Komunikatë për shtyp

Zana Bytyqi-Geci e OJQ “Familja dhe Shpresa” kërkon takim me Kryeministrin Albin Kurti për ligjin për gjykatën speciale

Prishtinë/Klinë, 21 Janar 2020 – “Edhe Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiçi, e të tjerët si Ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daciçi, duhet që të thirren nga prokurori Jack Smith që të bëjnë një udhëtim deri në zyrën e tij në Hagë për të dëshmuar apo intervistuar si të dyshimtë për krime lufte, sepse ata ishin ministra dhe zëdhënës të Sllobodan Millosheviqit. E që kjo të bëhet e mundshme, së pari duhet plotësuar ligji për gjykatën speciale për krimet e luftës nga parlamenti i Kosovës,” shkruan në një letër Kryetarja e shoqatës nga Klina “Familja dhe Shpresa’, Zana Bytyçi-Geci, drejtuar Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, me të cilin ajo kërkon takim për të çuar përpara kërkesën e njohur të shoqatës për plotësimin e ligjit në fjalë nga parlamenti i ri i vendit.

Bytyqi-Geci në këtë letër sot ka kërkuar një takim me Kryeministrin Albin Kurti, për t’ia dorëzuar atij kërkesën, tash edhe në cilësinë e kreut të ekzekutivit të vendit tonë, për plotësimin e ligjit për gjykatën speciale, me seli në Hagë të Holandës, për krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 dhe sqaruar atij personalisht pse kjo duhet të ndodhë patjetër.

Bytyqi-Geci shkruan në letrën publike se meqë pozita e Kurtit tash ka ndryshuar, dhe edhe qeveria e re e koalicionit e pranojnë realitetin e ekzistencës së gjykatës, të cilën Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kishte kundërshtuar dhe mos-njohur deri para pak muajve, ai mund të iniciojë në Kuvendin e tashëm të vendit – ku partitë në pushtet e kanë shumicën e votave – kërkesën shoqatës për plotësimin e ligjit të gushtit të vitit 2015, në mënyrë që gjykata në fjalë të merret edhe me , dhe së pari, me krimet e Serbisë ndaj civilëve shqiptarë e t’i ndëshkojë vrasësit serbë për krimet e bëra gjatë luftës.

Bytyqi-Geci në letër shkruan se delegacioni i shoqatës ka edhe plotë çështje të tjera për të biseduar dhe kërkuar nga Kurti në pozitën e tij të re institucionale dhe nga partia në krye të cilës është ai, që ndërlidhen me krimet e Serbisë, por se ato do të t’ia bëjnë sy-me-sy në takimin e kërkuar.

Më poshtë letra e shoqatës nga Klina ‘Familja dhe Shpresa’ :

Dërgesë publike: Prishtinë/Klinë, 21 Janar 2020

Për: Kryeministrin e Republikës së, Albin Kurti,

Nga: Zana Bytyqi, OJQ “Familja dhe Shpresa”

Tema: Ligji për gjykatën speciale

Kërkesë për takim

Zotëri Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,

Unë Zana Bytyqi-Geci, kryesuese e shoqatës “Familja dhe Shpresa” si dhe familjarët e tjerë të 86 të vrarëve e të zhdukurëve civilë nga komuna e Klinës me 4 Prill 1999 në Masakrën e Kralanit, me këtë dërgesë po ju kërkojmë një takim me ju personalisht në zyrën tuaj.

Në këtë takim ne do t’ju dorëzojmë personalisht juve krejt kërkesat me shkrim që iu kemi bërë që nga 13 Nëntori 2016 krejt institucioneve të Republikës së Kosovës, krejt partive politike e krerëve të tyre, krejt parlamentarëve të kuvendeve të kaluara, për plotësimin e ligjit të mbrapshtë për gjykatën speciale selektive për pretendimet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së për krime të luftës, ligj dhe gjykatë kjo e cila e ka amnistuar Serbinë dhe kriminelët e saj nga krimet e bëra ndaj civilëve shqiptarëve të Kosovës.

Kërkesat tona vite më parë i janë bërë edhe partisë suaj (LVV), edhe juve personalisht si kryetar i saj dhe deputetëve të saj të parlamenteve të deritashme të vendit tonë.

Ne kemi përsëri një kërkesë të këtillë ndaj jush, edhe tash kur jeni në postin më të lartë në ekzekutivit, dhe kur partia/.lëvizja e juaj tash është pjesë përbërëse e shumicës parlamentare dhe udhëheqëse e qeverisë.

Situata e juaj dhe e partisë tuaj LVV ka ndryshuar tash krejtësisht, pra edhe në raport me gjykatën e padrejtë tash me seli në Hagë për Kosovën. Tash nuk jeni në opozitë por jeni ngjitur në pushtet.

Anëtarë të partisë suaj tashmë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së zyrës së prokurorit Jack Smith për intervistime, dhe qëndrimi i mëhershëm i LVV-së ndaj kësaj gjykate praktikisht pra nuk është i vlefshëm.

