Nga: Alpin Ollogu

Jo të gjithë të pasurit, gjegjësisht pronarët e biznesit të madh dhe të mesëm, funksionarët e pushteti lokal, pushtetit qëndror, administratës publike, kanë qenë apo janë të korruptuar. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e tyre, padyshim kanë qenë dhe mbeten pjesa më errët e aparatit shtetëror, e veprimtarisë tregtare – biznesore, nga aktet e të cilëve, me dekada, i është shkaktuar dëm financiar, goditje e vazhdueshme pagave të shtresës së mesme dhe asaj të ulët qytetare, pagës mesatare dhe ndihmës sociale, qoftë dëmi dhe për biznesin e vogël apo familjar. Duket paradoksale, kur në të vërtëtë duhej të ishte e kundërta, megjithatë, janë fajtorët kryesorë të dobësisë ekonomike, buxhetit të shtetit, në situata që konsideroheshin ligjërisht normale, por që nga ana e zbatimit dhe funksionimit të shtetit ligjor ishin dhe mbeten të favorshme për krimin financiar, korrupsionin e zhvilluar në sektorët e tyre. Prandaj, pa hezituar, qeveria duhet ti bëjë kurbanët e parë të krizës ekonomike, e shkaktuar nga pandemia e virusit Kovid 19, dhe jo të dëmtohen me shumë, punonjësit e pagave mesatare në administratën publike.

Nga pasojat e të lartshënuarve, le të bëhen kurbanët e parë të situatës, edhe biznesmenët – të pasurit e ndershëm, funskionarët e pa-korruptuar të këtij vendi, ata që në një mënyra kanë mbajtur sadopak ekonominë e vendit, dhe atë që konsiderohet shtet. Të sakrifikojnë qoftë edhe nga etika e drejtësisë sociale, në këtë shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Ata që kanë më shumë, të kontribuojnë më shumë. Fillimisht të shkurtohet paga minimale e ish kryeministrit Zaev, kryetarit të LSDM-së. Të sakrifikojë Zoran Zaevi nga bizneset e tij milionëshe, paga për punëmarësit dhe ndihma të tjera shtesë, jo vetëm si parim moral që grumbulluesit e pasurisë të shpërndajnë pasuri në kohë krizash. Ndoshta edhe si një drejtësi tjetër, për ato bizneset e dyshimta, proceset gjyqësore të mbaruara pafajshëm në gjykata të korruptuara dhe jo-profesionale. Por edhe për përgjegjësinë kryeministrore, në kohën e të cilit, dikush, kundërligjshëm, mbushte me miliona çantat “Louis Vuitton”.

Bashkë me shkurtimin në pagë minimale në 14.500 den, të pagës së ish kryeministrit, qeveria me fuqinë ligjvënëse që i jep shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, le të shkurtojë në paga minimale, vetëm pagat e funksionarëve publik, të shkurtohen apo hiqen pagat e këshillave drejtues komunal, anëtarëve të bordeve drejtuese në kompanitë e ndryshme tregtare, atyre të cilët deri tani kanë marrë paga shumëfish më shumë se ata të pagave mesatare të puntorëve në administratën publike, shtuar edhe korrupsionin e tyre. Të shkurtohen, minimalisht për muajt e parë të krizës (5 -6 muaj), pagat e atyre të cilët hambarët e pasurisë i kanë shumë herë më të mbushur se të punonjësve të pagave mesatare.

Ndërsa bizneset, punëdhënësit të cilët kanë me dhjetra apo qindra të punësuar, të detyrohen dhe kushtëzohen me forma ligjore të nacionalizmit të pronës e dënimeve të ndryshme, që mos të largojnë punëtorët nga puna, për pak humbje të pasurisë. Pagat punëtore, minimalisht për muajt e parë të krizës, le të paguhen me një kontribut partneriteti me shtetin. Marrë nga arka e punëdhënësve me fuqi të mundshme ekonomike (shteti ka mekanizmat për të vlerësuar pasurinë e tyre), dhe marrë nga arka e shtetit, në solidarizim të përbashkët. Ndihmë ekonomike të cilën biznesi do duhet ta kthejë në arkën e shtetit, në momentet e stabilizmit të situatës, në mënyrë graduale, si kredi bankare apo forma tjera të parashikuara ligjore. Kështu, qeveria për këto rrethana të jashtëzakonshme, do të detyrojë funksionarët dhe të pasurit, të paguajnë koston e parë dhe më të madhe të krizës ekonomike, thënë ndryshe, të bëhen kurbanët e parë të situatës. Ata të cilët kanë përfituar me dekada, nga shteti i dobët juridik, nga gjykatat dhe prokuroritë e korruptuara dhe joefikase. Edhe nga plani etik, ata kanë përfitur dhe janë pasuruar në saj të konsumatorëve, popullatës, dhe vullnetit te sovranit – elektoratit për ti vendosur në funksione drejtuese. Pavarësisht se këtë keqpërdorim nuk e kanë bërë të gjithë.

