Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vazhdon me aktivitete për përmirësimin e pozitës së fëmijëve pa prindër dhe kujdes prindëror dhe avancimin e cilësisë së mbrojtjes në familjet kujdestare, si formë e cila është më e afërt me familjen, në pajtim me përcaktimin strategjik se secilit fëmijë i nevojitet familje.

Me vendimin për konstatim të çmimeve të shërbimeve sociale për mbrojtje jashtëfamiljare për vitin 2020, siç informojnë nga MPPS, kompensimi mujor që e merr familja kujdestare për fëmijën e vendosur, rritet për 30 për qind, duke filluar me kompensimin e janarit, që është paguar në shkurt.

“Me Ligjin e ri për mbrojtje sociale u vendos edhe kujdesi farefisnor si mundësi. Me vendimin e ri, kompensimi mujor për kujdes të fëmijës pa prindër dhe kujdes prindëror paraqet 13.847 denarë në muaj, për dallim nga më parë, kur kompensimi ishte 8.688 denarë në muaj. Kompensimi për kujdes për fëmijë apo person me pengesa paraqet 16.219 denarë në muaj për person me pengesa, për dallim nga më parë kur kompensimi ishte 11.361 denarë. Këtë të drejtë nga mbrojtja sociale e realizojnë 224 familje kujdestare, kumtoi kabineti i zëvendësministres plotësuese të Punës dhe Politikës Sociale, Sanella Shkrijelj.

Nga Ministria sqarojnë se familjes kujdestare i nevojitet edhe lloj tjetër i mbështetjes dhe se përgatitjen dhe zgjedhjen e familjeve kujdestare e bën qendra kompetente për punë sociale.

“Pas zgjedhjes, familjet kujdestare marrin pjesë në trajnim dhe marrin mbështetje psikologjike. Bëhet vlerësimi për çdo familje kujdestare në veçanti në mënyrë që saktë të konstatohet se çfarë lloji i mbështetjes i nevojitet. Qëllimi i këtij vlerësimi është të sigurohen të gjitha kushtet që familja kujdestare të kujdeset për personin në mënyrën më të mirë të mundshme. Qendra për punë sociale zhvillon plan individual për ta ndihmuar familjen kujdestare që t’i zgjidhë problemet siç janë arritja e notave më të mira në shkollë, ndryshimi i sjelljes dhe përfitimi i shkathtësive jetësore, si dhe menaxhimi me paratë, kohën apo hapësirën për jetë”, thonë nga Ministria.

Me procesin e deinstitucionalizimit Minsitria e Punës dhe Politikës Sociale një vit më herët se që ishte planifikuar arriti t’i nxjerrë të gjithë fëmijët nga institucionet për vendosje afatgjate. Deri më tani në shtet janë hapur gjithsej 22 shtëpi grupore në të cilat jetojnë qindra fëmijë në atmosferë të ngjashme me atë familjare. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vazhdon me përkushtim të kujdeset për çdo fëmijë dhe ta përforcojë vetëdijen publike për nevojën, rëndësinë dhe dobinë nga procesi i deinstitucionalizimit. Njëkohësisht, thonë nga MPPS, vazhdon zhvendosja e shfrytëzuesve të rritur nga institucionet në shtet.

Loading...