Shkuarja e anëtarëve të LVV-së për intervistim në Hagë është dëshmi praktike se tash edhe LVV e pranon këtë gjykatë, edhe pse në gusht të vitit 2015 deputetët e LVV-së kanë votuar kundër saj dhe deri para këtyre shkuarjeve në zyre të Jack Smithit pretendonin se ata dhe LVV nuk e njohin këtë gjykatë.

I nderuari zotëri Kryeministër Kurti,

Në pozitën që e morët para pak javësh, nuk kemi dëgjuar të keni iniciuar ndonjë nismë në parlament për t’i mbetur besnik qëndrimit tuaj të deri para disa muajve se ju dhe LVV nuk e njihni gjykatën në fjalë.

Nuk kemi parë që në programin tuaj përgjatë fushatës zgjedhore e as në marrëveshjen me partnerin tuaj qeveritar, LDK-në, të keni shkruar ndonjë rresht kundër kësaj gjykate apo se nuk e njihni gjykatën. Partneri i juaj atëherë dhe tash është përkrahës i madh i kësaj gjykate të padrejtë në formën e saj të tashme.

As në deklaratën tuaj shpjeguese për programin qeveritar të shpalosur pak para se morët shumicën (66) vota nga parlamenti për postin ku jeni sot, nuk kemi dëgjuar nga ju, e as parë të shkruar ndonjë fjalë kundër kësaj gjykate.

Tash, ju duhet që të sqaroheni publikisht, dhe besoj se këtë sqarim të nevojsëhm për qytetaret e Kosovës, do të na e bëni edhe neve në takimin tonë të parë, aty në zyrën tuaj, nëse vërtetë jeni apo nuk jeni kundër kësaj gjykatë selektive dhe diskriminuese, apo a pranoni apo jo atë si të tillë.

Deri përgjatë kohës kur ju nuk do të ndërmerrni ndonjë iniciativë në parlament për t’iu mbetur besnik qëndrimeve tuaja të vitit 2015 ndaj gjykatës, kur u votua ky ligj i çuditshëm e selektiv, ne mbetemi me shpresën se ju do të gjeni kohë për të na takuar për të dëgjuar nga ne pse ky ligj duhet PLOTËSUAR e jo shfuqizuar.

Si njeri i ligjit dhe i rendit, që ne shpresojmë dhe duam të besojmë se jeni ashtu siç keni folur dhe shkruar prej se jeni nisur në rrugëtimin e tuaj të gjatë politik e deri më tash, ne nuk mund të mendojmë ndryshe pos të shpresojmë shumë se LVV dhe pikërisht ju personalit, zotëri Kryeministër i Kosovës, do të jeni pikërisht ata që do të mobilizoni krejt forcat tuaja , pra edhe të qeverisë suaj dhe partive në pushtet, për grumbulluar mjaftueshëm shumicë votash për të plotësuar këtë ligj të mbrapshtë të vitit 2015 në kuvendin e sotëm.

Shpresojmë shumë se nuk do ta refuzoni kërkesën tonë për takim aty në zyrën tuaj në Prishtinë, apo të paktën të mos na leni pa përgjigje ashtu siç na la ish-kryekuvendari Gllauk Konjufca, i cili tash u bë ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës.

Zotëri Kryeministër,

Pa marrë parasysh heshtjen tuaj të deritashme, të LVV-së dhe partive të tjera të dhe të kryeqendrave perëndimore për të njëjtën, ne nuk do të heqim dorë nga kërkesa e jonë e bërë që nga 13 nëntori 2016 për të plotësuar këtë ligj i cili në natyrën e tij të tashmë është gjysmak dhe tejet ofendues për krejt Kosovën dhe sidomos afro 13000 viktima civile shqiptare të luftës.

Me këtë ligj, aty në kuvendin e vendit tonë, u themelua pikërisht një gjykatë e turpshme, e njëanshme që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit dhe ajo ndodhi pikërisht me votat shqiptare.

Turp për të gjithë ata në Kosovë dhe kudo tjetër nëpër vendet perëndimore të përfshirë në këtë ligj e gjykatë e që në të njëjtën kohë na flasin për drejtësi përditë para publikut, siç e bënë edhe gjatë muajit të kaluar për masakrën në Reçak e që po heshtin ndaj kërkesës sonë për plotësimin e ligjit në fjalë, tash e katër vite.

Ky ligj në formën e tij të tashme po e fal Serbinë dhe kriminelët e saj nga krimet ndaj civilëve shqiptarë. Gjykata në fjalë po e falë Serbinë dhe kriminelët e saj nga krimet e tmerrshme ndaj më të dashurve tanë dhe krejt viktimave të tjera civile në krejt Kosovën, pikërisht me fajin e deputetëve të vitit 2015 dhe deputetëve të kuvendeve që pasuan që nuk e plotësuan këtë ligj.

Zotëri Kryeministër Albin Kurti,

Shpresojmë se ju do të jeni ai i cili urgjentisht të ndryshojë mendje dhe ta plotësoni këtë ligj.

