Bashkim Aliu

Për çdo vit, një muaj para fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, gjegjësisht në muajin e tetë të kalendarit hixhrij, muslimanët e presin muajin Shaban, i cili është uvertyrë në muajin e bekuar të Ramazanit. Pikërisht, pozita e këtij muaji para muajit të Ramazanit, si dhe praktika e pasur e adhurimit dhe thënieve të të Dërguarit të Allahut për këtë muaj, i japin këtij muaji pozitë të veçantë dhe e bëjnë tregues serioz për vëmendjen e veçantë që umeti islam duhet t’ia kushtojë këtij muaji, analizën e urtësive dhe mesazheve të tij për jetën e besimtarëve dhe të njerëzimit në përgjithësi, dhe reflektimin e tij në shoqëri.
I Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, në këtë muaj, në veçanti ka agjëruar, krahas adhurimeve tjera që ka bërë. E ky veprim i të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, pa dyshim se për ne është dëshmi e vlerës së agjërimit në këtë muaj të bekuar, por marrë parasysh se ky muaj i paraprinë muajit të Ramazanit, në të cilin muaj është obligim të agjërojnë muslimanët, ky veprim i të Dërguarit të Allahut duhet të analizohet edhe në aspekte tjera, krahas vlerës së agjërimit në këtë muaj.
Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me te, ka thënë:”Kurrë nuk kam parë të dërguarin e Allahut të agjërojë për një muaj të tërë, përveç në Ramazan, dhe kurrë nuk kam para atë që të agjërojë më shumë se në Shaban.”(Hadithin e kanë transmetuar:Buhariu dhe Muslimi).
Agjërimi i të dërguarit të Allahut në muajin Shaban, pa dyshim se e thekson në veçanti vlerën e këtij muaji për agjërim dhe vepra tjera të mira.
Muaji Shaban, si dhe adhurimet islame në përgjithësai, dhe agjërimi në veçanti, krahas mesazhit parësor fetar të adhurimit, ka edhe mesazh shëndetësor për njeriun, që në veçanti duhet ta analizojnë ekspertët e mjekësisë.
Pjesa më e madhe e muslimanëve, normalisht duke i patur parasyshë përjashtimet, pak agjërojnë jashta muajit të Ramazanit, dhe gjatë njëmbëdhjetë muajve e mësojnë organizmin vazhdimisht me ushqim. Kështu, kur vjen Ramazani, në ditët e para, ata hasin vështirësi, për shkak se e thejnë rutinën vjetore të ushqimit, e disa prej tyre ndoshta edhe ballafaqohen me probleme shëndetësore si rezultat i dobësisë së organizmit. Për këtë, agjërimi në muajin Shaban, ka domethënie shëndetësore ngase e përgatit organizmin dhe e përshtat për muajin e Ramazanit. Kjo vlen në veçanti për ata të cilët kanë ndonji dobësi trupore.
Krahas aspektit shëndetësor dhe hudhjes dritë të muajit Shaban në këtë plan, muaji Shaban na nxitë që çdo herë të jemi në lëvizje, të bëjmë përgaditjet e duhura dhe mos të qëndrojmë në vendnumëro.
Muaji Shaban, duke e përgatitur besimtarin për muajin e Ramazanit, jep mesazh se muslimani çdo herë duhet të jetë i përgatitur dhe të bëjë plane para se të niset ta bëjë një punë, e jo të niset pa plan dhe pa qëllim se ku don të arrijë. Gjërat që nisen pa përgatitje dhe pa plan, nuk sjellin rezultate të pritura, apo janë të gjykuara me humbje.
Planifikimi, programi dhe përgatitja e duhur para se të fillohet diçka, janë nocione që mungojnë përmbajtësisht në mesin e muslimanëve. Agjërimi i të dërguarit të Allahut, paqa e Allahut qoftë mbi të, në muajin Shaban, një muaj para Ramazanit, flet qartë se muslimani duhet të jetë i përgatitur, t’i planifikojë gjërat para se t’i fillojë dhe të bëjë prova për të konstatuar se ku gjendet në raport me kryerjen e detyrës që e pret.

