Një 26-vjeçare britanike, që në gjendje të dehur u përpoq të hapte në fluturim derën e një avioni të Jet2, është dënuar me dy vjet heqje lirie.

Chloe Haines nisi të bërtiste me të madhe: “Do t`ju vras të gjithëve, të gjithë keni për të vdekur”, dhe e gërrici me thonj edhe një anëtar ekuipazhi.

Gjykatësi tha se për shumë pasagjerë në atë avion, ai moment kishte qenë “makthi më i keq i bërë realitet”.

Haines e pranoi se me veprimet e saj kishte vënë në rrezik sigurinë e personave të tjerë në bord.

Aq e dhunshme ishte bërë ajo gjatë udhëtimit dramatik, sa ishin dashur disa vetë për ta mbajtur në tokë.

Prokurorët thanë se 26-vjeçarja “e kishte humbur toruan fare pasi kishte përzierë ilaçet me alkool, dhe më pas, nuk mbante mend asgjë”.

Haines, që tani ka hyrë në programin e Alkoolistëve Anonimë, u arrestua nga policia britanike në momentin kur avioni zbriti në tokë.

Pas incidentit të 22 qershorit, Jet2 e ndëshkoi atë me një gjobë prej 85,000 paundë ndërsa gjithë jetën nuk do t’i lejohet më të udhëtojë me këtë kompani.