Bota po bën një pushim tani, më në fund. Thonë se çdo gjë e keqe e ka një të mirë, dhe unë pajtohem plotësisht me këtë shprehje. Po, njerëzit po vdesin, ekonomia po dëmtohet dhe ne jemi të izoluar, nuk duket një situatë e mirë, apo jo? Por unë më tepër e shoh si një ndryshim, në stilin tonë të jetesës, atë që e quanim normale deri dje. Ka shumë gjëra që duhet t’i rishqyrtojmë pasi Coronavirus-i të zhduket, ose të paktën të stabilizohet.

1.Mënyra se si ne punojmë

Kohët e dëshpëruara sjellin masa të dëshpëruara, apo jo?

Në ditët e sotme që njerëzit janë mbyllur brenda shtëpive të tyre, e vetmja zgjidhje është të punosh prej andej. Puna prej shtëpisë nuk është diçka e re, por vetëm disa kompani e kishin zbatuar atë deri më sot. Arsyet si mungesa e besimit mes punëdhënësit dhe të punësuarve apo thjesht mendësia e vjetëruar e shumë kompanive, na pengoi të punonim nga shtëpia, ose prej kudo.

Disa nga ne duhet të udhëtojnë për një orë ose më shumë për të shkuar në punë dhe e njëjta kohë kërkohet për rrugën e kthimit. Kjo do të thotë se nëse dikush është në punë për 9 orë, duke shtuar këtu 2-3 orë transport, rreth 12 orë të ditës kanë ikur, 3 prej të cilave nuk janë shumë të dobishme (të shpenzuara në makinë, tren, autobus). Këshillohet që një i rritur të flejë rreth 8 orë, gjë që do të thotë kemi shpenzuar 20 orë të ditës sonë. Çka do të thotë që na kanë ngelur 4 orë, në rastin më të mirë 6 orë (nëse jetoni afër vendit tuaj të punës) për të kaluar me familjen, partnerin, fëmijët, miqtë, gjithashtu mos të harrojmë, duhet të hamë mëngjes dhe darkë dhe të gatuajmë.

Tani, kjo është një matematikë mjaft e thjeshtë. Dikush mund të argumentojë se ne mund të flemë më pak, por kjo do të na bënte jo të shëndetshëm. Mungesa kronike e gjumit mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut, diabet, atak në zemër, ose goditje në tru.

Probleme të tjera të mundshme përfshijnë mbipeshën, depresionin dhe dëshirën e ulët për marrëdhënie seksuale. Mungesa kronike e gjumit madje mund të ndikojë në pamjen tuaj. Kjo është arsyeja pse ju nuk dukeni aq bukur mëngjesin pas një nate të kaluar jashtë në një festë. Tani imagjinoni nëse jeni duke punuar në një punë që nuk e pëlqeni, ose thënë më mirë, ju e urreni atë.

Një sondazh global i realizuar nga Gallup ka zbuluar se nga një miliardë punëtorë në botë me kohë të plotë, vetëm 15% e njerëzve janë të kënaqur me punën e tyre. Kjo do të thotë se 85% e njerëzve janë të pakënaqur me punën që bëjnë. Këto numra duhet të na trembin, ose të na nxisin për një ndryshim. Njerëzit po kalojnë shumë kohë duke kryer gjëra që me të vërtetë nuk i pëlqejnë, dhe kanë vetëm 4 orë në ditë për të kaluar me njerëz të tjerë ose thjesht duke u përqendruar në hobi-t e tyre. E përsëri, shumicën e kohës ne preferojmë t’i kalojmë këto 4 orë duke parë Netflix ose duke shpenzuar kohë në rrjete sociale.

Kjo eshte. Kjo është jeta jonë, kryesisht humbje kohe. Dhe po, kjo nuk është e vërteta për të gjithë. Ka njerëz që kënaqen me punën e tyre, bëjnë sport gjatë kohës së lirë, por nuk jam shumë e sigurt nëse flejnë mjaftueshëm gjumë. Në fund të fundit, dita ka vetëm 24 orë.

Tani nëse ekziston një gjë pozitive në këto kohë, është fakti që vetizolimi mund të na bëjë të reflektojmë. Të reflektojmë në mënyrën se si po jetojmë dhe në mënyrën se si po punojmë. Më në fund, punonjësve u është dhënë mundësia të punojnë nga shtëpia. Sigurisht që jo të gjithë e kanë këtë mundësi pasi ka profesione të cilat të kërkojnë në zyrë apo kudo tjetër. Por për ata të cilët mund ta kryejnë punën nga shtëpia, tani ata kanë 2-3 orë më shumë të cilat nuk do i humbasin më në trafik. Madje është koha të jemi të sinqertë për diçka. Shumicae njerëzve nuk u duhet të qëndrojnë në zyrë për 8 orë.

Kam takuar kaq shumë njerëz që thonë se i mbarojnë detyrat e tyre në më pak se 8 orë, por ata duhet të qëndrojnë në zyrë për të marrë një pagë në fund të muajit. Ndoshta është koha ta ndryshojmë këtë gjë gjithashtu.

