Raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për monitorim me Shqipërinë, Xho O’Rajli dhe Peter Aide dhe raportuesi për post-monitorim të dialogut me Maqedoninë e Veriut, Liz Kristofersen, sot e përshëndetën vendimin e Këshillit për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, njoftoi korrespondenti i MIA-s.

“Në kontekstin e ngjarjeve tragjike të shkaktuara nga pandemia e KOVID-19, ky është një lajm shumë i mirë dhe mirënjohje e përpjekjeve të këtyre dy vendeve për t’i zbatuar reformat dhe politikat e nevojshme për integrimin e tyre evropian. Si raportues për këto vende, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë ata të vazhdojnë në rrugën e integrimit evropian, në çfarëdo mënyre të mundshme”, thanë raportuesit.

Raportuesi Kristofersen, kujtoi se integrimi në BE është një qëllim afatgjatë konsensual dhe strategjik për Maqedoninë e Veriut i cili madje i tejkalon dallimet politike dhe etnike.

Kjo dritë e shumëpritur e gjelbër vjen pasi vendi ka ndërmarrë, vitet e fundit, vendime vendimtare – megjithëse të vështira – për zgjidhjen e “çështjes së emrit” dhe fillimin e reformave të mëdha. Arritja e sotme e procesit të integrimit në BE është gjithashtu rezultat i aftësisë së të gjitha partive kryesore politike për të arritur marrëveshjet e nevojshme politike që vendi të ecë përpara, duke përfshirë edhe miratimin e fundit të Ligjit të ndryshuar për Prokurorinë Publike, tha Kristofersen.

Ajo shpreson që ky vendim t’i nxisë reformat në vazhdim, përfshirë edhe ato që priten në kuadër të post-monitorimit të dialogut të APKE-së me Maqedoninë e Veriut, përkatësisht qëndrueshmërinë dhe funksionimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e kornizave zgjedhore dhe zbatimi i politikave gjithëpërfshirëse që synojnë sigurimin e të drejtave të pakicave, siç është theksuar në Rezolutën e Parlamentit të tetorit të vitit 2019.

Përveç kësaj, raportuesit për Shqipërinë u bënë thirrje të gjitha fraksioneve politike në Shqipëri që të përfitojnë nga ky vendim për t’i kapërcyer dallimet e tyre politike dhe për ta zgjidhur krizën sistematike politike në vend, të vazhdojnë me reformat që synojnë krijimin e një gjyqësori të vërtetë të pavarur dhe për ta forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit gjerë të përhapur në vend.

“Kriza politike është ‘thembra e Akilit’ në procesin e reformës dhe konsolidimit demokratik të Shqipërisë. Të gjitha fraksionet politike ia kanë borxh popullit shqiptar që ta zgjidhin krizën dhe ta kapërcejnë polarizimin politik endemik në vend”, theksuan O’Rajli dhe Aide.

Loading...