Kur kanë mbetur edhe afro dy javë deri tek afati përfundimtar për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, kemi vetëm një koalicion (të pazyrtarizuar) në mes Alterantivës dhe Aleancës për Shqiptarët, dhe shumë kombinime koalicionesh në tavolinë që nuk po marrin epilog përfundimtar.

Sigma Doors
KSHZ-ja ka caktuar 12 marsin si datë e fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve që do garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Pas shumë muajve tentime për koalicion trepalësh në mes bllokut Besa-AA-ASH, ky koalicion në tentativë dështoi. Përmes një videoje në rrjetin social “Facebook”, Ziadin Sela, kryetar i ASH-së, ka bërë të ditur bashkëpunimin e tij me Alternativën e Afrim Gashit, por që ende nuk është zyrtarizuar ky koalicion.

Nga Lëvizja Besa kanë bërë të ditur se kanë ofertë nga LSDM-ja e Zaevit për koalicion parazgjedhor, dhe për të garuar me lista të përbashkëta në zgjedhjet e 12 prillit. Ende nuk ka përgjigje zyrtare nga Lëvizja Besa se a do të pranohet apo jo ofertë e LSDM-së. Në pyetjen e redaksisë tonë për këtë çështje, nga Besa thonë se do të organizojnë mbledhje më këshillin qendror të partisë, për të sjellë një vendim përfundimtar.

LSDM nuk ndalet me kaq. Sipas burimeve jozyrtare, LSDM i ka ofruar koalicion parazgjedhor edhe PDSH-së. Si kusht për këtë koalicion është që kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi të mos jetë kandidat për deputet, por të gjenden figura të reja që do ta përfaqësonin këtë parti në koalicion.

Me këto veprime, LSDM-ja tenton përsëri përfitimin e votuesve shqiptarë, por këtë herë duke e pasur më lehtë shkaku që brenda vetes do ketë edhe parti shqiptare.

Gjatë një interviste, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka thënë se LSDM-ja do të ketë kandidatë shqiptarë nëpër çdo njësi dhe vendbanim ku jetojnë shqiptarët.

Java e ardhshme do të jetë vendimtare sa i përket koalicionimeve parazgjedhore. Gjithashtu koalicionime do të ketë edhe brenda bllokut maqedonas, ku partitë më të vogla do duhet të rreshtohen tek VMRO-ja ose LSDM-ja, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë deri tani.

Loading...