Ka përplot raste nëpër botë. Shih gjenocidin ndaj popullit jevrej, i cili i ndihmuar nga institucionet e shtetit të Israelit, edhe pas 75 viteve që nga përfundimi i luftës vazhdon që të ndjekë nëpër gjykatat e botës kriminelët nazistë të regjimit monstruoz të Hitlerit.

Zotëri Kurti, Ju ishit në Korrik të vitit 2019 edhe në Tel Aviv dhe atje jeni bindur personalisht se ç’është insistimi për drejtësi për popullin jevrej edhe pas afro tetë dekadave. Kështu duhet që të jemi edhe në shqiptarët, apo jo ?

E ky shembull thotë shumë thjeshtë: Kurrë nuk është vonë për të çuar drejtësinë deri në fund.

Ky shembull është ilustrim i mrekullueshëm, i jashtëzakonshëm dhe inspirim për të gjithë ne në Kosovë, pra edhe për ju dhe krejt politikanët e tjerë të Kosovës, e diplomatët e huaj në Prishtinë, për t’u mobilizuar bashkë me ne, shoqatën ‘Familja dhe Shpresa’ nga Klina, e shoqatat e tjera të njëjta në Kosovë, për të plotësuar këtë ligj dhe respektuar fjalën që politikanët aty në Kosovë, e diplomatët e zyrtarët perëndimor po na e thonë përditë: “Nuk ka paqe pa drejtësi” apo edhe “nuk mund të ketë drejtësi selektive”.

Deri më sot, me këtë ligj dhe me këtë gjykatë të re në Hagë për Kosovën, kjo fjali e mrekullueshme është shkelur turpshëm me të dy këmbët dhe ndotur me duart dhe gishtat e krejt politikanëve të Kosovës, e po aq edhe nga krejt diplomatët e zyrtarët perëndimor dhe qeveritë e tyre.

Gabimi i gushtit 2015 mund të përmirësohet vetëm duke u plotësuar ligji në fjalë dhe atëherë kur kriminelët serbë të gjykohen atje në Hagë.

Edhe Kryetari i Serbisë Aleksandar Vucçi, e të tjerët si Ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daciçi duhet që të thirren nga prokurori Jack Smith që të bëjnë një udhëtim deri në zyren e tij në Hagë për të dëshmuar apo intervistuar si të dyshimtë për krime lufte, sepse ata ishin ministra dhe zëdhënës të Sllobodan Millosheviqit.

Që kjo të ndodhë, rrugëtimi deri tek aty mund të niset pikërisht nga ju zotëri Kurti dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, përmes plotësimit të ligjit.

Me datën 3 Gusht 2015, në Kosovë bota perëndimore dhe institucionet e Kosovës e shqelmuan drejtësinë pa fije turpi, sepse e ndotën fjalinë “Nuk ka paqe pa drejtësi”.

Zotëri Kryemistër Albin Kurti,

Kryetari i tashëm i Kosovës Hashim Thaçi, dhe krejt zyrtarët e tjerë të cilët janë takuar me Vuçicin dhe Daçiçin në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe ndihmuar edhe nga vendet e tjera perëndimore, i ka injoruar thirrjet tona tash e katér vite kundër këtij dialogu pa u përmbyllur drejtësia për viktimat shqiptare, pra pa u gjykuar krejt pjesëmarrësit e ndërmarrjes kriminale të Millosheviqit, pjesë e së silit ishin pra edhe Vuçiçi, Daçiçi e shumë të tjerë ende t é liré né Serbi….

Mos e pérsérisni këtë gabim të tyre edhe ju zotëri kryeministër. Mos iu shkoni gjurmëve të Hashim Thaçit, Isa Mustafës e të tjerëve që i deleguan krejt me radhë që nga viti 2011 në Bruksel për dialog të këtillë i cili i shqelmon turpshëm drejtësinë, e po aq dhe lutjet tona për drejtësi dhe pritjet e krejt familjaréve té tjeré népér Kosové qé duan drejtési pér mé té dashurit té tyre.

Kryeministër Kurti,

Ne kemi edhe shumë çka tjetër për t’ju shkruar e thënë sy-me-sy, juve dhe krejt politikanëve të Kosovës dhe diplomatëve e zyrtarëve të vendeve aleate të Kosovës sonë të përbashkët.

A jeni ju i gatshëm për të na dëgjuar zotëri kryeministër i Republikës së Kosovës Albin Kurti ?

Nëse po, atëherë na e caktoni datën dhe kohën e takimit sa më parë aty në zyrën tuaj në Prishtinë.

Ju ftojmë që menjëherë pas këtij takimi të dalim së bashku në konferencë për shtyp, e t’iu tregojmë mjeteve të informimit dhe përmes tyre edhe krejt qytetarëve të Kosovës se për çka tjetër biseduam me ju, e që nuk po e rendisim në këtë letër.

Në pritje të përgjigjes tuaj,

Sinqerisht !!!

Zana Bytyqi-Geci,

Kryetare e shoqatës “Familja e Shpresa”,

Klinë/Prishtinë


Zana Bytyqi-Geci

Kryetare,
OJQ “Familja dhe Shpresa”

Loading...