Në pamje të parë mund të duken si masa të padrejta, në krahasim me masat e disa shteteve tjera, megjithatë, ne nuk duhet të harojmë se të tjerët, janë shtete me buxhete të konsoliduara të cilët për vite rresht, kanë kapacitet të mbrojnë ekonominë e tyre nga gjendja e krijuar. Ndërsa tek ne, buxheti shtetëror, monopoli dhe korrupsioni biznesor, është keqpërdorur me dekada, në shumicën prej tyre. Ne shikojmë se vetëm në këtë kohë të shkurtër krize, në Inspektoriatin Shtetetor, janë paraqitur mbi 500 ankesa për punëdhënësit, se si ato i keqtrajtojnë punëmarrësit dhe i kërcënojnë për nxjerrje nga puna, duke mos respektuar as urdhëresat minimale qeveritare, për lirim nga puna të njërit prind që kujdeset për fëmijët apo për personat në nevojë. Pastaj, për moskufizimin e numrit të puntorëve dhe mbajtjes së distancës në ambientet e punës, masave mbrojtëse kundër korona virusit, që duhet të sigurojnë punëdhënësit për punëmarësit e tyre.

Propozimi i ish kryeministrit, për uljen në paga minimale e të gjithë punëtorëve të administratës publike, është atakuar edhe nga partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës dhe nga opozita shqiptare e maqedonase, por edhe nga shumica e ekspertëvë të vendit. Regim i cili e bëri kryetarin e LSDM-së, de fakto – udhëheqësin e qeverisë aktuale, që disa ditë me vonë, në një prononcim televiziv, ta zhvendosë masën e tij financiare, në barrë të të pasurve, por pa e precizuar atë se si?!
Është e kuptueshme që në situatë krizash duhet një solidarizim i përgjithshëm, por kurbanët e parë të këtij solidarizimi nuk duhet të jenë puntorët e thjeshtë, pjesa më e brishtë, por ata zhvatësit e vashdueshëm të së mirës publike, të lartshënuarit. Ata që i kanë shumë borxhe këtij populli. Pa dashur tju futemi në hak, të drejtëve prej tyre, megjithatë, me të thatin digjet edhe i njomi.

Më pastaj, të kihen parasysh masat e tjera, si psh sugjerimet e akademikut shqiptar Izet Zeqiri, i cili propozon që: “Me paratë prej 13.1% e mjeteve buxhetore të planifikuara konform buxhetit të projektuar në 3.9 miliardë euro, për tërë shëndetësinë nuk përballohet kjo pandemi. Është urgjente paratë të drejtohen drejt krizës, shëndetit të qytetarëve dhe mirëqenies së qytetarëve, drejt kapaciteteve spitalore publike dhe në paisje. Qeveria nuk duhet të shkurtoj pagat e administratorëve, por ajo duhet të shkurtoj një pjesë të pozicioneve të mallrave dhe sherbimeve që janë 821,5 milon euro, të zvogëloj e udhëtimet dhe mëditjet, mirëmbatjet e ndryshme dhe një pjese të shërbimeve të kontraktuara që janë 606,3 milon euro në kuadër të mallrave dhe shërbimeve. Qeveria duhet të heq dorë nga investimet jo prioritare kapitale të cilat nuk janë prioritet në këtë kohë të pandemisë, kur është rezikuar shëndeti i qytetarëve. Prandaj paratë për investimet kapitale dhe objekte të tjera infrastrukturore që janë planifikuar 380 milionë euro, duhet të ridestinohen dhe të orientohen në menaxhimin e krizës dhe përkrarjen e bizneseve që kërkojnë masa për kufizimin e ndikimit ekonomik të pandemisë.”

Krejt në fund, nëse kriza ekonomike zgjatet dhe pandemia zgjerohet, mund të kihet parasysh solidarizimi i përgjithshëm edhe në pagat mesatare të punëtorëve të administratës publike, shtresës më të goditur nga korrupsioni biznesor dhe pushtetar, i viteve radhazi.

Loading...