Por, me këtë, muaji Shaban reflekton edhe në jetën e gjithë njerëzimit. Kjo, ngase muaji i Ramazanit nuk është më ndodhi lokale dhe e kufizuar vetëm në komunitetin musliman, por, fillimi dhe mbarimi i muajit të Ramazanit është ndodhi e përmasave globale e shtrirë në të gjitha shoqëritë dhe mjediset. Për rrjedhojë, interesimi për këtë muaj të bekuar, nga të gjitha palët, shpie edhe në interesimin për muajin Shaban, i cili i paraprinë muajit Ramazan, dhe në vokabullarin e muslimanëve njihet si njëri nga “tre muajt”.
Muaji Shaban i flet gjithë njerëzimit se duhet të jenë të përgatitur dhe nuk duhet të lejojnë që të befasohen, ngase kjo do të ishte e kushtueshme dhe e shtrenjtë për ta dhe mbarë njerëzimin.
Krahas mesazhit të nevojës së përgatitjes dhe planifikimit në jetën e njeriut në përgjithësi, muaji Shaban na flet edhe për një segment tjetër të rëndësishëm, gjegjësisht atë të vetëllogaritjes dhe rishikimit të prioriteteve. Edhe përskaj asaj se çdo adhurim ka vlerë në Islam, megjithaë, muaji Shaban, i cili i paraprinë muajit Ramazanit, muajit të agjërimit të obligueshëm të muslimanëve, është theksuar nga ana e të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, me agjërim. Kjo, ngase në krahasim me periudhën në vazhdim, pra ardhjen e muajit të Ramazanit, agjërimi ka prioritet, si në aspektin shpirtëror, po ashtu edhe në aspektin trupor dhe shëndetësor.
Por, ky mesazh vlen edhe për gjithë njerëzimin, ngase të gjithë njerëzit janë krijesa të Krijuesit të Madhërishëm. Muaji Shaban dhe praktika e adhurimit të të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, në këtë muaj, i flasin njeriut se duhet ta korigjojë veten dhe prioritetet, t’i analizojë mirë veprimet e veta si individë, ndërkaq qeverive u flet se duhet t’i rishikojnë politikat e veta. Kjo, ngase një krizë si kjo e Covid 19, e shtron para tyre pyetjen:”Sa vlejnë programet për hulumtime në hapësirë, lansimin e satelitëve, investimin në armatim, bombat “e mençura” etj., në ndërkohë që nuk mund t’ia dalin mbanë me një sulmues të padukshëm për syrin, përpos se me metoda mesjetare-mbyllja në shtëpi?” Mbase çdo hulumtim e ka vlerën e vetë, dhe kjo nuk kontestohet, por, përpara krizës së Covid 19, pa dyshim se shtrohet çështja e rishikimit të politikave të përpilimit të buxhetit, alokimit të mjeteve buxhetore dhe fushave me prioritet.
Usame ibn Zejd i është drejtuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. e i ka thënë: “O i dërguar i Allahut, s’po shoh se po agjëron në ndonjë muaj tjetër siç po agjëron në Shaban” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia ka kthyer:” Ky është një muaj mes Rexhebit dhe Ramazanit, të cilit njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje, dhe është një muaj në të cilin veprat ngrihen deri tek Zoti i botëve. Unë dua që veprat e mia të ngrihen ndërsa agjëroj” (Hadithin e ka shënuar Nesaiju).
Muaji Shaban, për çdo vit ia rikujton muslimanit se duhet ta llogarisë vete, se duhet t’i analizojë veprimet dhe duhet të bëjë bilans për atë që e ka bërë në kohën e kaluar. Kjo shihet nga fakti se me dëshminë e të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s. në muajin Shaban prezantohen veprat e njerëzve para Allahut të Madhërishëm, edhe pse Allahu i Madhërishëm e di që më parë se çka ka bërë njeriu. Për këtë, Muhamedi s.a.v.s. ka agjëruar shumë në këtë muaj, edhe pse jo gjithë muajin, për atë se veprat e tij, pra edhe të gjithë njerëzve, në këtë muaj ngriten para Allahut, e ka dashur që veprat e tij të ngriten duke qenë agjërueshëm. Deklarimi i të Dërguarit të Allahut se në këtë muaj ngriten veprat te Allahu i Lartmadhërishëm, është mesazh i qartë se duhet ta kontrollojmë veten dhe veprimet tona, duhet të mbajmë përgjegjësi për punët që bëjmë, ngase për çdo ditë ne jemi para llogarisë.
Në dritë të thënieve pejagmberike në përgjithësi, dhe kësaj thënieje në veçanti, shumë pasoja do të mund të evitoheshin nëse ne kishim mbajtur llogari për veprimet tona.