Në ditët në vijim, do të shtjellojmë një sërë strategjishë të domosdoshme e të përfshira në Platformën e strategjive, planeve e projekteve të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, të cilat na dalin si garancë institucionale e integritetit, dinjitetit dhe të profesionalizmit të Institucionit tonë dhe të nëpunësve të tyre, teologë e jo-teologë. Le të merren këto shkrime edhe si ftesë e të gjithë të interesuarve në vendin tonë që pëmes propozimeve, sugjerimeve dhe këshillave të tyre të kontribuojnë sadopak në rrumbullaksimin gjithëpërfshirës të kësaj Platforme

Shkruan: Afrim Tahiri

Opinioni i gjërë, miqtë tanë, të vendit e ndërkombëtarë, tashmë e dinë se, Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI, qysh në ditët e veta të para, doli me një Platformë në të cilën bazohej stategjia e veprimit dhe objektivat e Lëvizjes që paralajmëronin reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të Institucionit të BFI-së. Këto reforma, për asnjë moment, nuk i kemi projektuar si rezultat i ndonjë intrige, i ndonjë “institucioni” paralel, si rezultat i masave të “rezistencës aktive”, por, thjesht, si një rezultat i domosdoshëm që do të vie “vetëvetiu”, si rezultat i patjetërsueshëm dhe i domosdoshëm pas një lufte transparente, të mbështetur në argumenta, në fakte e dokumenta. Reformat si pasojë e rrëmujave dhe veprimeve joislame, nuk i kanë interesuar askujt në Lëvizje, sepse, në esencë ato nuk janë reforma por, luftë lakmitare “për një pushtet të njëjtë nga figura të tjera”!
Një lojë e tillë kurrë nuk më ka interesuuar dhe as që më intereson, madje as që figuron e maskuar diku në projektet dhe strategjitë tërësisht islame të Lëvizjes.
Dhe ja ku jemi, në finalizim të Platformës së Lëvizjes që shënon dokumentin bazë për ndryshime dhe për zhvillim institucional të jetës fetare islame në vend. Platforma në fjalë është në përfundim e sipër, po punohet nga një ekip profesionistësh, me shumë integritet, me përgatitje akademike, si nga vendi ashtu edhe nga jashtë dhe, ngritet mbi një sërë strategjishë e programesh, që në fakt janë binaret e Institucionit tonë që synon të arrrijë destinacionin e duhur – kthimin e integritetit, dinjitetit, të autoritetit dhe të respektit që i ka pasur e që, për fat të keq, pas përbaltjes dhe nëpërkëmbjes, nuk i ka më!
Sot, as me një mësues, as me një taksist, as me një “tugjar”, as me një akademik, as me një shitës e as me një politikan, nuk mund të flasësh për Bashkësinë Fetare Islame, sepse, posa e zë ngojë menjëherë do të të hidhen më qafë: “mos më fol për ata hajna”, “mos më fol për ata të prishur”, “mos na fol për ata dinsëza”, “mos na fol për atë shtëpi të të gjitha të këqiave”… Nuk flitet mirë as për hoxhallarët, për teologët, ndonëse mbi tetëdhjetë për qind e tyre janë të devotshëm, janë të mirë, janë të përkushtuar, janë durimtarë karshi zullumit, shantazhit, kërcënimeve që ditë për ditë u vinë nga “qendra”!
Që kur u synua dhe, përmes intrigave dhe lojërave alla-ortodoksiane, u arrit të sigurohet “përjetshmëria” e postit “reis” – që këtu mori fund gjithçka! Sepse, “përjetshmëria” e këtij posti nga Kryeintriganti u konceptua si “fron perëndie” para të cilit duhet të përkulen gjithësecili, për të cilin duhet të punojë gjithësecili, të cilit i takon gjithçka, i cili në veprimet e veta është i lirë dhe me autoritet të plotë për t’u duartrokitur dhe për t’i thënë vazhdimisht “mashallah”!
Sot Institucioni i BFI-së por edhe institucioni i teologut, llogariten si institucione pa integritet, pa peshë, pa respekt, të cilëve u atribuojnë fjalët më pezhorative që mund të ekzistojnë në fytyrë të tokës. Ekzistenca e tyre varet nga disponimi dhe qejfet e “reisit”! Kur do ai i lavdëron, i ngritë në rrafshin e “sulltanit”, kur do i shpallë hajna, tradhëtarë, i largon nga puna! Përgjegjësia dhe autoriteti, kompetencat dhe planet, të gjitha janë të centralizuara në duart e “të parit”, askush nuk guxon të lëvizë dhe, ky shtrëngim diktatorial përkthehet si “unitet”, si “respekt”, si ”veprim institucional”! Kompetencat dhe përgjegjësiitë mund të vërehen “të deleguara” vetëm në rastin e “përkrahjes” për veprimet jonormale, në të cilat duhet të përfshihen që të gjithë me qëllim që pesha e fajësisë mbi “të parin” të jetë sa më e “imët”!
