Pas paralajmërimit të Spanjës për përshpejtimin e procedurës për ratifikimin e Protokollit për në NATO dhe mbështetjen e riafirmuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE në takimin e Këshillit Evropian në mars, si dhe zbutjen e qëndrimit të presidentit francez Makron se do ta mbështesë hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën nëse rezultatet e raportit që KE-ja duhet ta publikojë gjithashtu në mars për të dyja vendet janë pozitive, e bëjnë marsin muaj kryesor në kalendarin për perspektivat eurointegruese të vendit.

Shefja e diplomacisë spanjolle Arança Gonzaëes Laja në konferencën për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov i cili dje qëndroi për vizitë në Madrid, theksoi se Spanja do të mbështesë fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE në takimin e Këshillit Evropian në mars.

Laja theksoi se Spanja është duke punuar me Francën për të siguruar konsensus për këtë çështje, duke shtuar se për këtë është diskutuar edhe në takimin e djeshëm të sekretarit shtetëror të Spanjës për BE-në, Huan Gonzalez Barba me homologun e tij francez, Ameli de Monshallan.

Dimitrov deklaroi se me metodologjinë e re të propozuar nga Komisioni Evropian, e cila parashikon shpërblim për ata që kanë përfunduar detyrat e shtëpisë dhe ndëshkimin për ata që kanë ngecur, do të jetë shumë e vështirë, madje edhe e turpshme, t’i thuhet përsëri jo Maqedonisë së Veriut.

Ai rikujtoi se vendi ka bërë progres të rëndësishëm, ka zgjidhur kontestin shumëvjeçar me Greqinë për emrin, ka kryer detyrat që i janë dhënë dhe plotësisht është e përgatitur për fillim të procesit të negociatave me BE-në.

Lidhur me ratifikimin e Protokollit për në NATO në Kuvendin spanjoll, Laja tha se pret kjo të ndodh shumë shpejtë dhe Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotfuqishme e 30-të e Aleancës. Ratifikimi i Protokollit aderues, theksoi ajo, tashmë ka filluar në Parlamentin spanjoll, me procedurë të shkurtuar dhe pritet sot të miratohet nga Komisioni për Punë të Jashtme në Dhomën e Ulët, ndërsa javën e ardhshme do të vendoset në votim në sesion plenar në Dhomën e Ulët pas çfarë procedura do të vazhdojë në Senat. Pritjet janë se e gjithë procedura do të duhet të përfundojë deri në fund të marsit të këtij viti.

Në suaza të vizitës, Dimitrovi realizoi takim edhe me kryetaren e Dhomës së Ulët të Parlamentit spanjoll Mariçel Batet, e cila ia prezantoi kornizën e pritur kohore për procesin e ratifikimit, si e fundit nga vend-anëtar i NATO-s me të cilin duhet të përmbyllet procesi.

“Përshpejtimi i përmbylljes së anëtarësimit tonë në NATO nga ana e Parlamentit spanjoll është konfirmim për vullnetin e fuqishëm të Spanjës që t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut për realizim përfundimtar të qëllimeve strategjike në mars, me siguri muaji më i rëndësishëm në kalendarin e sukseseve tona”, vlerësoi ministri Dimitrov.

Lideri i Syrizas dhe ish kryeministër, Aleksis Cipras, dje në fjalimin e tij për zgjerimin e BE-së, në ngjarjen enë Senatin francez kërkoi të hapet rruga evropiane për Shkupin dhe Tiranën. Tha se Unioni “nuk mund të jetë faktor i fuqishëm gjeopolitik në nivel ndërkombëtar, nëse nuk është faktor kredibil në fqinjësinë e vet”.

Theksoi kur u arrit Marrëveshja e Prespës në vitin 2018, për Maqedoninë e Veriut “u hap” perspektiva për zgjerim, paralelisht duke i dhënë impuls edhe perspektivës evropiane shqiptare, ndërkaq kontribuoi edhe për momentin të ri në zhvillimin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Nëse sërish e humbim këtë dinamikë. do të jetë shumë vështirë që sërish ta kthejmë.

