Vjosa Ramabaja

Isa Mustafa ndoshta edhe mund të ja arrijë qëllimit për ta rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit. Në bashkëpunim me PDK-në dhe partitë tjera më të vogla, kjo mund të arrihet lehtë. Mirëpo parashtrohet pyetja cili është çmimi që po paguan LDK-ja? A fiton diçka LDK-ja nga rënia e kësaj qeverie, apo fiton vetëm PDK-ja dhe Hashim Thaçi?

Përgjigja më e saktë ka ardhur në formë satire, përmes një fotografie që po shpërndahet në rrjetet sociale. Kjo fotografi përmban pyetjen simbolike me zhargon të shahistëve, “A jepet mbretëresha për kali?”. (Do të ju kisha lutur si redaksi që edhe këtë opinion timin ta ilustroni me fotografinë në fjalë, që po ua dërgoj në email).

Pa dashur të ofendoj askënd, kjo satirë më duket shumë e qëlluar e cila në mënyrë ekzakte përshkruan gjendjen në LDK, nëse këtë parti e krahasojmë me fushën e shahut. Simboli I LDK-së dhe liderja faktike e këtij subjekti në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani, po përballet me kërcënime se do të përjashtohet nga partia! Çfarë paradoksi! Çka humb Vjosa nëse përjashtohet nga LDK-ja? Asgjë! Mund të fitojë edhe më tepër, sepse ajo është bë simbol i mençurisë dhe dinjitetit femëror në politikë. Nëse Vjosa i bashkëngjitet Vetëvendosjes, pa dyshim se bashkë me Albinin fitojnë më shumë se 51 për qind të votave. Këtë e dinë edhe fëmijët në djep, edhe zogjtë në mal, nuk është e mundur të mos e dinë zyrtarët e LDK-së që po dëshirojnë rrëzimin e Qeverisë, me çmim edhe të përçarjes së tyre.

Por këtu si duket problemi qëndron tjetër kund. Problemi, sipas mendimit tim, qëndron te borxhet e Isa Mustafës ndaj PDK-së, e personalisht ndaj Hashim Thaçit.

Nga një parti që u nis drejt shuarjes, Isa Mustafa po e rifaktorizon PDK-në dhe po e bën vendimtare nëse do të bjerë ose jo qeveria. A ka tregues më të qartë se për kë po punon tani Isa Mustafa? Dilema e vetme mbetet se çfarë borxhi i madh qenka ky, që Isa ta sakrifikojë mbarë LDK-në? Ndoshta përgjigja qëndron tek transkriptet e Këshillit të Sigurisë që i përmendi kryeministri Kurti dhe që premtoi se do të dalin shpejtë në opinion.

Loading...