neproshten, Katllanovë, Dare Bomboll – Vodno, Strugë, Lubancë, Çiçino Sello, Shuto Orizarë, që u ngritën në tenda me ndihmë të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Vetëm gjatë kësaj kohe në zbutjen e kësaj krize ndihmuan Kryqi i Kuq i Gjermanisë, Kryqi i Kuq i Finlandës, Kryqi i Kuq i Spanjës, Kryqi i Kuq i SHBA-ve, Gjysmëhëna e Turqisë, Gjysmëhëna e Kuvajtit, “Mjekët pa kufi” etj. Gjatë dhe pas vendosjes së refugjatëve nëpër kampe janë regjistruar 400 fëmijë të humbur, që është dashur të bashkohen me familjet e tyre, ndërsa janë regjistruar edhe 1.670 kërkesa për gjetje të familjeve, nga të cilat 734 kanë rezultuar me sukses. Përveç vendosjes në kampe të refugjatëve, atëbotë është shënuar një solidarizim i paparë nga popullata Shqiptare në Maqedoni, e cila gati 60% të refugjatëve i mori në shtëpi private. Kriza e refugjatëve përfundoi në verën e vitit 1999, pas futjes së NATO-s në Kosovë, kur shumica e tyre u kthyen në vatrat e tyre. Sa herë vjen pranvera, në kujtesen tonë na sjell lule me aromë gjaku. Na ndajnë dy dekada, nga episodet e tmerrit, të cilat nuk mbaruan as pas Luftës së Dytë Botërore. Kampi i Bllacës ishte vazhdimësia e një gjenocidi i cili mori formën apokaliptike, duke shënuar kështu një shekull rresht, vuajtje dhe spastrimi etnik, ndaj popullit shqiptar. Sot, kur e kthejmë kohën pas është pothuaje e pamundur të mendohet ajo katastrofë humanitare, që u ngjiz në kontinentin e lashtë europian. Pas kampeve të përqëndrimit ndaj hebrejve, u tha “kurrë më” s’do lejohet diçka e tillë. Por vula e kësaj djallëzie, kaloi mbi trupa shqiptarësh, të cilët në frymën e fundit po kërkonin shpëtimin, së paku të vdisnin me dinjitet. Në kufirin e Bllacës, po gërshëtoheshin, dy epoka të ndryshme. Viti 1999, po përmbyllte një cikël ku ç’njerëzia kishte triumfuar me vellon e saj të zezë, e që po gëlltiste trupa të gjallë, pa moshë e përtej moshes. Prapa këtyre trupave që ishin ç’njerëzuar, po mbeteshin tokat e stërgjyshërve, andrrat, kujtimet, lotët, lindjet, dashuritë dhe varret. Po mbesnin luftëtarët të cilët deri në frymën e fundit, patën vullnetin t’i kthenin pushkën njërës ndër ushtritë më të fuqishme në Evropë, por që kjo e fundit veç luftë burrash nuk bënte. Ishin hiena që donin me çdo kusht zhdukjen nga kjo tokë të një populli të tërë vetëm pse ky popull ishte shqiptar. Pasardhësit e Lekës së Madh, Pirros sy-patrembur e Skenderbeut hyjnor, që dikur ruajtën Evropën dhe civilizimin e lashtë, në vitin ‘99 mbi trupat e tyre, po bartnin vulën e tmerrit, kaosit, pa shpi e pa atdhe ishin detyruar të merrnin rrugët e botës, për të mos u kthyer më kurrë, pa prag e pa varre, këmbëzbathur e barkëthatë, me sy të shterrur nga lotët, për t’u shuar në hirin e hiçit. Njezet e nje vite pas, ky memorial trenash, të cilët bartën mijëra shqiptarë, më ngjallë një emocion të përzier. Kur e mendoj çfarë kemi kaluar, ndihem thellësisht i trishtuar por kur e shoh që pas njëzet e nje vitesh kemi një shtet, Kosovën tonë sovrane, jam thellësisht i lumtur. Le të jetë shenjë kujtimi për brezat që do vijnë vuajtja e kombit tonë. Mos të na humbas as një çast nga kujtesa se ku ishim dje, ku jemi dhe ku duam të shkojmë. Faleminderit NATO-s, dhe Presidentit Clinton të cilët na ndihmuan, por kjo ndihmë ishte një borgj ndaj shqiptarëve, sepse paraardhësit tanë luftuan në krye me Skenderbeun e plotë trima tjerë, nuk kursyen asgje për ta ruajtur Evropën në thelbin e saj. Viti 1999 shënon një kthesë për shqiptarët, bota e kuptoi se ky popull asnjëhere nuk ushtroi gjenocid dhe dhunë ndaj askujt, veç se qe i detyruar me mish e shpirt të luftojë për ta mbrojtë pragun e shpisë, që të rrojë me dinjitet në trojet e veta, trashëgim dhe amanet nga të parët.

Loading...