Pra, Platforma që po punohet nga ekspertë të lëmive të ndryshëm, ngritet mbi një sërë strategjishë dhe programesh të cilat garantojnë Institucion të dinjitetshëm dhe veprime në përputhje absolute me të gjitha normat tradicionale islame, me porositë e shenjta, me nevojat bashkëkohore për zhvillim e mbarësi të komunitetit dhe shoqërisë sonë, duke e ngritur bashkëpunimin e shëndoshë dhe institucional në vlerë të detyrueshme dhe obligative për të gjitha strukturat e Institucionit tonë.
Një vend të konsiderueshëm në këtë Platformë zë edhe stategjia e zhvillimit të integritetit të BFI-së por edhe rikthim të dinjitetit dhe të rolit të patejkalueshëm të teologut. Dhe kjo strategji nuk mund të arrihet pa Kodeksin etik bazuar në porositë e shenjta kuranore e të traditës së Pejgamberit tonë, Muhamedit s.a.v.s. si dhe në vlerat e drejtësisë njësoj për të gjithë.
Kapitull më vete do të jetë strategjia për zhvillim të dinjitetshëm të jetës fetare islame në vend, strategjia e ngritjes së departamenteve që do t’i mbikëqyrin këto synime, qo do të kenë kompetencë dhe autoritet veprimi të pavarur, që do ta kenë të drejtën e luftimit të korrupsionit, të vjedhjes, të keqpërdorjes së pozitës, autoritetit, të petkut islam, të të mirave të përgjithshme.
Zhvillimi akademik dhe institucional i kuadrove tona të ardhshme do të ketë gjithë vëmendjen dhe angazhimin e Institucionit tonë.
Një prej platformave që do ta rikthejë autoritetin dhe respektin e gjërë ndaj Institucionit tonë, fatkeqësisht të degraduar për momentin, do të jetë edhe Strategjia e politikave të shëndosha fiskale, bazë kjo e zhvillimit dhe mirëqenies ekonomike të Institucionit tonë, e cila do ta ngrisë në domosdoshmëri të plotë dhe të patjetërsueshme mirëmenaxhimin me burimet financiare për ç’gjë do t’ia rikthejmë transparencës peshën e shenjtë. Këtu përfshihen edhe projektet “vakëf përmes vakëfit”, që do të thotë, me paratë që vijnë nga vakëfi, vit për vit, të shtohet vakëfi; janë studiuar mundësitë që përfitimet nga aktivitetet fetare të jenë jetike për Institucionin tonë.
Janë ngritur planet e bashkëpunimit me faktorë të ndryshëm, komunikimit normal, përfshirjes së Institucionit tonë nëpër asociacione të ndryshme fetare si në vend ashtu edhe jashtë.
Tashmë është kah finalizimi edhe strategjia e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha asociacionet fetare islame në vend, pesha dhe përfsshirja e tyre në Instiitucionin tonë, respektimi dhe mirënjohja për secilin që kontribuon në zhvillimin e jetës fetare islame në vend; përfshirja e tyre si dhe sponsorizimi nga ana e BFI-së në aktivitetet e përbashkëta fetare islame; thirrjet institucionale për organizime, botime, konkurse të ndryshme, finansimi i të cilave do të ketë zëra të veçantë në strategjinë dhe planet vjetore të financave të BFI-së. Ky institucion në të ardhmen nuk guxon të jetë përjashtues, për askënd me nijete të shëndosha, nuk do të jetë penguese për asnjë asociacion islam në vend që ka projekte, plane e strategji të shëndosha për zhvillim të jetës islame ndër ne; do të themelojë sektore e forume që janë aq të domosdoshme për Institucionin por dhe për komunitetin tonë.
Kjo do të jetë bio-fryma shpëtimtare e BFI-së që është në grahmën e vet të fundit. Kjo Platformë që është në përfundim e sipër, në fakt do të jetë një vaksinë anti-bakteriale që do ta shpëtojë BFI-në me të gjitha organet e saj. Pas kurimit, vjen faza e dytë: jo marrja me “virusët” por me përforcimin dhe ngritjen në këmbë të forta të tërë organizmit. Punët e hajrit janë të destinuara që të stolisen me suksese, në çdo hap, sepse, për këtë Garantues është vetë Allahu i Gjithëdishëm, i cili, në ajetin 76 të sures Merjem, thotë: “Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë. Veprat e mira që mbesin, janë të shpërblyera më mirë te Zoti yt dhe kanë përfundim më të mirë”! Amin!

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Loading...