“Zoran Zaevi, si kryeministër ishte mjaft i guximshëm për të gjetur kompromis me mua për emrin, ndërkaq të njejjtën e bëri edhe me Bullgarinë, edhe pse e dinte çmimin e rëndë politik. Shkaku, përse ne dhe ministrat tanë të jashtëm, Nikos Koxias dhe Nikolla Dimitrov, arritëm tek kjo marrëveshje ishte sepse e bazuam me respekt të ndërsjelltë dhe zgjidhje të ndërsjellta të pranueshme. Ne, nuk i zhvendosëm problemet për të ardhmen e largët, nuk e hodhëm topin tek tjetri. Nuk tentuam të mashtrohemi mes veti apo të luajmë mashtrime politike. Nuk luajtëm në letrën e lehtë – populizmin nacionalist që forcat e tjera politike e shfrytëzonin dhe e shfrytëzojnë në vendet tona. Ne, e respektojmë të drejtën ndërkombëtare”, tha Ciprasi.

Ish-kryeministri greke komentoi se heqja dorë e madje edhe shtyrja e zgjerimit do të ketë pasoja serioze për stabilitetin në rajon, si shmebull duke e përmendur vitin 2014 kur Junker paralajmëroi ngrirje të procesit të zgjerimit, ndërkaq “rajoni hyri në gjendje të jostabilitetit të vazhduar”.

Sipas tij, është pozitive ajo që po diskutohet për metodologji të re për harmonizim dhe përmirësim të procesit të integrimit, por shtoi se megjithatë, duhet të jetë e qartë se “nuk ekzistojnë mekanizma që mund ta zëvendësojnë perspektivën për integrim të popujve nga Ballkani Perëndimor, ndërsa politika fqinjësore evropiane është vegël e fuqishme për reforma dhe mbështetje financiare”.

Zëvendësministri dhe zëdhënës i Qeverisë greke Stelios Pecas, dje në brifungin e rregullt me gazetarët vlerësoi se është shumë pozitive ajo që konferenca vjen në kushte kur duket se pala franceze, e cila ka pasur kundërshtime të rëndësishme në këtë teme, tani është më e hapur për kompromis. “Çdoherë jemi me dozë të rezervës, por jemi pak më tepër optimistë”, tha Pecasi lidhur me atë sa konferenca do të kontribuojë për përshpejtimin e perspektivë evropiane të Shkupit dhe Tiranës.

Të hënën, në Selanik do të mbahet konferenca për përkrahje të perspektivës evropiane të rajonit “Nga Selaniku deri në Zagreb”, ku do të marrin pjesë ministrat e punëve të jashtme të vendeve ballkanike, anëtarë të BE-së dhe shefat e diplomacive të shteteve kandidatë për anëtarësim nga Ballkani Perëndimor. Në konferencë do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov. Në Forum është ftuar të marrë pjesë edhe komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i BE-së Oliver Varheji.

Ndërkohë, edhe kryeministri Oliver Spasovski në intervistën për BE Obsrever i bëri thirrje BE-së të marrë vendim për fillimin e negociatave për aderim të vendit para zgjedhjeve të prillit.

“Kemi bërë gjithçka që është kërkuar prej nesh dhe është shumë me rëndësi të marrim porosi përkatëse nga BE-ja, veçanërisht në mars. Tajmingu është me rëndësi të madhe për ne me qëllim që të ndalohet pasiguria rreth perspektivë evropiane të Maqedonisë së Veriut që mund të paraqitet në vend, por edhe për rajonin” vlerëson Spasovski.

Zgjedhjet e ardhshme, thotë, do të jenë përballje midis forcave proevropiane dhe nacionaliste në vend.

Loading...