Trajneri i Borusias së Dortmundit nuk e fshehu entuziazmin pas fitores 2:1 ndaj PSG-së në Champions në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave. Zvicerani komplimentoi ekipin e tij, në veçanti talentin norvegjez, Erling Haaland.

“Ai është gjithmonë i gatshëm të godasë kundërshtarin si brenda dhe jashtë zone. Lëvizjet e tij dhe mënyra se si godet janë fantastike”, tha tekniku i verdhezinjve që më pas e komentoi kështu fitoren e djeshme:

“Fituam ndaj një kundërshtari që është favorit për të ngritur trofeun. Duhet të jemi të kënaqur me ndeshjen e zhvilluar. Më vjen keq që pësuam një gol të cilin mund ta kishim shmangur. Gjithsesi në ndeshje të tilla çdo centimetër është i rëndësishëm. Besoj se edhe tifozët janë kënaqur (dje), dhamë gjithçka në fushën e lojës”.

Favre nuk beson se kualifikimi u sigurua në ndeshjen e parë: “Është e kotë të flasim për kualifikim, janë ende 90 minuta të tjera për t’u luajtur. Nuk ka përfunduar asgjë.

Parisi është një skuadër shumë e vështirë në fushën e saj, na pret një duel i zjarrtë në Francë të cilin duhet ta përgatisim mirë. Shpresojë që Rojs dhe Brand të jenë rikuperuar deri atëherë.

Të luash pa kapitenin është një mungesë e rëndësishme. Por sot (dje) do të shijojmë këtë fitore, më pas na duhet të mendojmë për ndeshjen e ardhshme në Bundesligë, një kompeticion ku kërkojmë të shkojmë sa më larg”.

Loading...