Udhëtarët që kthehen në Pekin do të futen në karantinë të detyrueshme prej 14-ditësh, pasi autoritetet kineze kanë rritur përpjekjet e tyre për të vënë nën kontroll koronavirusin e ri, i cili deri më tani ka lënë të vdekur mbi 1500 persona në Kinë.

Gazeta shtetërore kineze tha sot se personat që nuk do t’i përmbahen këtij urdhri për karantinë do të ndëshkohen, por ende nuk është e qartë se kur do të nisë së zbatuari ky rregull.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse kjo masë do të aplikohet edhe për banorët jorezident të Pekinit, apo për udhëtarët e huaj.

“Nga tani e tutje, të gjithë ata që kthehen në Pekin duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre apo do të mbikëqyre në grupe për 14 ditë pasi kanë arritur në Pekin”, citohet të ketë thënë për gazetën kineze grupi për parandalimin e koronavirusit.

“Ata që refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë do të përballen me ligjin”, ka raportuar gazeta.

Masat e ndërmarra nga Kina vijnë pasi vetëm më 14 shkurt u regjistruan 2,641 raste të reja me koronavirus, një shifër më e ulët krahasuar me ditët e kaluara.

Numri i vdekjeve është raportuar më 14 shkurt se ka qenë 143, që çon në 1,523 numrin e përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi i ri vetëm në Kinë. Po ashtu, numri i përgjithshëm i të prekurve me virusin ka arritur në 66,492.
Në nivel botëror, virusi – të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka emëruar COVID-19 – ka infektuar mbi 67,000 persona.

Pothuajse të gjitha vdekjet nga virusi kanë ndodhur në Kinë edhe pse në Hong Kong, Japoni dhe Filipine po ashtu është konfirmuar vdekja e pacientëve.
Kina po zbaton një sërë masash për të mbajtur nën kontroll virusin. Provinca Hubei, që konsiderohet si epiqendra e virusit, qytetet dhe një popullsi prej më shumë se 60 milionë banorësh janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, teksa linjat e transportit dhe aktivitetet publike janë suspenduar.

Loading...