Burhan Seferi

Kthetrat e Hashimit janë të thella. Një regjim autokrat i tij, në të gjitha rajonet, fshatrat, qytetet, partitë dhe organizatat, nuk është lehtë të thyhet dhe të vjen diçka e re apo një frymë e re.

Jo që Hashimi nuk ka mundur të ndikojë që mos të formohet qeveria LVV-LDK, ngase kthetrat e tij brenda LDK-së njihen dhe dihen. Ai deshti diçka tjetër, që nuk ia arriti qëllimin.

Mu në ditët kur u formua qeveria Kurti, papagalli i Hashimit, Baton Haxhiu, kishte deklaruar: “E tash ta shohim se çfarë do të bëj Albin Kurti për marrëveshjen me Serbinë, kur t’i ofrohet në tavolinë për ta nënshkruar”.

Prej te kjo deklaratë e Batonit, unë kam qenë skeptik se qeveria Kurti do të mundet të vazhdojë, përpos nëse ai shitej apo shantazhohej, por kjo nuk u arrit, ngase Albini e beson ideologjinë dhe parimet e tij, nuk i ka vetëm shkel e shko për ta fituar një tender duke qenë në pushtet. Ardhja e Skender Hysenit nga Shtëpia e Bardhë dëshmoi se qeveria është në përfundim, ngase para tij, Hashim Thaçi mu në Shtëpinë e Bardhë, kishte përgatitur gjithçka.

Deklaratat e Skender Hysenit në T7, kushdo që i ka dëgjuar, do ta kuptojë se ky ka qenë urdhër direkt që të prishet kjo qeveri. Ideja e Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe të tjerëve si këta, ka qenë që t’ia imponojnë Albinit nënshkrimin e marrëveshjeve dhe me këtë, ta zhdukin njëherë e përgjithmonë mitologjinë se Albini nuk shitet dhe nuk bën pazarllëqe kur është në pyetje dinjiteti të cilin e trashëgon nga rilindasit shqiptarë.

Ata thjeshtë, dëshironin t’i tregonin qytetarëve se ja, edhe Albini është si ne, edhe ai nënshkruan marrëveshje, edhe ai vjedh, edhe ai e bën këtë dhe atë. Provokimi i parë për ta nxjerr kontradikt Albinin, ka qenë dita kur për Ministër i punëve të brendshme, nga LDK-ja ofrohet Agim Veliu, një hajdut i njohur si kryetar komune, një kërcënues, shantazhues, kriminel i pa parë, por me ndikim në rajonin e tij, e posaçërisht në grumbullimin e votave të LDK-së.

Me ardhjen e Skender Hysenit, Albin Kurti e ka ditur saktë se sa është ora, se çfarë i përgatitet. Ose futja në thertoren e Hashimit, ose të del nga qeveria. Me qenë se të parën nuk do ta bënte, ai filloi përgatitjen për të dalë nga qeveria, edhe atë në mënyrë strategjike, me largimin e njeriut më negativ në shoqërinë kosovare, Agim Veliun, duke ia lënë kopilin në derë LDK-së, e pastaj edhe duke e lënë LDK-në si parti që i thyen premtimet, më saktësisht reciprocitetin.

Ajo çfarë u tha mbrëmë në parlamentin e Kosovës nga deputetët e LDK-së, nuk janë mendime dhe qëndrime që lindën brenda 48 orëve, jo. Por fshehja e këtyre mendimeve ka qenë për ta realizuar planin Thaçist, për djegien e Albin Kurtit si politikan dhe për ta prezantuar para qytetarëve si një person i njëjtë si ata.

Fillimi i Albinit në luftimin e korrupsionit ka qenë i hatashëm, por kjo nuk u konvenonte asnjë partie tjetër politike, ngase me tempon e tij, e përgatiste terenin që në zgjedhjet e ardhshme, të shkojë në 51% të votave, të zhdukte çdo parti dhe lider tjetër. Prej mbrëmë u kuptua se, kush nuk futet në thertoren e Hashim Thaçit si një dele, do ta ketë përfundimin e Albinit, jashtë pushtetit.

Si apolitik dhe person që nuk e përkrahi asnjë lider dhe asnjë parti politike, them se Albin Kurti ka punuar në mënyrë perfektë kundër strategjisë së Hashim Thaçit dhe thertores së tij, kështu, duke i deklasuar mediat me ndikim, liderët dhe partitë politike, ndërkohë duke e fituar përkrahjen e qytetarëve.

Loading...