2.Mënyra se si ne shohim profesionet dhe pagat e tyre

Na u desh Koronavirusi, për të kuptuar se mjekët, infermierët dhe mësuesit janë heronjtë e botës. Jemi pak vonë në këtë realizim. Mjekët dhe infermierët janë ata që sot nuk mund të qëndrojnë në shtëpi siç je ti tani duke lexuar këtë shkrim. Jo. Tani ata janë atje, në të njëjtën dhomë me këtë virus, larg familjeve të tyre. Ndërkohë, nënat në shtëpi, të cilat duhet të kujdesen për fëmijët e tyre, po e kuptojnë se sa e vështirë është t’i edukosh ata.

Ata janë mësuesit tanë. Tani problemi këtu është se profesionet të cilat futen në pjesën e argëtimit, si muzikantët, aktorët etj, të cilët shpesh herë nuk kanë as arsimin më bazik, fitojnë më shumë para sesa mjekët dhe mësuesit. Dhe sinqerisht jam e lodhur që u kushtojmë më shumë rëndësi këtyrë individëve. Ky është një realitet i trishtë.

3.Mënyra se si ne blejmë

Më shumë se kurrë njerëzit janë duke blerë online. Edhe ata që nuk e kishin provuar kurrë më parë. Dhe kjo gjë na pëlqen. Gjërat vijnë drejt e tek ne, pa patur nevojë që të largohemi nga shtëpia. Madje ne duhet të vlerësojmë dhe të tregojmë respekt dhe për njerëzit të cilët bëjnë të mundur dorëzimin e gjëravë që ne porosisim. Ata po rrezikojnë jetën e tyre tani për ta bërë më të lehtë tonën. Ata nuk janë shërbyesit tanë, prandaj bëni mirë t’i shihni dhe ata si heronj. Ne jemi duke blerë online më shumë se kurrë, dhe ky është një trend që është këtu për të qëndruar. Blerjet online e bëjnë jetën tonë më të lehtë dhe na kursen kohë. Kështu që, nuk do të befasohesha sikur të shikoja që njerëzit të vazhdojnë të blejnë online edhe pas largimit apo stabilizimit të Koronavirusit.

4.Mënyra se si ne trajtojmë planetin tonë

Kjo është ndoshta një nga rishqyrtimet më të rëndësishme. Më në fund ndalëm këtë botë të çmendur të pandalshme. E cila nuk u ndal kur ngrohja globale po na kërcënonte, as kur ndotja u bë e padurueshme ose kur kafshët u zhdukën. Ne përdorëm justifikimin se ishte tepër vonë, tepër vonë për ta ndaluar atë, tepër vonë për ta ndryshuar. Mendësia jonë për të fituar gjithnjë e më shumë dhe pangopshmëria jonë na solli këtu. Jo, nuk ishte një virus që e bëri këtë rrëmujë, ishim ne.

Ne po i japim një pushim planetit tone.

5.Mënyra se si jetojmë

Nëse ekziston një gjë, që vërtet duhet ta rishqyrtojmë pasi të marrë fund ky makth, është mënyra se si e jetojmë jetën tonë. Tani njerëzit janë duke kuptuar që rrjetet sociale dhe Netflix, mund të ndihmojnë kohën të kalojë më shpejt, por kjo jo domosdoshmërisht na bën të lumtur.

Njerëzit janë specie sociale dhe për këtë arsye ne duam të bashkëveprojmë me të tjerët. Në të njëjtën kohë, ne nuk jemi krijuar për të jetuar në një apartament 10 metra katror në katin e 14-të të një ndërtese. Ne jemi krijuar për të shijuar natyrën, për të shijuar diellin, detin, për të vrapuar zbathur. Dhe mund ta shihni tani që edhe njerëzit më të pasur nuk janë të lumtur në izolim, të paktën jo ata që nuk kanë as edhe një kopsht. Ne e krijuam këtë jetë duke menduar se do të ishte më e mira për ne por nuk duket kështu. As interneti, media sociale, aplikacionet, nuk mund të japë atë cka na jep natyra.

Kjo është arsyeja pse njerëzit që tani po kalojnë kohë në fshatra janë më të lumturit. Ne na pëlqen liria, është kaq e thjeshtë. Unë gjithashtu po shoh njerëz që kalojnë kohë me familjet e tyre më shumë se kurrë, diçka që kishim harruar të bënim kohët e fundit. Ne ishim kaq të zënë ose pretendonim të ishim të tillë, sa harruam atë që është me të vërtetë e rëndësishme në jetën tonë.

Ky virus është këtu për të na kujtuar edhe një herë, se kemi një kohë të limituar. Ne nuk mund të jetojmë përgjithmonë, kështu që më mirë të mos sillemi si të përhershëm. Ne jemi vetëm kalimtarë. Prandaj bëjmë mirë të shkojmë pas ëndrrave tona, ato që përherë i kemi lënë pas dore. Bëjmë mirë të bëjmë ato gjërat që na mbushin shpirtin. Jeta është e shkurtër, prandaj duhet t’a jetojmë në çdo sekondë të dhuruar.

Loading...